E Diel, 1 Nëntor 2026

Erion Brace: “Duhet të bëjmë një opozitë ‘rock’, jo ‘rap’ pa ngjyrë”

Nga Darina Tanushi
 

TIRANE- Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe komenton në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se pas kritikave të tij për mënyrën e të bërit opozitë nga PS-ja, ka dëgjuar “dembelë fjalëplotë të thonë se këtu bëhet fjalë për ne, se po kërkojmë opozitën me molotov të Sali Berishës”. Ai sqaron se nuk kërkon që Edi Rama të bëjë opozitë si Sali Berisha, por një opozitë “rock”.
A keni parë ndonjë ndryshim apo reflektim në opozitën që po bën PS-ja përtej kritikave tuaja?
Do të doja të thosha që do të ishte luks, madje e tepërt për të mos thënë gabim, që një forcë politike të reagojë thjesht dhe vetëm në respekt të kritikave të një individi, qoftë ky edhe drejtues i saj. Partia më e madhe në vend duhet të jetojë me shqetësimin e njerëzve, grupimeve politike, sociale që përfaqëson, duhet të jetojë me popullin e saj. Unë e plot të tjerë më shumë se unë dhe më të rëndësishëm sesa unë, madje edhe ata që në këtë parti vetëm tundin kokën e hollojnë qafën ndaj kujtdo, duke përfshirë edhe ata që tjetër ndiejnë, mendojnë e tjetër shkruajnë, kemi sjellë në kohë brenda PS-së ritmin, përjetimin, revoltën, vuajtjen, pasionin, kërkesën e popullit të opozitës. Pra jo një “vuajtje personale” mbi dilemën, “ku do të jem unë nesër, miqtë e mi, klani im?” apo atë tjetrën, më të ulëtën, “ç’do bëhet me mua nesër, sepse unë nuk di të bëj punë tjetër veç deputetit!” Ashtu si plot të tjerë në opozitë që shqetësimi u kalon përtej këtij banaliteti. Ne kemi një projekt, në krye të tij është Edi Rama, secili prej nesh bën detyrën e tij në ekip dhe synimi i këtij projekti është ndryshimi në këtë vend. Duke dhënë zgjidhje, jo thjeshtë përmes largimit të Sali Berishës nga keqdrejtimi i vendit në krye të një fisi plaçkitës, po përmes përmbushjes së interesave të sa më shumë shqiptarëve që kërkojnë një jetë tjetër. Me drita dhe me ujë, me punë dhe jo në të zezë, me strehë dhe jo informalë apo të marrë peng për interesa informale elektorale, apo pasurore të Shabanit, me shkollë për të përballur jetën e jo për të ngelur që të pasurohet ministri, në spitale për të jetuar e jo për të ofruar jetën, më keq vdekjen, si mundësi biznesi për ministrinë tjetër. Ky është pulsi i çdo shqiptari sot, e për të ndjerë atë nuk mjafton të kapësh tëndin, në dorën tënde që shpejtohet nga dilema e mbijetesës politike apo turpit për ç’do jetosh nesër. Për të ndryshuar duhet ndryshuar Sali Berisha. Ai është konkurrenti sa qesharak aq i korruptuar, sa demagog aq gënjeshtar, sa i paaftë aq i dëmshëm, sa komunist aq i dhunshëm ndaj çdo qenieje të lirë, madje edhe ndaj detit, sa plaçkitës aq edhe kryeministër. Ky është kundërshtari ynë që nuk përfaqëson veten, por interesat e trupit më të errët të biznesit që ka pasur ndonjëherë pushtet në këtë vend. Në dëm të interesave të 4 milionë shqiptarëve, ky duhet mundur! Dhe ai mundet përditë.
Pas komunikimit të fundit që patëm me ju, unë objeksionet e mia i paraqita në kryesinë e PS-së. Hapur dhe me ndershmëri, në shërbim të popullit të opozitës, jo në shërbimin tim. Për habi, jashtë kryesisë ndesha tjetër gjë. Më shumë pandershmëri. Kam lexuar me vëmendjen e pamerituar për 8 ditë rresht dembelë fjalëplotë, të thonë se këtu bëhet fjalë për ne se po kërkojmë opozitën me molotov të Sali Berishës, të thonë se ne qenkemi ca lepuj që pimë birra, bëjmë plazh e presim të shqyejmë luanin, të thonë se populli nuk do më opozitë të fortë ose ndërkombëtarët janë të kënaqur me “pambukun tonë”, të thonë se banorët e Baldushkut apo edhe të Kasharit nuk kërkojnë opozitë të fortë, por nuk po kuptojnë opozitën tonë, të thonë se kritikat janë punë e ca deputetëve me votat e shitura që bëjnë zevzekun apo kanë bërë zevzekun me çdo kryeministër e kryetar socialist dhe se këtë po e bëjnë edhe me Ramën. Thjeshtë, të gjithë këta që kam lexuar janë pa moral. Dua t’u kthej një përgjigje. Askush nga ne nuk ka kërkuar që këta të bëjnë Sali Berishën. Me një fjalë, të vrasin Musa Ulqinin, (të kërkoj shumë ndjesë për herë të dytë Musa), ta mbyllin në qivur e me të, të godasin të nesërmen portën e Sali Berishës e më pas të bëjnë Pandin Kryeministër (të kërkoj ndjesë për së dyti Pandeli edhe ty). Kjo nuk është në moralin tonë. Kjo është pjesë e cilësdo mendjeje çnjerëzore që, për simbol njeh vetëm Sali Berishën. Nëse ne kërkojmë opozitë, kjo nuk do të thotë që ne e bëjmë këtë për forcë zakoni, të atij zakoni të ndyrë dhe të përhapur brenda PS-së, i njohur gjerësisht në popullin socialist, si “kampionati i baltës”, ku njëri apo shumë prej nesh qëllojnë mbi tjetrin. Ne kërkojmë që kjo opozitë, të bëhet shprehëse e interesave të shoqërisë shqiptare. Të bëjë të sajat interesat e shtresave sociale, të cilat janë në betejë të përditshme me Sali Berishën, sepse Sali Berisha po e kthen të përditshmen e tyre në luftë me mbijetesën. Më shumë se sa interesa partiake këto janë interesat e njerëzve dhe më shumë sesa tek një forcë e majtë, këto interesa nuk mund të gjejnë mbështetje tjetërkund. Ky nuk është sindikalizëm. Që të çosh të ndenjurën nga karrigia e privilegjit politik e të bashkohesh me këta njerëz, është detyrë. Kjo do të thotë të marrësh përgjegjësi. Pra ne kërkojmë opozitë tjetër, për të qenë ne gjeneratori i zgjimit kombëtar të shqiptarëve për politikën, për politikën si e mirë publike me detyrën e madhe të zbutjes së rolit dhunues të shtetit përkundrejt qytetarit, të drejtave të tij, lirive të tij kushtetuese, për punë, për të ardhura, të të drejtave të tij pronësore të dhunuara nga shteti i korruptuar e të drejtave të tij vendimmarrëse, të shpërfillura nga kapja e procesit ligjvënës nga krimi dhe bizneset kriminale dhe klienteliste të Sali Berishës. Por shumë më tepër se sa kaq, bën të identifikohemi në sytë e shqiptarëve të ndryshëm nga Sali Berisha në opozitë, të ndryshëm nga Sali Berisha në pushtet, të identifikohemi tani si zgjidhje për shqiptarët, të identifikohemi me fundin e tranzicionit dhe të ardhmen evropiane, të tregojmë qartë që ne nuk duam të mbajmë pushtetin me Sali Berishën, apo më keq me interesat kriminale që kanë kapur pushtetin dhe politikën. Ne duam t’i marrim pushtetin Sali Berishës për t’i dhënë fund dhunimit dhe rrënimit të shqiptarëve. Shqiptarët duhet të kuptojnë që ne jemi ndryshe nga Sali Berisha, por edhe nga ç’kemi qenë apo ç’kemi përfaqësuar keq kur ishim në pushtet. Shqiptarët duhet të dinë që ne do drejtojmë Shqipërinë me nder-ndershmëri, punë-përkushtim, produkt-cilësi, mirëqenie-të ardhura-luftë kundër krimit e korrupsionit. Nisur nga gjithë sa thashë, ky vit në opozitë, i fundit për çdo shqiptar të ndershëm, duhet të jetë ndryshe. Ne duhet të vijojmë ndryshimin, të besojmë tek ndryshimi. Me atë që të ndryshojmë jetën e çdo shqiptari. Ne duhet të tregojmë forcë dhe vendosmëri. Ne duhet të largojmë tani dhe çdo ditë Sali Berishën si mënyrë qeverisjeje. Dita e zgjedhjeve është formaliteti kushtetues. E gjithë kjo mund të duket si ritmi “alternativ rock”, por unë kërkoj një opozitë “rock” dhe e quaj të papranueshme që opozita në këto kushte të rimojë “Rrep” pa ngjyrë.
Ç’duhet të bëjë ndryshe opozita nga 1 shtatori?
Ky sesion i ri politik dhe parlamentar duhet të përdoret që nga 1 shtatori, nga opozita për: garantimin e qënies në një sallë kushtetuese në Kuvend me rolin thelbësor të kontrollit të qeverisjes, të mbrojtjes së institucioneve kushtetuese dhe të pavarura, atë të çuarjes përpara të reformave integruese të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave politike dhe ekonomike të çdo shqiptari, të garantojë qënien e saj jetike në popull, për t’u bërë shprehëse e interesave të tij, të garantojë ndryshimin e saj në popull me program zgjidhje dhe ekip të përkushtuar, të garantojë vullnetin e popullit në zgjedhje, përmes parimit kushtetues e të përbotshëm “një njeri-një votë”.
A është e mundur që PS të bojkotojë zgjedhjet, nëse nuk miratohet Kodi Zgjedhor brenda shtatorit?
PS nuk mund të bojkotojë asnjë proces. Nuk i lejohet! PS duhet të luftojë! Kodi nuk është mundësi. Kodi është jetik. Për regjimin që zgjodhëm; pa dëshirën e Sali Berishës në ’90-ën, demokracinë, për të duhet bërë gjithçka. Çdo veprim i imi nga 1 shtatori duhet kondicionuar me Kodin. Sali Berisha nuk e jep Kodin, sepse ai urren lirinë, zgjedhjet e lira, sepse një kod i keq i duhet për të grabitur zgjedhjet si garancia për regjimin e tij “shfrytëzues” - jo në kuptimin, me të cilin ai mburrte diktaturën e luftonte kapitalizmin, por në kuptimin e veprimit të një njeriu që shfrytëzon pasuritë publike për një fis, grup, klan politik. Pra, Kodi duhet marrë tani, në shtator. Pa Kodin nuk ka gjë tjetër. Saliu, edhe Kryeministri, edhe ai i gosipit rozë, ku po shfaqet së fundi, e di tashmë këtë.
Pas zgjedhjeve në Kashar, ku LSI doli e dyta, a do ta konsiderojë PS mundësinë për koalicion me të?
Nuk jemi ne që kemi larguar LSI-në nga koalicioni. Ka qenë LSI që bashkë me liderët e “rrotës e ferrotës” dhe atë tjetrin e “krehrit dhe pasqyrës”, kanë bërë zgjedhjen e tyre larg nesh. Ne jemi konstantë. Ne punojmë të realizojmë koalicionin më të madh që përfshin çdo shqiptar që do të ndryshojë jetën e tij në vendin e tij. Në të ka vend për të gjithë. Edhe për LSI-në me identitetin e saj, me kontributin e saj dhe pozicionin e saj. Por, të qartë ama, të përbashkët me interesat e shqiptarëve. Jo të ofiqarëve. Një koalicion i mundshëm i yni duhet të bëjë diferencën me këtë të Berishës, ku për interesa të përfitimeve të ofiqarëve mund të vrasësh e ku më pas për t’u mbrojtur nga drejtësia, pasi ke vrarë, i lan duart tek çezma e qeverisë. Ne kemi projektin -të tjerët s’e kanë, ne kemi programin si zgjidhje, të tjerët s’e kanë, ne kemi ekipin- të tjerët s’e kanë, por të gjitha këto janë ndërtuar duke pasur parasysh një parim; nuk janë gjithçka! Ne kemi nevojë për çdo mendje, çdo kontribut, çdo zgjidhje, çdo individ, personalitet apo grupim politik që i mbart. Pra, ne jemi të hapur edhe apelojmë për bashkim.
Sa dëmtohet PS dhe opozita në fitoren e zgjedhjeve nga fragmentarizimi aktual?
Në këtë gjendje ku ndodhen shqiptarët, duke ndjerë nevojën ulëritëse për ndryshim, për t’u ndarë nga regjimi plaçkitës - për shkak të tij edhe vrasës të Sali Berishës, unë nuk shoh asnjë element që dëmton fitoren e zgjedhjeve. Asnjë! Ne po i fitojmë zgjedhjet çdo ditë dhe çdo ditë gjithnjë e më shumë shqiptarët po bashkohen me ne. Ne duhet të fitojmë për ta, jo për vete! Nëse ndryshon kahja, jemi të humbur. Madje më shumë jemi të mbaruar. Këtë duhet ta kuptojë LSI dhe cilido udhëheqës në të. Tani le të vijmë tek ajo që po ndodh. Për mua, si një nga të majtët e popullit të opozitës, kjo është e papranueshme. Ngjan me “vallen e thikave” që nuk kërcehet nga anët tona, por që e shoh habitshëm të kërcehet mbi një tapet luksi, kurrizin e popullit të opozitës. Kjo është valle turpi! Nëse ne nuk mbrojmë kurrizin, nuk e bëjmë se nuk dimë të luftojmë, por sepse kemi besim te miku, aleati, i njëjti me ne! Ju them që ne nuk do ta kërcejmë këtë valle të ndyrë. Ne kemi detyrë me qëllim tjetër: të ndryshojmë jetën e çdo shqiptari. Por, i kërkojmë LSI-së të bëjë ndryshe. Po i referohem këtij sesioni; nëse në 7 muaj u konsumuan 225 orë debat, ne si PS- të monitoruar nga të tjerë, kemi marrë mbi 110 orë dhe të gjitha i kemi përdorur për opozitë politike konkrete e të ashpër ndaj qeverisë së Sali Berishës, duke e vënë atë përballë interesave jetike të shqiptarëve, premtimeve të tij të pambajtura, akteve plaçkitëse të përditshme. Të tjerë opozitarë mezi kanë kapur disa orë opozitarizëm në Kuvend, përfshirë edhe LSI-në, që i shfrytëzoi më së shumti për opozitë me PS-në. Kjo nuk është normale, por e turpshme. Për të plotësuar këtë, turpi u bë i përditshëm në gazeta, ku një njeri pa asnjë gjurmë në ditë-punët e tij të mëparshme pështyn punën tonë e të përditshme, të Edi Ramës në Tiranë. Një tjetër, pa pikë identiteti politik në popullin e majtë, bën superpalën e Sali Berishës kur zhvesh të gjithë ndryshimin e Tiranës nga puna e Edi Ramës dhe e tiranasve që e mbështetën ta bëjë atë, i fundit me togë fjalësh që kanë marrë erë nga zhuli i komunizmit e plehu i korrupsionit pas komunizmit kërcënon me burg ndryshimin njësoj si Sali Berisha. Të gjithë pa interes politik! Por të gjithë për interesin e biznesit të “Dajës”. Unë mendoj që koha për ta po kalon kështu. Ajo nuk kthehet më, mbi të gjitha pas. Jo ne, por shqiptarët tani duhet të dinë ku do të jetë LSI. Ç’do të bëjë LSI, do t’i përdorë votat e saj për Sali Berishën? Për të ndarë të majtën e për të penalizuar për së dyti popullin e saj? Meqë thotë se do jetë forcë e parë, mos vallë do të qeverisë me Sali Berishën nesër? Këto ditë po bëhen të zëshme dy pohime: I pari – risjell frikshëm skemën; “e vetmja mundësi për të hequr Nanon është t’i humbë zgjedhjet”, parë në 3 korrik; I dyti “vjen nga ambienti i Sali Berishës- “po hedhim miliona që LSI të mos bashkohet me PS-në”! Edhe këto zëra duan një përgjigje. Unë besoj tek njerëzit që janë në LSI, por do të jetë zhgënjim i madh jo për mua, jo për PS-në, jo për popullin e opozitës, por për çdo shqiptar të ndershëm, që LSI të shikohet nga Sali Berisha si vegla e tij elektorale. E tha një herë këtë në Kuvend para disa javësh, do të jetë fatale të pohohet dhe provohet sërish.
Si mendoni se shkoi ky sesion parlamentar që u mbyll, nisur edhe nga analiza që bëri në fund kryetarja e Kuvendit?
Analiza ishte “topalle” e Jozefinës. Analizë banale dhe provokative. Duhet të ishte ndryshe, serioze, e ndershme dhe në shërbim të punës së Kuvendit, i cili vlerësohet keq e më keq nga BE dhe zi e më zi nga shqiptarët. Sesioni që u mbyll do të mbahet mend si më i poshtri, më i dhunshmi, më i turpshmi, më jo produktivi, më i korruptuari nën hijen e kapjes së procesit ligjbërës prej interesave të krimit, bizneseve klienteliste të Sali Berishës. Jozefina në të pati vetëm një mision; të zhbënte opozitën nga roli i saj i kontrollit të qeverisjes. Ky parlament zhele duhet shembur. Shqiptarët meritojnë një shtëpi lirie që punon për ta, jo për një shtëpi korrupsioni që i vjedh e dhunon me produktin e tij të njëanshëm.
Në një analizë të paradisaditëve në BBC, thuhej që Shqipëria nuk mund të hyjë në BE para 2015-ës, për shkak të ecjes ngadalë në luftën kundër korrupsionit, shqetësim ky i paraqitur nga BE. Ndërkohë që kryeministri Berisha jep një pasqyrë ndryshe të kësaj lufte, cili është mendimi juaj?
Shqetësimi i BE-së për korrupsionin ngrihet mbi pyetjet drejtuar qytetarëve shqiptarë dhe shumica dërrmuese e tyre pohojnë që kanë një qeveri të korruptuar. Ngjarjet e ndodhura, veçanërisht krimi shtetëror i Gërdecit, bëri më të qartë për ndërkombëtarët përmasën e kapjes së qeverisë së Sali Berishës nga krimi dhe bizneset kriminale. Kjo po rrënon shqiptarët dhe Shqipërinë, por kjo po tremb edhe BE-në. Pikërisht korrupsioni, i denoncuar jo vetëm nga ne si opozitë, por nga çdo shqiptar që i bie rasti qoftë edhe njëherë të ketë marrëdhënie direkte me të. Kjo po shtyn Berishën në luftë me të gjitha institucionet që ndëshkojnë korrupsionin. Kjo është e frikshme. Kjo largon të ardhmen. Kjo dërgon edhe më larg Evropën dhe kjo kthen pas Shqipërinë në regjimin komunist, ku Berisha shërbeu për shërim. Berisha sot po sillet si keqbërës, tamam si ai mafiozi që e fiton paranë në mënyrë të paligjshme edhe duke shfrytëzuar fëmijët apo vrarë gra shtatzëna. Mendon si të blejë policin, si të blejë prokurorin, si të blejë gjykatësin, madje si të blejë Gjykatën e Lartë. Avokati është nevoja e tij e fundit. Kjo po ndodh. Të gjitha sulmet mbi drejtësinë, mbi prokurorinë, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, tundimi i fortë për t’i goditur këto institucione, dhunuar dhe kapur, burojnë nga korrupsioni. Ky shtet, shteti i Sali Berishës nuk ka lidhje me BE-në, por me një aliazh republikash korruptive të Afrikës, ku të parët e shtetit plaçkitin shtetasit për interesat e tyre personale.
Si e gjykoni kërkesën e qeverisë shqiptare për largimin e OSBE-së apo kufizimin e mandatit një vit para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare?
Kam ndjekur me shqetësim të madh reagimet e diplomatëve të huaj në Tiranë, lidhur me 5 çështje kyç që nisin me stopimin e reformave, vullnetin e qeverisë për të deformuar dhe kapur politikisht institucionet kushtetuese dhe përfundoi me kërkesën për largimin e monitorëve të huaj nga Shqipëria. Ajo që po ndodh, natyrisht që kishte nevojë për këtë alarm, i cili është real, reagimi i kryeministrit e bën situatën edhe më të rëndë. Ditën e parë heshtin si burracakë, ditën e dytë tha se nuk kishte kërkuar largimin e OSBE-së nga Shqipëria dhe ditën e tretë nxori Lulin që qesh, të thotë që “do i heqim njërin sy” monitoruesve të OSBE-së. Ditën e katërt shkoi në Vorë- kurrë më në Gërdec, për të thënë që nuk po pengon hetimet, por veten e djalin e tij nuk ia jep drejtësisë dhe ditën e fundit, në formë sfide njësoj si Don Kishoti zgjodhi t’u thotë ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve, që “unë nuk çaj kryt për ju”, kur u shfaq duke dhunuar detin familjarisht në Dhërmi. Më lejoni të ndalem vetëm për një koment; tamam në kulm të kësaj pirade mburrjesh që janë ndërmarrë në vende të zgjedhura të Shqipërisë në vuajtje e në mjerim, një djalë 9 vjeç, Aster Meçka, nga Lapardhaja, humbte jetën, i dehidratuar nga vapa e tmerrshme dhe mungesa e çdo kushti jetësor dhe mjekësor, të mohuar nga qeveria e Sali Berishës. Kaq mjafton për të thënë se sa i pavërtetë është Sali Berisha dhe se sa nevojë ka Shqipëria për asistencë të përditshme nga miq apo organizata të përbotshme. Nevoja për OSBE-në nuk lidhet thjesht për zgjedhjet. Ajo lidhet me nevojën e madhe që ne kemi për të ndërtuar një shtet të legjitimuar nga zgjedhje të lira e të ndershme, për të ndërtuar institucione të forta e jo të korruptuara. Prandaj, OSBE dhe çdo organizatë tjetër që ndihmon Shqipërinë duhet të mbetet këtu, me të dy sytë.

(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›