Qerimaj: Siguria? Këtu jemi si në shtetrrethim
PEKIN- Do të garojë në kategorinë B dhe kjo e ka mërzitur pak, megjithatë Erkand Qerimaj është në formë. Temperaturat e larta dhe lagështia në kryeqytetin kinez tashmë nuk i bëjnë më përshtypje, teksa stërvitet rregullisht, bashkë me atletët e tjerë. “Këtu edhe ngrënia është bashkë, është si një mision i Olimpiadës që të bashkojë njerëzit”, rrëfen ai nga Pekini për “Gazetën Shqiptare”. Lajmet për Olimpiadën lidhen në shumicën e rasteve me sigurinë e saj, megjithatë Qerimaj rrëfen nga brenda atë që ndodh në fshatin olimpik dhe mënyrën sesi autoritetet kineze sigurojnë gjithçka.
Erkand, një ditë nga nisja e Olimpiadës. Na i përshkruaj pak emocionet e një 20 vjeçari?
Të them të drejtën emocionet janë të shumta. Është vërtetë evenimenti më i madh sportiv, që ndodh njëherë në 4 vjet. Sot ishim në një drekë me kryeministrin Berisha dhe ministrin Pango në Ambasadë. Gjithçka shkoi mirë dhe tani presim startin.
Gjithnjë keni kërkuar mbështetje nga politika, duket sikur e keni marrë disi aty apo jo?
Duket mirë, premtime janë bërë shumë, por të shohim. Veçse, nuk dua që të flas sërish për këto gjëra, sepse jemi bërë të bezdisur. Ngaqë kemi folur kaq shumë edhe na duket sikur fjalët bien në vesh të shurdhët.
Ok, të kalojmë te diçka tjetër. Ju shqetëson vapa, lagështia dhe ndotja në Pekin?
Ndotje nuk mund të them, por është një vapë dhe lagështi e jashëzakonshme. Për ne që vijmë nga Shqipëria nuk është e lehtë në kushte të tilla, por tashmë jemi ambientuar. Në fillim ishte një tmerr i vërtetë.
Ndikojnë në stërvitje këto fenomene jashtë sportit?
Nuk mund ta them me siguri, pasi stërvitemi në salla të mbyllura dhe me ajër të kondicionuar.
Në fshatin olimpik ekziston gjithnjë mundësia e marrjes së substancave të ndaluara. Sa ruheni nga kjo gjë? Flas në momentin e ngrënies së ushqimit apo raste të tilla...?
Të them të drejtën, nëse dikush dëshiron ta bëjë këtë, e ka mundësinë. Megjithëse, çdo gjë duket perfekte. Ne hamë të gjithë bashkë, stërvitemi të gjithë bashkë. Ushqimet çdo njeri i zgjedh vetë dhe shumica e tyre janë të pahapura. Pastaj ka dhe një gjë tjetër, nëse nuk ruhesh, sigurisht që mund ta pësosh.
Në fakt, Luan Shabani pretendoi pikërisht se dikush i kishte hedhur diçka në ushqim në Olimpiadën e Athinës...?
Në rregull, por për këtë duhet gjithnjë një person i brendshëm. Ushqimet ne na duken të sigurta, ndërsa lëngjet e frutave ku hidhen shpesh substanca të tilla, janë gjithashtu të mbyllura dhe të sigurta.
Jashtë sportit, këto ditë po flitet shumë për sigurinë. Sa të sigurtë jeni në fshatin olimpik? Ka shumë policë e roje?
Mund të them se siguria është vërtetë në kufijtë maksimalë. Në çdo hyrje të fshatit janë të vendosur forca ushtarake, që vëzhgojnë çdo gjë. Edhe tek shtëpia ku rrimë ne ka një polic që qëndron gjithë kohës te dera dhe kujdeset për çdo problem që kemi. Nëse dikush do të kërkojë të bëjë diçka në fshatin olimpik, mendoj se do ta ketë shumë të vështirë.
Keni një javë aty, si janë raportet me sportistët nga vende të tjera?
Raporte normale. E thashë që ne shkojmë të stërvitemi bashkë apo të hamë bashkë. Ky është një nga misionet e Olimpiadës, që jetë një tip bashkimi mes popujve.
Diçka e fundit, keni kaluar në kategorinë B të peshëngritjes dhe mesa morëm vesh jeni mërzitur pak. Si është e vërteta e kësaj?
Shiko, jo se u mërzita, por për një person përfundova në kategorinë B. Do garoja me më të mirët nëse do isha në A, kjo është ideja. Megjithatë, nuk përbën problem, sepse edhe këtu do të jap maksimumin tim.
(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)