E Diel, 1 Nëntor 2026

Artan Fuga: Topalli, gruaja që drejton një kuvend burrash maçistë

Nga ROLAND QAFOKU (marre nga Tirana Observer, rubrika "50 pyetje")
 


Prandaj quhet profesor Artan Fuga. Se është i sinqertë, se është elokuent, se është bindës dhe se nuk e tradhëton kurrë atdheun, nuk i bën dëm kurrë familjes dhe nuk ha kurë mish shqiponje. Se është krenar që nuk është krenar për asgjë të tijën. Se personazhi që do të donte ti ngjante më shumë në jetë është Jezu Krishti, se mendon se Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri ishte Luftë Nacional-Çlirimitare edhe luftë civile njëkohësisht.
Quhet profesor Artan Fuga se mendon se edhe ish-kufitarët edhe diversantët duhet të paraqiten edhe si heronj edhe si viktima tamam ashtu në Francë që nderohen edhe ushtarët e Luftës së Parë Botërore që ranë në llogore edhe ata që dezertuan për bindjen e tyre pacifiste.
Se ka dalë në fotografi me Papa Vojtilën, Bushin, De Golin, Shirakun, Mbretëreshën e Anglisë, por të gjithë këta kanë qenë prej dylli dhe i ka gjetur te dalë në fotografi në Muzeun e Dyllit në Paris.

Quhet profesor Artan Fuga se mendon se mes një 15-vjeçari që pi cigare dhe një pensionisti që luan tërë ditën domino është më i dëmshëm ky i dyti dhe se në një ditë të zakonshme në jetë çdokush mund t’ia hedhë kollaj. Më saktë akoma, profesori jep përshtypjen e jashtme se dikush mund tia hedhë. Por ai të vëren, analizon, filozofon. Madje këtë ndjesi më lë edhe mua teksa i marr intervistë. Thjesht unë mund të jem nën studimin e një karakteri që profesor Fuga shquan në mendjen e tij. Të gjithë që bisedojnë, diskutojnë, dëgjojnë dhe kanë një raport miqësor me të janë nën një vëzhgim. Nën një vëzhgim pozitiv ama, të një filozofi nga të rrallët që kanë Shqipëria. Dhe që së fundi i dhanë edhe titullin akademik. Një titull që ai e kishte merituar me kohë dhe pa e patur në xhep. Por tanimë idetë dhe projektet e tij kanë nisur të dalin në sipërfaqe.
E ngacmojmë pak edhe për politikën. Fjala vjen si i duket atij sherri në parlament mes Berishës dhe Taulant ballës. A e dini përgjigjen?Artan Fuga thotë: Po të isha në vendin e kryeparlamtares Jozefina Topalli, që është e suksesshme në punën e saj, duke drejtuar me dorë të fortë atë tufë burrash hiper maçistë në Kuvend, do të kisha bërë të njëjtën gjë. Jo për të ndëshkuar deputetin Balla, por thjesht për të mbyllur një sherr që transmetohej direkt në televizion.
Në rubrikën “50 pyetje nga Tirana Observer”, profesor Artan Fuga na fut në botën e tij duke zbuluar edhe ca gjëra nga jeta personale dhe duke lënë pa zbuluar ca të tjera. E gjitha është filozofia e tij. Quhet filozofia “Artan Fuga”.

1. Cili është kujtimi juaj më i hershëm?
Nuk mund t’a them me siguri sepse e kam vështirë t’iu vendos rradhën në kohë disa kujtimeve të hershme. Gjithsesi, kjo pyetja juaj më jep mundësinë për të thënë se për mua, shpesh, te njeriu, më e rëndësishme sesa kujtesa është harresa. Parë nën këndin e filozofisë së komunikimit dhe të shkencave të komunikimit në përgjithësi nuk flitet më për histori, por për kujtesë kolektive ose personale. Unë nuk mund t’a di se cila ka qenë në të vërtetë historia ime personale, unë mund të di vetëm atë që nuk kam harruar prej saj. Nuk harroj se kam harruar. Duhet të pranoj, pra të kujtoj, se kam harruar. Nga ana tjetër, sipas psikanalizës, njeriu e ka vështirë t’a kujtojë fëmijërinë e vet të hershme sepse në atë kohë ka qenë një qenie amorale, kurse më pas duke u bërë një individ moral i fshin me turp nga ndërgjegjia e tij dëshirat e veta infantile që kanë qenë disi të papranueshme për moralin në të cilin më pas është rritur. Unë e gjykoj veten time sipas moralit tim, prandaj çdo njeri rrezikon të bjerë në autizëm, pra të gjykojë veten sipas vetes. Gjithësesi, gjykoj se rasti im është normal, sipas psikanalizës, kujtimet e mija vijnë e datojnë aty nga mosha katër veçare. Kam disa kujtime nga kjo moshë që si të gjitha kujtimet ruhen sepse lidhen me drama të vockla fëmijërore, me vështirësi të ekzistencës së asaj kohe. E keni vënë re ju se historia e popujve gjithmonë është dramatike. Jo se popujt nuk kanë pasur edhe periudha të lumtura, por sepse si një njeri individual edhe kombet ruajnë në kujtesë vetëm dramat sepse ato problematizohen dhe mbesin të pashlyera. Gëzimi harrohet, vuajtja mbetet në kujtesë. Më kujtohet përshemull se ay nga mosha katër ose pesë vjeçare në kopshtin e fëmijëve ku shkoja çdo ditë u konstatua se kishte rënë sëmundja e botkinit. Kopshti u vendos në karantinë dhe na u ndalua kthimi në shtëpi. Më kujtohet se në mbrëmje ne fëmijët rrinim pas kangjellave nga brenda portës dhe të afërmit tanë pas kangjellave në rrugë. Hekurat na ndanin. Aty kam marrë për herë të parë dramën e ndarjes nga të afërmit prej hekurave. Na ndalohej kthimi në shtëpi. Ndalesa e formon individualitetin njerëzor. Njeriu bëhet qenie morale kur mëson t’i bindet fjalëve “mos” dhe “jo”.

2.Çfarë ke mësuar për herë të parë dhe kush ta mësoi ?
Unë nuk mund t’a di se çfarë kam mësuar për herë të parë, mund të di vetëm se çfarë kujtoj tani, në këtë çast, për dijet e para. Nga gjërat e para që kam mësuar në planin metafizik ka qenë se njeriu është një qenie e vdekshme. Nuk m’a ka mësuar Aristoteli, por gjyshi im, sepse unë jam rritur në një familje me tre breza që jetonin nën një kulm dhe ku bashkëjetonin së paku nja njëzetë veta. Gjyshi im, një qenie e butë, besimtar tolerant, pronar i xhveshur nga pasuritë e tij, herë pas here sëmurej dhe fliste për një botë tjetër pas jetës. Më tha se në atë botë kalohet nëpërmjet vdekjes. Mua kjo m’u duk jo vetëm e padrejtë, por edhe e pamundur sepse si fëmijë ndjeja energjinë e jetës në trupin tim, një vrull jetësor krejt agresiv dhe pa asnjë ndalesë. Në trup nuk kisha asnjë dhimbje. Pata një lloj debati, ashtu fare fëmijë, me gjyshin tim, dhe ai më tha se do të rritesha e do t’a kuptoja më vonë se jeta ishte, por edhe vdekja ishte.

3.Kush ka ndikuar më shumë kur ishe fëmijë ?
Do të gaboja po të thosha se më shumë ka ndikuar ky apo ai, sepse kam jetuar brenda një familje shumë të madhe ku të gjithë merreshin me mua. Ajo që ka ndikuar do të thosha ka qenë fakti se në këtë familje të madhe dhe në farefisin përreth kishte një botë të madhe larushe : kishte besimtarë dhe ateistë, kishte pasanikë dhe varfanjakë, komunistë dhe të prekur nga reformat dhe nga represioni politik, kishte ish-bujq që akoma nderonin beun dhe që hanin në një tavolinë me militantë politkë të kohës, të gjithë mysafirë të një tavoline, individë që bënin agjitacion e propagandë me fraza të fshehura dhe njerëz që i besonin markzisëm–leninizmit, kishte shpronësues po aq sa kishte dhe të shpronësuar, kishte partizanë të flaktë, por edhe ballistë të “penduar”. Të gjithë më dukeshin se e legjitimonin veten në ato që kishin bërë në jetë. Së paku për aq sa thoshin në sytë e një fëmije sepse njeri-tjetrit i druheshin disi. Ai që di më shumë në një familje është fëmija, në një shoqëri është emigranti, në një grup shoqëror është i huaji, në një familje është shërbyesi. Pra, ai që është më i dobëti dhe që askush nuk i druhet për t’i thënë të vërtetën. Kjo ka yshqyer te unë maninë e pashërueshme për larminë, për të pranuar diferencën, për të dashur atë që është ndryshe nga unë. Ky është mësimi i parë inkonshient nga fëmijëria.

4. Cila ka qenë këshilla më e mirë e nënës apo babait tuaj ?
Vështirë që t’a përmbledh. Po t’a thjeshtoja do të thosha se nëna më shumë më ka mësuar për të zbatuar rregullin, ligjin, normën. Kurse im atë disi të kundërtën, pra që përtej normës, rregullit, ligjit, disiplinës, është një botë që jo medoemos i njihen të drejtat e veta legjitime nga ana e administratës, rregulloreve, neneve. Kontradiktore, por që të dyja për mua kanë qenë shumë të vlefshme.

5.Kush ju ka nxitur më shumë në jetë ?
Në faza të ndryshme të jetës më kanë nxitur njerëz të ndryshëm. Nuk di të them se kush më pak dhe kush më shumë.

6.Çfarë nuk ke mësuar në shkollë ?

Shikoni, kjo pyetje nuk mund të më bëhet mua sepse unë edhe në këtë moshë që kam sot, përsëri jetoj brenda shkollës. Shkolla më ka mësuar gjithçka. Unë kam frikë nga autodidaktët. Ky është fati i keq i pedagogut të karrierës. Gjithçka e mësoj për shkollën dhe në shkollë. Unë jam akoma nxënës. Ende e mësoj leksionin që mbaj para studentëve.

7. Çfarë të është dashur të mësoje vetë ?
Kam mësuar vetë gjithçka që mësuesit e mi, pa dashjen e tyre, m’a kishin mësuar gabim.

8. Ku ke punuar për herë të parë dhe cila është puna më e keqe që ke bërë ?

Punuar në kuptimin për të marrë një rrogë, dëshëroni të thoni. Kam punuar për tre vjet pasi mbarova studimet, duke filluar nga viti 1978, nëse jam i saktë tani, në një shkollë nate për punëtorë, atë të fabrikës së çimentos, shkollë ndërtimi. Jepja mësim filozofie për dy grupe nxënësish që punonin dhe kishin ardhur aty për arsye krejt kontradiktore me njëra-tjetrën. Një pjesë ishin të ndëshkuar që të punonin në fabrikën e tmerrëshme të çimentos për t’u riedukuar, dhe pjesa tjetër ishin kandidatë partie, që kishin ardhur aty për t’u edukuar. Mezi i shihja se ajri ishte tejet i ndotur nga grimcat e çimentos që hynin drejt e nga fabrika në klasë. Pyetja e parë imja si mësues në ato vite ishte: Si është e mundur që e njëjta punë për ca është mjet ndëshkimi dhe për ca të tjerë është mjet edukimi? Ato janë vitet më të mira dhe më të këqia në planin profesional. E mira dhe e keqja janë bashkë.

9. Çfarë ke blerë për herë të parë me paratë që ke siguruar vetë ?
Një orë të prodhimit kinez. Gjithë rrogën e parë e harxhova për atë. E kam edhe sot. E ruan fëmija im si relike. E sheh ndonjëherë, e rrotullon nëpër duar, dhe më duket sikur e shikon si me çudi, sikur të shikonte ndonjë poçe guri parahistorike.

10. Motorrin do t’a kesh gjithë jetën si mjet komunikimi?
Do t’a mbaj derisa miqtë e mi të ngopen nga privilegjet që kanë në krahasim me mua sepse ata kanë autovetura. Dikur unë që kisha motoçikletë isha i privilegjuar sepse ata ishin në këmbë, sot ata janë në autovetura, unë jam në motoçikletë. Nuk thoshte kot Jezusi se të parët do të bëhen të fundit dhe të fundit do të bëhen të parët. Sidoqoftë rrugët për të qarkulluar me motoçikletë po ngushtohen gjithnjë e më shumë. Jashtë Tirane nuk dal dot më, edhe në akset kryesore të Tiranës nuk dal dot më me të.

11. Çfarë ha zakonisht dhe cili është ushqimi më i preferuar ?

Çfarë pije të pëlqen mbi të tjerat?
Mjeku më ka thënë se duhet të ha pesë fruta ose zarzavate në ditë, të pi vetëm ujë, të ha mish një herë ose dy në javë, të mos fus në gojë asnjë ëmbëlsirë, sepse kështu, sikurse thotë ai, do të jetojë gjatë. Puna është se unë kështu po vdes urie. Sidoqoftë, për t’iu thënë naivisht gjithë të vërtetën, e ngrëna për mua është në vetvete një akt barbar. Ajo tregon kufizimet e qenies njerëzore, e cila nuk mund të jetojë gjatë pa ngrënë sidoqë shpirti rrok qiejt. Ha mish, pa menduar njeriu se vret qenie të gjalla. Hanë shumë njerëzit për shkak të reklamës, edukatës, fitimit, tregut. Hanë shumë më tepër sesa duhet. Unë kam neveri pas çdo gjëje që ha. Njerëzit hanë pa fund dhe pastaj shkojnë në fitnes për t’u dobësuar. Shohin një lopë dhe e perceptojnë si sallam të ardhshëm. Njeriu ka dominuar qeniet e tjera në format më barbare. I ha. Më pëlqen gjeli i detit i Lezhës me kulaç, burania me lakra tiranase me kos, kosi i deles, ashtu i leshtë, sikurse e bëjnë në Skrapar, Kavajë, Gosë, orizi i llojit taï me fruta deti ose me rosë pekineze, kuskusi i gatuar me mish gjingji dhe me erëza të forta pikante sipas variantin maroken, më pëlqejnë shumë tullumbat sikurse i bëjnë në Stamboll, gurabijet e vjetra, ëmbëlsira tespiçe shkodrane, ballokume elbasançe, paçe Gramshi, pica napolitane, kadaif ngado që të vijë. Këto më kujtohen tani, por ka edhe të tjera. Sa për pijen, unë njoh atë më të mrekullueshmen, atë më të mirën, më aristokraten, të pashoqen, rehaninë e rrushit që bëhet në Skrapar. Kush nuk e ka provuar le të nxitojë t’a gjejë e t’a pijë se përndryshe kot që ka jetuar deri tani. Sidoqoftë, mund të rri edhe pa ngrënë nga neveria.

12. A ka ndonjë gjë në qenien dhe në jetën tuaj që ju bën të ndiheni krenar ?
Jam krenar që nuk jam krenar për asgjë timen. Modestia është një vlerë më e lartë se krenaria. Krenar është Don Kishoti. Çdo gjë është relative në këtë botë, në fund të fundit është një lojë, se fjalët nuk janë veçse një perde që nuk na çojnë te sendet, se bota e objekteve dhe njeriu nuk takohen kurrë me njera tjetrën. Jam krenar se jam miku i atyre që nuk kanë asgjë për t’u krenuar. Si mund të jesh krenar kur e di se bota është e pafundme dhe ti je kaq i vogël përara saj ?

13. Sapo jeni zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave, çfarë do të bëjë një gjë të dobishme tani e tutje profesor Artan Fuga?
Falenderoj sinqerisht  personalitetet që përzgjodhën kandidaturën time. Do të bëj atë që kisha nisur më parë. Unë kam një ëndërr në shkencë dhe në filozofi, kam dy dekada që punoj për të, shumë pak kam nxjerrë në publik prej andej, me pikatore ende, mbase do të arrij të më dalë koha që t’a përfundoj.

14. Cili është në historinë e botës personazhi të cilit keni dashur apo do të donit t’i ngjanit ?
E kam vështirë të zgjedh një të vetëm. Kjo ndodh se i besoj filozofisë se individi ndan vlerat e një epoke. Mua më pëlqen filmi, por e kam vështirë të mbaj mend emrat e aktorëve të tij. Anoj nga strukturalizmi. Por, poqese doni një emër të madh do të veçoja Jezusin nga Nazareti. Personazh kontradiktor, sa real aq edhe një mit i ribërë më pas, me një të folur kontradiktor që e ka ndarë grigjën e tij në dhjetra rryma e drejtime që vazhdojnë edhe sot, një njeri i keqkuptuar si nga ndjekësit e tij, inkuizicioni, ashtu edhe nga armiqtë e tij, shkencëtarët e natyrës. Këtë quaj një njeri të madh, i cili flet qartë, por le pas vetes një tymnajë të pashoqe jo për fajin e tij. Mesazhet e mëdha janë dhe kanë qenë kontradiktore. Më bezdis qartësia, konkluzioni. Sa e ndërlikuar dhe e fshehtë është bota. Më vjen keq për njerëzit që diskutojnë me zjarr dhe i mbrojnë po me zjarr idetë e tyre.

15. Cili është në historinë politike të shtetit shqiptar personazhi më i dashur për ju ?
Sepse kam dëshirë sot të them : Ismail Qemali që ngriti flamurin e pavarësisë në Vlorë, ndonëse nuk jam aspak nacionalist.

16. Cilin nga vendet perëndimore shihni si aleat strategjik të Shqipërisë?
Perëndimi në përgjithësi ka interes t’a mbështesë Shqipërinë.

17. E keni ndjekur debatin publik mbi dialektet dhe kritikat që i bëhen gjuhës sonë standarde? Ju duket një debat i udhës dhe i frytshëm?
Ne duhet t’i ikim stalinizmin gjuhësor, i cili mbronte tezën se gjuha është një për të gjithë, pra neutrale nga pikëpamja politike. Unë mëndoj se ne kemi nevojë edhe për një gjuhë standarde në lëvizje dhe fleksibël, por kemi nevojë edhe të ruajmë dialektet. Kavajsi, shijaksi, durrsaku, pa shkuar më larg, kanë dialekte të ndryshme. Shoqëria shqiptare ka një problem sepse ende nuk e njeh multikulturalizmin. Unë jam që në shkollat e mesme, gjimnazet, të mësohet edhe gjuha standarde kombëtare edhe gjuhët e bukura dialektale zonale. Sidoqoftë, po i quaj dialekte sepse i quajtët ju. Për vete i qendroj filozofisë së akteve të komunikimt sipas së cilës në gjuhë nuk ka as sinonime dhe as ndryshime thjesht dialektolologjike. Një frazë në një “dialekt” ka përmbajtje komprehensive disi të ndryshme nga forma e saj në një dialekt tjetër. Po, kjo është një çështje e gjatë për t’u diskutuar.

18. Mendoni se shqiptarët janë me mentalitet lindor apo perëndimor dhe përse?
Ka shqiptarë të ndryshëm, nuk ka vetëm një lloj shqiptari. Konceptet abstrakte nuk më thonë asgjë.

19. Eshtë e majta apo e djathta ajo që kontrollon më shumë massmedia-n shqiptare ?
Më shumë e majta, besoj.

20. A jeni në një mendje me antropologen angleze Clarisa De Ëal e cila thotë se në Shqipëri nuk ka harmoni fetare, por indiferencë fetare?
Homogjenizimi i koncepteve më duket krejt i kapërcyer. Nuk ka një Shqipëri. Shoqëria shqiptare ka disa nivele, ku diku ka indiferencë ndaj fesë së tjetrit, një herë tjetër ka edhe harmoni. Fjalët harmoni dhe indiferencë më duken krejt të papërcaktuara. Po vetë indiferenca pozitive është një element i harmonisë. Të huajt që nuk kanë jetuar për një kohë të gjatë në Shqipëri nuk kanë studime shqiptare të thelluara.

21. Çfarë ishte Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri një Luftë Nacional-Çlirmitare apo luftë civile?
Nuk e fus realitetin në kallëpe ideologjike. Dilemat, thoshte Kanti ose edhe Bergsoni i krijon gjuha, jo realiteti. Përse ose, ose ? Në realitet të kundërtat janë bashkë, gjuha i ndan. Ne në fakt kujtojmë se studiojmë realitetin, por në të vërtetë studiojmë gjuhën tonë, e cila është kontradiktore. Për mua ka qenë edhe luftë civile edhe luftë nacional – çlirimtare, njëkohësisht. Pastaj kjo varet nga fazat e saj. Nuk e homogjenizoj kohën historike. Varet nga viti, nga muaji.

22. Në cilën periudhë historike do të donit të kishit jetuar?
Në të sotmen, e shtunë, 2 gusht 2008.

23. Cili është personaliteti më i lartë që keni dalë në një fotografi sëbashku?
Janë disa kategori. Platoni, Arisoteli, Seneka, e filozofë të mëdhenj të tjerë, por ata kanë qenë prej guri e prej mermeri, i kam gjetur nëpër vende arkeologjike. Pastaj kam dalë në fotografi me Papa Vojtilën, Bushin, De Golin, Shirakun, Mbretëreshën e Anglisë, por të gjithë këta, thuajse të vërtetë, kanë qenë prej dylli dhe i kam gjetur e dalë në fotografi në Muzeun e Dyllit në Paris. Pastaj kam fotografi edhe me kryetar të shtetit shqiptar të kohës që mbulon moshën time, kryetar partish, ministra, etj., njerëz të gjallë, por aty unë kam qenë thjesht një figurant rastësor. Fotografinë e fundit e kam në një takim që u bë në departamentin e gazetarisë të Universitetit të Tiranës, ku mori pjesë edhe kryeministri Berisha, zëvëndskryeministri Pollo, e me këtë rast iu propozova të bënim një fotografi me të gjithë stafin. Ata pranuan me kënaqësi. Me që është rasti, mund t’a gjeni te faqja internet e departamentit: gazetaria.ut

24. A jeni dakord me Francis Fukuyama-n i cili thotë se demokracia liberale është një vlerë universale dhe e përjetshme?
Jo. Në historinë e njerëzimit fatkeqësisht demokracia liberale, sikurse e quani ju, nuk është veçse një sekondë a më pak në moshën tepër të gjatë të njerëzimit. Edhe sot vetëm një pjesë shumë e vogël e botës jeton në sisteme në sistemin politik të demokracisë liberale, sikurse e quani ju. E ardhmja është e hapur. Mund të lindin forma më të larta demokracie. Një liberal dogmatik nuk është më një liberal, është dogmatik.

25. Përse shkrimi dhe më pas libri i profesorit të Harvardit Samuel Hantington “Përplasja e qytetarimeve”, ka ngjallur më shumë debate se çdo gjë tjetër pas Luftës së Dytë Botërore?
Nuk e besoj që të ketë ngjallur më shumë debate se çdo gjë tjetër. Sidoqoftë në disa pika ai ka të drejtë. Qytetërimet mbështeten në fe të ndryshme dhe se sot, në periudhën e globalizimit, ka një kontradiktë midis mënyrave të jetës perëndimore te disa kombe dhe mentaliteteve të tyre joperëndimore. Sidoqoftë, konflikti shoqëror mund të marrë pamje fetare, por nuk është feja në vetvete që shkakton konflikt. Këtu nuk i besoj më Hantingtonit. Të paktën hëpërhë dhe në studimet e mija.

26. A jeni dakord me kolumnistin e “Neë York Times”, Thomas Friedman, sipas të cilit sot Lufta e Tretë Botërore sigmatizohet si një betejë mes një superfuqie si Amerika dhe një individi të superfuqizuar si Bin Laden?
Jo. Janë dy madhësi që nuk maten dot me njera-tjetrën.

27. Kush është heroi dhe kush është armiku në diktaturë, ish-kufitari që zbatonte detyrën duke vrarë diversantët apo diversantët që kërkonin të përmbysnin komunizimin?
Të dy palët në një farë kuptimi sot paraqiten edhe si heronj dhe si viktima. Mua më ka pëlqyer rasti i Francës ku nderohen edhe ushtarët që ranë në llogore gjatë Luftës së Parë Botërore edhe ata që dezertuan nga Lufta për shkak të bindjeve të tyre pacifiste.

28. Kush është gazetar më i mirë ai që ka mbaruar fakultetin e gazetarisë apo ai që ka mbaruar një fakultet tjetër dhe është bërë gazetar në praktikë?
Gazetar i mirë bëhesh në të gjitha rrugët. Nuk ka rëndësi shumë tipi i shkollës dhe i formimit, ka rëndësi rezultati.

29. Çfarë është sot sipas jush një gazetar shqiptar?
Edhe një herë theksoj se termi “gazetar shqiptar” nuk më thotë asgjë. Ka tipa të ndryshëm që nuk ngjasojnë fare me njëri-tjetrin nga karakteri, profesionalizmi, etika, informacioni që zotërojnë, nga shkollimi, dinjiteti. Unë personalisht disa i dua shumë dhe i vlerësoj shumë, të tjerë disi më pak. Sikurse thoshte mendimtari i shquar Zhak Ellul, por edhe të tjerë, problemi kryesor i mediave të masës është rreziku nga trajtimi sipërfaqësor i gjërave, apo sikurse thoshte Tolstoi në filozofinë e tij të historisë, nga tërheqja prej mekanizmave që bëjnë më shumë zhurmë, dhe që shpesh për këtë arsye janë mekanizma të prishur. Një mekanizëm që punon në rregull nuk bën zhurmë, punon në heshtje. Kurse media shpesh promovon atë më të zhurmshmin, pra mekanizmin e prishur.

30. Cilat janë qytetërimet më të spikatura sipas jush në historinë e njerëzimit?
Unë nuk mund të kem pretendimin për të thënë se cilët janë këto qytetërime, të gjithë qytetërimet kanë vlerat e tyre, unë mund të kem të drejtë vetëm të shprehem se cili prej tyre më tërheq më shumë mua. Po t’i përmbahem Osvald Shpenglerit, këtij dijetari të madh gjerman të shekullit nëntëmbëdhjetë më shumë sesa të njëzetit, do të thosha se çdo qytetërim ka ritmin e tij sikurse jeta e njeriut, lindjen, pjekurinë dhe fazën e rënies, pra të dekadencës. Nuk di nëse mund të mërzis njeri, por më lejoni t’iu them se personalisht më pëlqejnë qytetërimet që janë në fazën e rënies. Relativizmi, një farë misticizmi i butë, një lloj pesimizmi për t’i marrë gjërat me ngadalë dhe me një lloj distance, etj. Një qytetërim në rënie i ngjan një vere të mirë të vjetër që është e mirë pikërisht përpara se të bëhet uthull.

31. Kush ju trishton më shumë një 15-vjeçar që pi cigare apo një 60 vjeçar që luan tërë ditën domino?
Ky i dyti, i pari nuk ka problem nëse pi cigare, ka shanse t’a lërë më pas. I pari e fillon jetën gabim, por mund të ndreqet, i dyti po e mbyll gabim, profesionalisht, pra është i pandreqshëm.

32. Ju jeni tifoz ndaj atij personazhi që suksesin e ka arritur vetë apo me atë që ia kanë lënë trashëgim të tjerët?
I përmbahem filozofit tim të preferuar Xhon Rolls, medimtari i madh amerikan që thotë se zakonisht rreziku i atyre që trashëgojnë suksesin e të tjerëve është të pësojnë peshën e dëmshme të atyre që iu kanë bërë dhuratë suksesin e tyre. Meqë jemi këtu, unë jam gati të fal gjithçka, por nuk bëj kurrë dhurata në fushën profesionale. Është dëmi më i madh që mund t’i bësh tjetrit dhe vetes.

33. Si e analizoni sherrin e fundit në parlament mes deputetit Taulant Balla dhe kryeministrit Berisha si dhe ndërhyrjen e kryeparlamentares Jozefina Topalli?
Çaste sinqeriteti burrëror nga të dy palët. I përmbahem idesë së specialistit më të mirë europian sipas meje, mikut tim të ngushtë Alen Brossat, i cili thotë se demokracia është sistemi ku përplasjet e dhunshme fizike dhe me armë midis një populli, midis fraksioneve të ndryshme politike, zëvëndësohen nga lufta e fjalëve. Sa më e ashpër lufta e fjalëve aq më shumë impulse agresiviteti politik shuhen brenda liqenit të fjalës dhe e zbusin agresivitetin real. Fjalitë janë një valvulë shkarkimi. Unë kam qejf kur dy njerëz shahen me fjalë të forta. Po të isha në vendin e kryeparlamtares Jozefina Topalli, që është e suksesshme në punën e saj, duke drejtuar me dorë të fortë atë tufë burrash hiper maçistë në Kuvend, do të kisha bërë të njëjtën gjë. Jo për të ndëshkuar deputetin Balla, por thjesht për të mbyllur një sherr që transmetohej direkt në televizion. Gjetje e madhe që një grua të drejtojë një Kuved shqiptar që tradicionalisht ka qenë një kuvend burrash. Shteti i meshkujve mua më ka ardhur në majë të hundës. Është turp për ne burrat që e kemi shndërruar botën femërore në një minoritet gati pa të drejta politike.

34. Kë ke mik më të ngushtë?
Unë i dua njerëzit. Nuk bëj keq. Por, nuk mund të them se kë kam mik të ngushtë sepse unë mund të jem i sigurtë vetëm për miqësinë time ndaj tjetrit, por nuk jam i igurt për miqësinë e tjetrit ndaj meje. Në logjikë unë them se ndjenja ime e miqësisë për dikë është një realitet i sigurt, apodiktik, kurse ndjenja e tjetrit ndaj meje është vetëm e mundshme, pra probabël. Janë dy regjistra të ndryshëm arsyetimi. Tjetri ka lirinë të mos më dojë, kurse shtirja e tij bëhet për fajin tim sepse e detyroj të hiqet sikur më ka mik. Unë i u besoj miqve të mi plotësisht. Po thashë për njeri që e kam mik nuk e tradhëtoj më kurrë. Pavarësisht se mund t’a takoj rrallë. Nuk ka kohë dhe distancë në miqësi. Mikun e vetëm të ngushtë që mund të deklaroj (të tjerët nuk dëshëroj t’i them) është Qenan K., berber, të cilin e citoj fort te libri im i fundit “Rrota e Mundimit” dhe te rubrika ime e së shtunës te gazeta “Standard”.

35. Cili është huqi juaj më i keq ? Çfarë zakonesh të mira ke ?
Po t’a dija se do të ishte huq i keq do t’a kisha hequr si të tillë. Sikurse thoshte Platoni, njeriu nuk mund t’a quajë veten të keq sepse po t’a dinte këtë atëhere do të ishte një njeri i mirë sepse distancohet nga e keqja. I keq është njeriu nga padija, thoshte Platoni. Injoranti është i keq. Huqet e mia të këqija nuk i di unë, i dinë të tjerët. Unë për vete nuk kam asnjë huq të keq. Ka që thonë se jam kokëfort, ka që thonë se jam perfeksionist, ka që thonë se bëj jetë disi të mbyllur, ka disa që ankohen se nuk harxhoj shumë kohë në biseda të kota, ca më quajnë të rreptë, të tjerë që thonë se jetoj jashtë kohës dhe vendit dhe nuk e kuptoj botën shqiptare, e çfarë nuk thonë. I mirëkuptoj të gjithë, por mua vetja nuk më duket aspak i tillë. Po zakone të mira? Për rrjedhojë mua më duket vetja se kam vetëm zakone të mira. Prandaj jam i keq. Jam i keq se jam i mirë–kjo është filozofia e Makiavelit, këtij filozofi dhe njeriu politik të adhuruar të Rilindjes italiane.

36. Çfarë të bën për të qarë ? Çfarë të zemëron ? Çfarë të bën të buzëqeshësh?
Për të qarë më bën kur ndjej se fjalët që i kam thënë një audience, një auditori, një njeriu, janë besuar tërësisht prej tij dhe kështu kam ndikuar fort mbi të. Ne e kemi këtë fuqi nga profesioni. Kur shoh se procesi ka shkuar shumë larg dhe tjetri ose grupi e ka kthyer këtë mendim në shpirt të tij dhe m’a thotë një gjë të tillë, atëhere mund të më shpëtojnë pika loti. Lot sepse objektivi i bindjes është arritur, jemi në situatë perfekte komunikimi, lot sepse pyet veten : A kam të drejtë t’a bëj këtë? Ndjej se audienca ime është relativisht e madhe, dhe gjej rastin t’a falenderoj, dhe t’i lutem që të vazhdojë të më besojë deri në fund sepse nuk do t’a zhgënjej kurrë në planin e sinqeritetit. Kemi rrugë për të bërë për të arritur disa pika dijesh që do të na çlirojnë nga frikërat. Ky është misioni i dijes. T’i thotë njeriut : Mos ki frikë ! Nuk ka tjetër mision të madh dija. Të tjerat janë nënprodukte të heqjes së frikës. Më zëmëron ligësia e ndokujt ndaj të tjerëve. Kur kjo ligësi drejtohet ndaj meje – kjo më bën të buzëqesh. Unë zakonisht buzëqesh kur jam i mërzitur. Fytyra ime kurrë nuk tregon atë që ndjej brenda meje.

37. Sa orë gjumë bën natën? Çfarë bën kur të del gjumi dhe e ke të pamundur të flesh përsëri?
Unë fle si qengj dhe gjumin e kam aleatin më të mirë. Në fakt nuk fle sepse gjumi është një iluzion njerëzor, truri punon dhe në gjumë. Unë e kontrolloj gjumin tim. Jam mësuar me këtë. Para gjumit fus një problem në kokë, si një program në një makinë t’a zemë, dhe natën truri punon vetë. Të nesërmen zgjidhjet i kam gati. Pra, nuk më duket se fle, ndonëse bëj gjumë të qetë.

38. Cili është veprimi që bëni pothuaj përditë?
Lexoj letraturë të re të huaj në fushat që më interesojnë profesionalisht.

39. Cila është dita më e mirë e pushimit?
Nuk ka dallim midis punës dhe pushimit sepse puna që bëj më pëlqen dhe më duket si pushimi më i mirë. Po të mos punoj, pra të bëj pushim, në fakt privoj veten nga pushimi që është puna. Nejse, në kuptimin e përgjithshëm, më pëlqen që si ditë pushimi të konsideroj një ditë kur të tjerët shkojnë në punë, pra një ditë jave. Që kur kam qenë nxënës shkollë kam pasur dëshirë që ndonjëherë në orë të mësimt të shkoja në kinema. Më shijonte më shumë. Unë dua të bëj pushim kur më detyrojnë të punoj dhe punoj kur më thonë pusho !

40. A e ke ndjerë ndonjëherë se ta kanë hedhur?
Mua mund të m’a hedhësh shumë kollaj. Edhe nëse e kuptoj këtë, jap përshtypjen e jashtme se m’a kanë hedhur. Ka një nivel gjërash ku nuk mendoj fare se tjetri m’a ka hedhur ose jo, por ka një nivel tjetër ku nuk besoj se mund të m’a hedhë njeri. Dinakëritë e vogla janë shumë të përhapura dhe qesharake.

41. Nëse një student do të justifikohej për vonesën në mësim se nuk kishte ku të parkonte makinën si do të reagonit?
Një student nuk besoj se do të m’a bënte një gjë të tillë. Po të m’a bënte do t’i thosha se fraza juaj ndahet në dy fjali. Fjalia e parë tregon se keni makinë, kurse fjalia e dytë se jeni me vonesë. Për fjalinë e parë më vjen keq se sipas Erving Goffman, kur përmendni pa vend se keni makinë jeni duke menaxhuar fasadën tuaj të jashtme, pra duke kompensuar me të pasurit e makinës mungesën e personalitetit të mjaftueshëm. Fjalia e parë pra më tregon se kam të bëj me një student me probleme të kompleksit të inferioritetit, që më duhet t’a kuroj. Desha të them se sipas një statistike që kam kështu intuitivisht rreth 80 për qind e fjalive janë të prirura të shërbejnë për rregullim fasade, pra për t’u paraqitur më i mirë se je. Kam dhimbje kur kjo lloj gjuhe më rrethon dhe i largohem asaj. Është një formë çmendurie. Fjalia e dytë do të më bënte t’i thoja se : nuk jeni i detyruar nga unë që të jeni qysh në fillim të leksionit tim. Mund të largohesh dhe të rikthehesh kur të duash.

42. Kë ke dëmtuar gjatë rrugës tënde?
Nuk e di, po t’a dija nuk do t’a kisha dëmtuar. Njeriu dëmton nga padija. Këtë e dinë ata që i kam dëmtuar. Me siguri kam dëmtuar. Por, nuk e di. Ka që të thonë se më ke dëmtuar edhe për vetë faktin që merr frymë.

43. Kur ke puthur për herë të parë? Kë dhe si ndodhi?
Çfarë kam bërë? Çfarë?

44. Me kë je dashuruar për herë të parë? Sa zgjati kjo dashuri?
Dashuria e parë vazhdon gjithëmonë. Emrin nuk jam i autorizuar t’a jap.

45. Kë personazh të njohur shqiptar apo të huaj do të ftoje në një mbrëmje?
Nuk do t’a ftoja për shkak të statusit, por për tipin njerëzor që përfaqëson. Por, kam frikë se nuk do të guxoja të ftoja njeri sepse do të kisha frikë se do t’a mërzisja me heshtjen time. Sidomos kur ha nuk bëj dot biseda serioze, më pëlqejnë në ato çaste vetëm thashethemet pa pikë vlere, shaka, fjalë absurde pa pikë lidhje, barcaleta. Darka më shkon pas shpine nëse gjatë saj jam i detyruar të bëjë biseda serioze.

46. Cila është shprehja stereotipe që të pëlqen më shumë?
Ka disa që përdor ngjatë ditës, përshembull: “Çfarë idioti ?” Por, nuk e kam me të keq. Nuk është sharje, të kuptohemi. Shpesh është edhe lavdërim. Unë nuk jam racionalist i tipit klasik dhe nuk e mbivlerësoj arsyen. Nuk jam as irracionalist.

47. Cili është kënga, libri, filmi, këngëtari, artisti yt më i preferuar ?
Janë shumë. Veçoj disa : Kënga “Le rendez – vous” e Natacha Saint - Pierre, këngëtare kanadeze që e vlerësoj shumë, libri “Lumi i Vdekur” i Jakov Xoxës, filmi francez “Le vieux fusil”, këngëtari frankofon Pierre Bachelet, piktori belg René Magritte, etj.

48. Cila është ajo gjë që nuk mund ta bëje kurrë?
Të tradhëtoja Atdheun tim, t’i bëja dëm familjes sime, dhe të haja mish shqiponje. Të tjerat, ndonëse mund të më duken të përjashtuara nuk jam i sigurt se nuk do t’i bëja.

49. Ku do të jetoje po të ishte plotësisht i lirë për të zgjedhur?
Po unë jam fare i lirë për të jetuar ku të dua, dhe dihet zgjedhja që kam bërë. Endërra ime është të kisha mundësi të jetoja buzë Adriatikut në një vend me pisha, mundësisht. Adriatiku është deti më i hukur i botës për mua.

50. Cili është personazhi yt më i dashur në filmat vizatimorë?
Ora ime në këtë fushë ka ngelur te Pink Panther, Tomy dhe Xhery. Më falni për shijen time prapa botës.
(a.s/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›