Prizreni: Emocionet kur ngrita flamurin në mes të Kinës!
PEKIN- Të mbash flamurin kombëtar përpara gjithë liderëve botërorë dhe 4 miliardë njerëzve që të ndjekin live në televizor, nuk ndodh shpesh në jetë. Sahit Prizreni ka qenë shqiptari që ka parakaluar në sytë e gjithë botës, duke patur në duar simbolin kuqezi në ceremoninë e djeshme të Lojërave Olimpike. Emocione që kampioni i mundjes nga Shqipëria thotë se nuk i ka përjetuar kurrë. I veshur me ngjyrat kuqezi, ai ishte në krye të delegacionit shqiptar, që këtë herë kishte 11 sportistë dhe 6 zyrtarë. “Ka qenë një ëndërr për mua mbajtja e flamurit. Ç’mund të them? E realizova, por shpresoj që të mos mbetet këtu dhe të fitoj edhe medalje”, thotë Sahit Prizreni që nga Pekini, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”. Mundësi kuqezi tashmë e ka kaluar edhe dëmtimin e shumëpërfolur dhe është gati për të luftuar për marrjen e një medalje.
Sahit, të mbash flamurin kombëtar në sytë e gjithë botës, përpara liderëve botërorë dhe vendit tënd është një kënaqësi dhe krenari apo jo?
Patjetër, nuk është nevoja as ta thuash një gjë të tillë. Të mbaja një ditë flamurin në Olimpiadë ka qenë një ëndërr e përhershme. Ia arrita dhe shpresoj që ta përfundoj edhe aventurën si sportist me sukses. Nuk dua të mbetem vetëm me kaq, por ta mbyll me sukses misionin tim.
Na i përshkruaj pak emocionet e momenteve të parakalimit?
Nuk e di, ishte gjithçka e pabesueshme. E thashë që ishte si një ëndërr, një krenari që është pak e vështirë ta përshkruaj. Në ato momente njeriu mendon shumë gjëra.
Një moment që padyshim do të mbetet në kujtesë besoj?
Natyrisht që po. Nuk ndodh shumë herë të mbash flamurin në Olimpiadë. Unë ia arrita.
Çfarë pret pas këtij momenti?
Tani pres rezultate. Shpresoj që ta ngre më lart flamurin shqiptar. E shpresoj këtë jo vetëm për vete, por për të gjithë kombin tonë.
Ke pasur një dëmtim, si dukesh tani? Rrezikon pjesëmarrjen në garë?
Po, pata një dëmtim të lehtë, por falë terapisë jam më mirë. Më kanë thënë se të hënën do të jem në gjendjen time optimale dhe besoj se deri në momentin e garimit nuk do të kem më asnjë problem. Çdo gjë tashmë mund të quhet e kaluar.
Je nga sportistët me rezultate më të larta, mendon se mund të hysh në zonën e medaljeve në këtë Olimpiadë? Natyrisht duke parë edhe kundërshtarët që ke aty në Pekin...?
Të them të drejtën ky ka qenë synimi im që kur kam ardhur këtu. Mundja nuk është një sport që ka shumë favoritë, kështu që mendoj se do t’ia arrij. Megjithatë, do të jetë një betejë shumë e ashpër. Kam shumë rivalë të fortë dhe asgjë nuk mund të garantohet. Por, unë kam një objektiv të qartë dhe shpresoj t’ia arrij.
(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)