E Shtunë, 31 Tetor 2026

Madhi lavdëron Bollanon: Zbatoi ligjin e pronave

Nga Zerjeta Hajro
Deputeti republikan, Arjan Madhi vlerëson iniciativën e ndërmarrë nga kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano për ngritjen e komisioneve vendore për verifikimin e pronave të ndara me ligjin 7501. Gjatë një interviste të dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Madhi nënvizon se protesta e drejtuar nga deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi ishte një lëvizje politike pa produktivitet. 

TIRANE-  Zoti Madhi, si do t’i komentoni protestat e bëra dje në Himarë për çështjen e pronave, njëra prej të cilave ka degjeneruar edhe në thirrje antishqiptare…?
Unë isha dje në Himarë, nuk kam dëgjuar thirrje antishqiptare në protestën e drejtuar nga zoti Bollano dhe shoqatat e tjera.
A do t’i bashkoheni iniciativës së deputetit Neranxi për krijimin e një lobi parlamentar për çështjen e Himarës?
Zoti Neranxi së pari duhet të shikojë dhe të vlerësojë ligjin që ne miratuam, e kam fjalën për ligjin për verifikimin e pronësisë, i cili ka kuadrin e plotë juridik që shteti të marrë përsipër procesin e verifikimit të pronave. Unë mendoj se nga ana tjetër, nëse deputeti mendon që një projekt sipas tij do të ishte më efektiv, pavarësisht se ai nuk kontribuoi në ligj, ai mund të ndërmarrë si deputet nismat e nevojshme që do t’i shërbejnë verifikimit të titujve të pronësisë.
Si e komentoni deklaratën e bërë nga Bollano, sipas të cilit do të krijohen komisione për verifikimin e pronave, por të pavarura nga shteti?
Deklarata e Bollanos është refleksion ndaj qëndrimit të tij lidhur me ligjin që ne miratuam, të cilin theksoj se Neranxi nuk e aprovoi gjatë seancës plenare. Për sa i përket protestës së organizuar dje, unë nuk mendoj që drejtësia e kërkuar në procesin e verifikimit dhe vendosja e kësaj të drejte do të vijë me bërjen e protestave, por vjen vetëm duke aktivizuar institucionet e drejtësisë, për të cilat Neranxi nuk ka si të mos e bëjë. Nëse ai ka prova të mjaftueshme, përveç se duhet t’i bëjë publike, duhet edhe të kërkojë zgjidhjen. Mendoj se mënyra e vetme për të bërë një gjë të tillë është të lejojë drejtësinë të hetojë dhe në fund të shprehet me vendimin e saj.
Ju mendoni se zoti Neranxi nuk duhet të bëhej pjesë e një proteste?
Unë mendoj se bëhet fjalë për një protestë politike dhe kjo është pjesë e një lëvizjeje të vjetër politike. Por ritheksoj që nëpërmjet kësaj proteste nuk merren instrumentet e nevojshme për t’i shërbyer zgjidhjes së të drejtës. Është normale që çdo politikan në një fushatë elektorale të kërkojë vlerësimet nga votuesit, por ne jemi në një stad që e kemi marrë këtë mandat dhe nuk mendoj që bërja e mitingjeve apo protestave është një sjellje e drejtë politike. Nuk mund të ezaurojmë këtë të drejtë që na jep mandatin duke dalë e duke i bërë thirrje opinionit. Mendoj se Neranxi duhet të ndërmarrë nisma politike dhe vetëm nëse do të ketë pengesa për nismat ligjore, atëherë ai duhet t’u drejtohet masave të opinionit publik nëpërmjet protestave dhe mitingjeve.
Si do ta komentonit pjesëmarrjen e qytetarëve në këtë protestë?
Mendoj se një përgjigje ndaj këtij misioni ishte edhe numri i vogël i personave prezent të cilët u mblodhën nën thirrjen e Neranxit. Unë mendoj që nuk e justifikuan qëllimin, sepse mendoj që shumica e personave të interesuar i largohen protestës dhe janë në kërkim dialogut dhe nismave që sjellin iniciativat ligjore. Protesta e organizuar nga Neranxi ishte një lëvizje politike pa produktivitet.

(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›