Xhufi: Kalemxhinjtë e PS nuk e duan aleancën me ne
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi i është përgjigjur dje nënkryetarit të grupit socialist, Erion Braçe në lidhje me bashkëpunimin PS-LSI. Xhufi shprehet pozitivisht për një mundësi bashkëpunimi, por thotë se nuk ekziston vullneti nga ana e socialistëve. “Tek zgjedhjet dhe tek reforma zgjedhore duhen kërkuar edhe motivet e bashkëpunimit, e sigurisht jo në plan-idetë për ‘urbanizim-pallatizimin’ e Liqenit Artificial”, - thotë Xhufi.
Zoti Xhufi, çfarë hapësirash ekzistojnë për t’i rivendosur marrëdhëniet e bashkëpunimit me PS-në, para fushatës zgjedhore të vitit 2009?
Ka një hapësirë reale për të bashkëpunuar me PS-në para zgjedhjeve të vitit 2009, dhe kjo ka të bëjë para së gjithash me zgjedhjet. Vërtet, në përgatitjen e zgjedhjeve në fjalë shokët tanë të PS-së injoruan aleatët, mes tyre edhe LSI-në, dhe zgjodhën një bashkëbisedues ekskluziv, z. Berisha. Me të (fatkeqësisht edhe për të), realizuan jashtë institucionit të parlamentit ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe shpërfytyruan Kushtetutën, duke krijuar premisa të frikshme për konsolidimin e pushtetit personal të Sali Berishës. Tani ka mbetur të “gatuhet” edhe Kodi i ri elektoral, në mënyrë që të thuhet shprehja e famshme “komedia mbaroi”. Nga disa deklarata zëdhënësish “kokoroshë” të PS-së, në muajt prill-qershor paralajmërohej se edhe kjo ndërmarrje do të përfundohej “me goditje të përqendruar” nga dyshja PS-PD. Ne gjykuam që përvoja e kohëve të fundit e ujdive PS-PD ishte e mjaftueshme për të paralajmëruar një tjetër mënxyrë në dëm të demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të së majtës, në veçanti. Ndaj iu drejtuam zyrtarisht drejtuesve të PS-së me kërkesën për të diskutuar çështjet që lidhen me reformën zgjedhore, e posaçërisht me hartimin e kodit të ri zgjedhor. Kryesia e LSI-së më mandatoi mua me detyrën e përfaqësimit, në bisedimet në fjalë. Deri më sot nuk kemi një përgjigje nga kolegët e PS-së, dhe megjithëse në takimet shoqërore që kam me znj. Leskaj, kam nxitur për realizimin e këtij takimi, askush në kryesinë e PS-së nuk ka marrë mandat për të diskutuar me përfaqësuesit e LSI-së për këtë problem kaq emergjent e vendimtar për integritetin e zgjedhjeve që po vijnë. Zgjedhjet janë e duhet të jenë shqetësimi ynë i përbashkët, tek zgjedhjet dhe tek reforma zgjedhore duhen kërkuar edhe motivet e bashkëpunimit, e sigurisht jo në plan-idetë për “urbanizim-pallatizimin” e Liqenit Artificial.
Nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së është thënë se nuk ka qenë PS-ja që e ka larguar LSI-në nga koalicioni, por ju keni bërë koalicion me të tjerë. A ka nga ana e LSI-së vullnet për të ulur tonet, që kanë shkuar deri edhe në akuza mes palëve?
Nuk më duket pohim i saktë. Kolegu në fjalë e di mirë se menjëherë pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007, lidershipi i PS-së injoroi bashkëpunimin me LSI-në e partitë e tjera të koalicionit të majtë, duke shkelur edhe dokumentin bazë që obligonte konsultimin e vendimmarrjen e përbashkët për çështjet kardinale, duke filluar nga ajo e zgjedhjeve. Lidershipi i PS-së nuk e thirri asnjëherë tryezën e kryetarëve të partive aleate, as për të zbatuar klauzolat përkatëse të marrëveshjes për zgjedhjet vendore, as për çështjen e zgjedhjes së Presidentit, as për problemin e reformës në drejtësi apo të reformës zgjedhore, as për koordinimin e politikave të opozitës ndaj revanshit politik të maxhorancës. Përkundrazi, u zgjodh partnershipi me PD-në, një partnership hileqar e qëllimkeq, që ushqehej nga e njëjta ambicie e ndarë më dysh: krijimi i një sistemi politik bipartiak, apo akoma më shumë, krijimi i një duumvirati Berisha-Rama, që sigurisht do të ishte i tillë vetëm me dëshirën e mirë të z. Berisha, i cili përndryshe njihet si ithtar i pushtetit unik, një e të pandarë. Një partnership i sëmurë dhe i paprinciptë, i cili pikërisht se ishte i sëmurë dhe i paprinciptë, i rezistoi edhe mënxyrës së Gërdecit. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së nuk e ka drejt edhe kur e sheh të keqen tek LSI-ja, tek gjoja “agresioni” i saj ndaj PS-së. Dua të them se problemet, për të cilat ne kemi ngritur zërin kohët e fundit dhe që dikush kërkon t’i stigmatizojë si “sulme” ndaj PS-së, janë probleme që shihen në mënyrë të ngjashme nga vetë anëtarë të shumtë të PS-së e nga drejtues jo të paktë të saj, në qendër e në bazë. Këta, përfshirë edhe kolegun në fjalë, e kanë shprehur fare qartë, për shembull, shqetësimin e ndonjëherë edhe pakënaqësinë, për mënyrën e të bërit opozitë, për ndryshimet kushtetuese, për lidhje të fshehta trasversale, prapa së cilave fshihen interesa dhe afera të dyshimta, për orientimet e reja ideologjike e programore, që jo pak shqetësim e konfuzion kanë shkaktuar tek populli socialist. Megjithatë, i përgjigjem gjithnjë pozitivisht pyetjes suaj: po, ne jemi gjithnjë të gatshëm të bashkëpunojmë me PS-në. Por duke marrë parasysh realitetet që përshkova më lart, që për fat të keq nuk janë inkurajuese, mënyra më e mirë për të vendosur ura bashkëpunimi është qasja ndaj problemeve konkrete, siç është ai i hartimit të kodit zgjedhor: një problem konkret, i prekshëm, me rëndësi dramatike për integritetin e zgjedhjeve dhe për vetë fitoren e së majtës. Përballë këtij problemi dhe problemeve të tjera kardinale, matet gatishmëria dhe sinqeriteti në kërkesën për bashkëpunim.
A e mendoni edhe ju se përpara zgjedhjeve duhet të ketë një bashkim të së majtës, për të rrëzuar Berishën dhe të djathtën nga pushteti, pasi në rast të kundërt nuk ka fitore majtas?
Unë mendoj se kur “kalemxhinjtë” e PS-së, dështakë të përjetshëm, kërkuan e gjetën me qiri sistemin proporcional “spanjoll”, u nisën nga qëllimi i lig që të “koagulonin” rreth PS-së ose të shkrinin brenda saj, partitë e tjera të koalicionit të majtë. Nëse ky qëllim arrihej, aq më mirë për PS-në, d.m.th. për ata vetë. Përndryshe, modeli spanjoll formalisht mundëson garën individuale, në të cilën, sipas tyre, të vegjlit e pabindur gjithsesi do të “thyenin” kokën. Nëse ndonjëri do t’i mbijetonte “marifeteve” të tyre, ai do të ishte i detyruar të bashkëpunonte me mama-qyqen pas zgjedhjeve…Pra, neve na janë imponuar disa rregulla loje, të gatuara sigurisht për të keqen tonë, dhe është keq kur këtë gjë e dimë edhe ne, edhe keqdashësit tanë. Ne jemi të detyruar të luajmë me këto rregulla loje. Jam i bindur se edhe ashtu do të befasojmë shumëkënd: Kashari është një simptomë domethënëse. Problemi i aleancave do të jetë një çështje e periudhës pas-zgjedhore. Ajo që mund të bëjmë tani, është të mundohemi të ndreqim diçka nga ajo që në mënyrë të papërgjegjshme e të pakthyeshme u prish në 21 prill, duke filluar nga bashkëpunimi për hartimin e kodit. Por edhe për këtë nuk po shohim të shfaqet ndonjë vullnet pozitiv. Të paktën, deri tani.
Sipas drejtuesve të LSI-së, kryetari i PS-së Edi Rama është akuzuar për marrëveshje me Sali Berishën, por deri tani nuk ka fakte konkrete për këtë, përveç vlerësimeve të përgjithshme. Ndërkohë që tashmë po dëgjojmë pothuaj të njëjtat akuza në drejtim të LSI-së nga socialistët. Kjo “luftë e ftohtë” mes jush, a mos do të përsërisë 3 korrikun e 2005?
Thashë, ka shumë sjellje të kohëve të fundit që mbeten për t’u shpjeguar. Cilat? “Mbytja” e ulërimës së Gërdecit, vrasja e Kushtetutës, komprometimi i zgjedhjeve me ujdinë përjashtuese PS-PD për sistemin zgjedhor, përmbysjet në qasjet politike, ideologjike e kulturore, tiradat pabesueshmërisht “të ashpra” (gjithsesi në distancë), me Berishën mbi çështje nga ato për të cilat nuk prishen as armiq instinktivë, si p.sh. macja me miun, e jo më dy mujsharë (mujsharë vërtet?), si Rama me Berishën, etj. etj. Thashë që ata që shqetësohen më së shumti nga simptoma të tilla janë vetë socialistët. Ne interesohemi e përfshihemi në debat sa herë që efekti i sjelljeve të tilla shkon përtej sinoreve dhe interesave të ngushta të PS-së, sa herë që ne mendojmë se të tilla sjellje rrezikojnë fitoren e së majtës dhe prodhojnë efekte negative për interesa akoma më të mëdha, që janë ato të vendit e të popullit. Unë nuk gjykoj se në një dialektikë demokratike, ngritja e problemeve dhe e shqetësimeve të tilla nga ne ndaj të tjerëve, ose nga të tjerët ndaj nesh, është gjëja më normale, madje është një obligim për politikën. Problem është heshtja stoike që protagonistët e këtyre lëvizjeve politike, aq shumë të kontestuara, kanë mbajtur ndaj interesimit popullor për të sqaruar qëndrimet e tyre.
Si do të arrijë LSI-ja të jetë forcë e parë në zgjedhjet 2009?
Duke bërë për vete sa më shumë të rinj, burra, gra, pleq…dhe pse jo, edhe ndonjë gazetar të fundit, që vazhdon të mbetet skeptik ndaj LSI-së…Por këtu fjala nuk është për ju.
(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)