E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Lekët e korrupsionit të Fazlliçit do mjaftonin për dëmshpërblimin e të përndjekurve

Nga L.Progni

Kryetari i PS, Edi Rama, tha dje se kryeministri, Sali Berisha, ka qenë shërbëtor i familjes Enver Hoxha, por dhe zyrtar i partisë së tij.

Rama u shpreh i indinjuar në lidhje me akuzat se familja e tij ka qenë e lidhur me regjimin, duke e quajtur atë sulm shtazarak.

“Mbrëmë shqiptarët e shqiptaret patën rastin të shohin sekretarin e djeshëm të partisë së Enver Hoxhës dhe kryeministrin e sotëm të vendit, komunistin e vjetër dhe demokratin e flaktë, Sali Berisha, në njërën prej shfaqjeve më të shëmtuara të politikës së vjetër të dyfytyrësisë.

I dyfytyri Sali Berisha, i cili në moshën time ishte ende shërbëtor në partinë e Enver Hoxhës, u tha mbrëmë shqiptarëve se unë, Edi Rama, paskam qenë i lidhur me diktaturën dhe për t'i bindur shkeli mbi kujtimin e të ndjerit babait tim.

Nuk është hera e parë që Sali Berisha prek të vdekurit e të gjallët e familjes sime, as nuk jam unë i pari që duhet të përjetoj shijen e hidhur të kësaj politike të ndyrë urrejtjeje dhe që duhet të qetësoj nënën e djalin tim, të dhunuar nga gjuha e egër e njeriut që sot fatkeqësisht qeveris Shqipërinë.

Por, nuk jam këtu as për të folur në emrin tim personal dhe as për të mbrojtur veten e familjen time pas një sulmi shtazarak të kundërshtarit tim politik nga ekranet e nga gazetat e komanduara prej tij”, - tha Rama.

“Unë jam këtu, sepse nuk jam i vetmi që i preket familja nga ky njeri.

Unë jam këtu, sepse nuk jam as i pari dhe as i fundit që duhet të qetësojë prindin e fëmijën, pas dhunimit të familjes nga ky njeri.

Unë jam këtu, sepse kjo politikë që hyn çdo mbrëmje në shtëpitë e shqiptarëve për të mbjellë urrejtje, për të trazuar mendje e zemra prindërish e fëmijësh me egërsinë e saj, për të rënduar shpirtërisht e moralisht miliona njerëz që duan shpresë, zgjidhje për hallet e tyre, perspektivë për fëmijët e tyre, duhet të marrë fund.

Unë jam këtu për t'i thënë Sali Berishës se, si djali i një nëne, duhet të të vijë një herë turp, si burri i një gruaje, duhet të të vijë dy herë turp, si babai i dy fëmijëve, duhet të të vijë dhjetë herë turp, si gjyshi i nipave e mbesave të tua duhet të të vijë njëqind herë turp dhe si kryeministri i të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që të shohin e dëgjojnë, kur dhunon traditën familjare e kodin etik të tyre, duhet të të vijë njëmijë herë turp”, - vijoi më tej kryetari i PS.

Rama tha se Berisha po abuzon me viktimat e komunizmit për të mbrojtur të pandehurit e korrupsionit. “Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse ndërkohë që në emër të të përndjekurve shkeli Kushtetutën vetëm e vetëm për të shkatërruar një pushtet gjyqësor që po heton qeverinë e tij, është kryeministri që ka një sekser serb, i cili, i vetëm, ka bërë me korrupsion në 3 vjetët e kësaj qeverisjeje, aq pará sa do të duheshin për të dëmshpërblyer 3 milionë e 375 mijë ditë burgu politik ose 6 milionë e 750 mijë ditë internimi”, - tha Rama.

“Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse ndërkohë që të përndjekurve politikë u ka marrë prej 17 vjetësh jo vetëm votën, po edhe flamurin, tani që po mbaron edhe mandati i tij i fundit për të drejtuar punët e vendit, kërkon që me gjakun, plagët, vuajtjet, sakrificat, hallet e problemet e tyre të pafundme sot e gjithë ditën, jo vetëm të mbulojë duart e pista të kësaj qeverie të kalbur nga korrupsioni, po edhe të marrë përsëri një mbështetje tërësisht të pamerituar për të përfaqësuar këtë shtresë të vrarë e të torturuar nga Enver Hoxha dhe të mashtruar e të përqeshur nga sekretari i tij i dikurshëm, komunisti i vjetër Sali Berisha.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›