E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceka: Jo ofertave të Berishës deri pas zgjedhjeve

Nga Darina Tanushi
 

TIRANE- Aleancisti Neritan Ceka ka mohuar në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, çdo mundësi për të pranuar ndonjë ofertë nga Berisha para zgjedhjeve të vitit 2009. Ai thotë se do të vijojë bashkëpunimin me LSI-në, pa përcaktuar ç’do të ndodhë pas zgjedhjeve.
Zoti Ceka, a do të ketë PAD-ja një bashkëpunim me PS-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke parë edhe përvojën e Kasharit?
Së pari, pas zgjedhjeve të Kasharit, PS-ja nuk është më partia më e madhe. Ajo është partia e dytë opozitare, pas LSI-së dhe së dyti, dua të them që bashkëpunimin kryesor PS-ja e ka me PD-në. Kështu që pa sqaruar natyrën e këtyre lidhjeve dhe synimet e saj politike, ky bashkëpunim konsiderohet i pamundur.
A është menduar nga ana juaj se si do të bashkëpunoni për zgjedhjet e ardhshme, në koalicion me LSI-në apo të vetëm?
Ne do presim Kodin Zgjedhor, i cili profilon më mirë hapësirën e çdo partie politike. Në kushtet e deritanishme ka funksionuar, veçanërisht në Kashar, një koalicion, LSI, AD dhe PDS, i cili pati rezultate shumë të mira në Kashar e si i tillë, edhe premton për zgjedhjet e ardhshme dhe mund të përpilohet si një grupim i tretë, si një alternativë veçanërisht ndaj Partisë Socialiste, e cila është në shkarje.
Pak ditë më parë, një prej drejtuesve të PAD-së, Arben Demeti tha se nuk do të bashkëpunoni me PS-në sa kohë që në krye të saj të jetë Edi Rama. A jeni edhe ju me këtë ide?
Natyrisht kjo rrjedh nga eksperienca e hidhur me këtë kryetar të PS-së, që nuk mban fjalën, nuk respekton marrëveshjen. Ishte një shkelje e hapur e marrëveshjes së qershorit 2006, ajo që bëri në Parlament me ndryshimet kushtetuese ose me ndryshimin e sistemit zgjedhor, për të mos folur pastaj për veprimet e tjera të këtij drejtuesi të PS-së, të cilat në vend që të sigurojnë kohezionin e opozitës, kanë çuar në përçarjen e saj dhe kanë vendosur një lidhje PS-PD, e cila natyrisht është jashtë natyrës së demokracisë.
Pra, do të vazhdojë koalicioni juaj me LSI-në?
Deri tani ka provuar se është efikas dhe veçanërisht Kashari qe një provë, ku u punua intensivisht. Nuk mund të kalohet në heshtje, siç bën zoti Rama. Kashari është një ogur i keq për zotin Rama dhe një provë e mirë për alternativën LSI, AD dhe PDS.
Zoti Ceka, sapo u mbyll edhe sesioni parlamentar. A i qëndroni vërtetë vlerësimeve që i bëtë Kryetares së Kuvendit, të cilën ju edhe e vlerësuat mjaft gjatë fjalës në një nga seancat e fundit?
Në përgjithësi dua të them që Parlamenti ka punuar në një vijë me atë disiplinë, atë lloj edukate që është krijuar, veçanërisht në vitet 1998-2005, gjatë koalicionit të mëparshëm qeveritar. Një bashkëpunim më i hapur me opozitën veçanërisht për ligjet që kanë të bëjnë me reformat, për ato që orientojnë drejt integrimit euroatlantik, për krijimin e një klime më të shëndetshme për qeverisjen, sepse në fund të fundit qeverisja është në favor të shqiptarëve dhe detyra e opozitës është të korrigjojë gabimet e pozitës pa e shtyrë atë drejt humnerave, të përgatisë një klimë më të mirë qeverisjeje kur t’i vijë koha që të vijë në pushtet dhe besoj se këto kanë qenë karakteristikat kryesore të bashkëpunimit pozitë-opozitë. Kjo është realizuar në radhë të parë në komisione, kurse shfaqjet në publik, ato në sallën e Kuvendit kanë të bëjnë natyrisht me luftën politike që është e natyrshme në një vend demokratik, por nuk duhet ekzagjeruar. Besoj se kanë qenë përjashtime rastet e acarimeve dhe do të thosha që kanë qenë për shkak të atij bashkëpunimi ilegal, nën rrogoz midis PS-së dhe PD-së. Në fund të fundit, për të gjitha këto veprime PS-ja ka paguar faturën e kësaj sjelljeje jokorrekte politike. Për sa i përket zonjës Topalli, mund të them që ka drejtuar në përgjithësi mirë bashkë me kolegët e saj. Ka qenë një treshe që e ka vënë makinën e Parlamentit në punë seriozisht. Sepse nuk është salla ku punohet. Parlamenti kryesisht punon në komisione, ku mund të them që puna ka qenë mjaft e mirë. Natyrisht ka pasur aspekte konfliktuale, aspekte të shkeljes së procedurave, të cilat pjesërisht vijnë nga një traditë e keqe e krijuar gjatë shumë viteve, edhe përpara kësaj maxhorance, edhe nga fakti që jo çdo gjë është fiksuar në rregullore. Si rrjedhim nuk mund të them që në total drejtimi i Kuvendit nga zonja Topalli ka qenë i keq, duke pasur parasysh edhe performancën e saj si grua, si përfaqësuese e një elite të grave që kanë guximin të marrin pjesë në politikë dhe veç asaj, kompensohet në një masë të ndjeshme nga aktiviteti i saj diplomatik, nga ajo që quhet “diplomacia parlamentare”, që mund të themi që është një fushë e nxitur dhe e inkurajuar veçanërisht këto 3 vitet e fundit dhe me rezultate të qarta, veçanërisht në procedurat parlamentare që do kryhen për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO dhe anëtarësimin e afërt në BE.
Lavdet në seancën e fundit që ju i drejtuat Kryetares së Kuvendit u interpretuan në fakt si një lloj afrimi me maxhorancën. A keni ndonjë ofertë?
Fjalimi im nuk kishte të bënte me pazare politike dhe që të thuash fjalë të mira për një grua që rrezikon në politikë, për një grua që përballet me një masë të madhe burrash, shpesh herë të paedukuar, për të thënë të vërtetën dhe që shpesh detyrohet të bjerë në nivelin e tyre për të përballuar agresionin mashkullor, i cili është i fortë dhe veçanërisht i egër në politikën shqiptare, besoj se kam bërë një gjë të mirë. Edhe në pikëpamjen etike. Së dyti, dua të them që ajo që thashë është një e vërtetë, sepse performanca e saj në Itali, por edhe në vende të tjera ka qenë jo vetëm një performancë vizive, e një gruaje me sharm, por edhe e një gruaje që ka prekur çështjet kryesore të politikës, çështje që kanë të bëjnë me integrimin, me heqjen e vizave, me integrimin rajonal, veçanërisht në marrëdhëniet me kolegët në Kosovë, Maqedoni. Dua të them se pati edhe një lloj kritike, që u mirëkuptua besoj, kur thashë që “pikërisht sharmin, elegancën, performancën e një gruaje simpatike duhet t’i përdorësh si mjete edukimi edhe për një sallë të dominuar nga burrat”. Pra, e mira do të ishte që të mos luftojë me mjetet e burrave, por me mjetet e grave në sallën e Parlamentit. Kjo ishte një kritikë miqësore, që shpresoj të reflektohet në sesionin e ardhshëm parlamentar.
Po insistoj, a keni pasur ndonjë ofertë nga zoti Berisha?
Natyrisht ofertat për Aleancën Demokratike kanë qenë gjithmonë të hapura, por format e bashkëpunimit janë akoma të papërcaktuara, në kuptimin e pjesëmarrjes në qeverisjes, veçanërisht në kushtet e ndryshimeve kushtetuese, dhe të ndryshimit të Kodit Zgjedhor, sepse në një mënyrë apo një tjetër çojnë në zhdukjen e Aleancës Demokratike. Një bashkëpunim i tipit që mund të bëjë PDR-ja, që është shumë afër PD-së, është akoma i pakonceptueshëm për AD-në. Unë mendoj që bashkëpunimi ka qenë serioz, ka qenë në fushën e interesave kombëtare. Nuk ka ndryshuar në esencë nga bashkëpunimi që ka bërë LSI-ja, PDS-ja, PSD-ja, natyrisht që është larg atij bashkëpunimi që bën PS-ja, që është kundra të tërëve, nuk është pro, por është kundra aleatëve. Natyrisht që janë çështje me afate të gjata, nuk ka asgjë me afate të shkurtra.
Nuk bëhet fjalë këtu as për marrjen e postit të nënkryetarit të Kuvendit, meqenëse është një vend bosh?
Jo, nuk ka pasur një ofertë konkrete dhe besoj se nuk ka ardhur koha për oferta konkrete. Ne jemi akoma në kampin opozitar. Besoj që sillemi si opozitarë dhe po punojmë si opozitarë. Pra, kemi një zgjedhje tonën që u provua seriozisht edhe në Kashar, dhe deri në zgjedhjet e ardhshme jemi në kamp. Unë nuk besoj se do të kemi ndryshime të mëdha në qeverisje deri në zgjedhje. Dhe si rrjedhim, ka pak kohë dhe pak hapësirë për të bërë ndryshime politike.

(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›