Artan Lame: Pleqtë e Institutit që po shkatërrojnë monumentet
Tiranë – Pak kush e di që data 18 prill shënon ditën e monumenteve të kulturës. Por të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për gjendjen e rënduar të këtyre objekteve të trashëgimisë kulturore në vendin tonë.
Artan Lame, drejtues i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, në një intervistë për IDEA-n, tregon mbi rrezikun që po i kanoset kësaj trashëgimie, dëshimsë së ekzistencës sonë ndër shekuj. Ai na flet jo vetëm për gjendjen e monumenteve të kulturës, por edhe për rrezikun e saj të vazhdueshëm që vjen nga interesat e individëve. Lame komenton dhe vendimin e MTKRS-së për dhënien me qera të disa objekteve të trashigimisë dhe projektet e rradhës së forumit për të kundërshtuar pikërisht këtë vendim.
IDEA: Në çfarë gjendje janë monumentet e kulturës sot?
Artan Lame: Më shumë se thjesht monumente të kulturës do të thoja në përgjithësi trashëgimia kulturore në Shqipëri. Normalisht që mund ta nisja me fazën stereotipe që janë në gjendje të vështirë e gjëra të këtij lloji, por duhet thënë që përtej politikës ditës, kurrë në historinë tonë gjendja e trashëgimisë kulturore nuk ka qenë më zi dhe më keq se sa aktualisht d.m.th në çdo vit që kalon jemi më keq se vitin paraardhës dhe këtu nuk po numëroj 5, 7, 10 apo 20 vitet e fundit por po numëroj, meqenëse jemi në përvejtorin e pavarësisë, po numëroj 100 vjetorin e fundit dhe ende sot nuk bëhet fjalë për ta ndalur këtë kahje shkatërrimi dhe rrënimi që mbizotëron në Shqipëri.
IDEA: Trashëgimia kulturore është më e rrezikuar nga njeriu apo natyra po bën punën e saj?
Artan Lame: Trashëgimia kulturore në përgjithësi është në radhë të parë e rrezikuar nga njeriu se në qoftë se do ta linim natyrën të ndiqte rrugëtimin e saj shumë prej tyre edhe mund të vazhdonin kështu me shpirt nën dhëmbë të zvarriteshin edhe për nja 100 apo 200 vjet tjera. Problemi është që aty kur këto i zënë rrugën interesave, bën që edhe jeta e tyre biologjike, edhe kështu e dërrmaur dhe e plakur, të shkatërrohet dhe të zhduket si pa gjë të keq përpara interesave.
IDEA: Si do ta komentoni vendimin e MTKRS-së për dhënien me qera të disa objekteve te trashëgimisë kulturore?
Artan Lame: Më shumë se një vendim të ministrisë së Kulturës do ta quaja një budallallëk me okë të Institutit të Monumenteve, ministria në këtë mes u gjend gafil dhe madje ushqej njëfarë respekti për qëndrimin e tyre që ka qenë më e përgjegjëshme se sa vetë instituti. Gjendja e institutit është një tragjedi në vete brenda kësaj tragjedie të madhe sepse edhe pse është një institucion që prakitikisht nuk egziston më, por është thjesht një tufë pleqsh të mykur që duan vetëm të mbijetojnë dhe nuk duan të flasësh për ta, as mirë as keq, por thjesht të marrin rrogën se as për tu larguar nuk largohen, edhe pse moshën e pensionit e kanë mbushur dhe nuk ikin derisa sa ti bjerë infarkti. Ky institucion, në vend se të shtojë në listat e trashëgimisë kulturore objekte të reja, ajo bën pikërisht të kundërtën vazhdimisht, heq nga kjo listë objekte të tjera për ti hedhur në gojën e ekonomisë së tregut.
IDEA: Ka ndonjë model-shembull që Shqipëria mund ta ndjekë në lidhje me administrimin ose mirëmbajtjen e këtyre objekteve?
Artan Lame: Një mijë shembuj të kemi, ne do zgjedhim më të keqin, i cili edhe pse më vonë atje ku e kanë bërë janë penduar dhe e pranojnë një gjë të tillë, neve nuk na intereson duke vazhduar me atë tonën, pasi në Shqipëri bëhet fjalë për një bandë njerëzish që duan të bëjnë para para se të përbyllnin karrierën e tyre publike.
IDEA: Ju jeni pjesë e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, çfarë po bën aktualisht ky forum në lidhje me problemet e lartëpërmendura?
Artan Lame: Forumi për trashëgiminë është më tepër një grupim i lirë dhe i hapur për këdo. Ky forum ka mbajtur të gjallë debatin dhe diskutimin për trashëgiminë kulturore duke tërhequr dhe vëmendjen në njëfarë mënyrë për këtë çështje, por në raste të veçanta ka frenuar dhe nisma të ndryshme në dëm të kësaj trashëgimie. Funksioni i saj mbetet denoncues dhe i mbajtjes nen presion te institucioneve për të mos shkarë në situata të pakorigjueshme.
IDEA: Kemi informata se forumi po organizon një lëvizje kundër dhënies me qera të atyre objekteve të trashëgimisë kulturore?
Artan Lame: Në projekt kemi një ngacmim të situatës në Lezhë ku kalaja e saj është rreshtuar e para nga Instituti i Monumenteve për tu dhënë me qera ose ndryshe ka qenë nja nga pazaret e para të mbyllura të Institutit për ta shkatërruar dhe përderisa ne deri tani ia kemi dalë të bëjmë një lloj frenimi të situatës, atje mendojmë që të bëjmë dhe një marshim bashkë me gazetarë dhe dashamirës, sipër kalasë, për të sensibilizuar edhe më tej publikun për këtë çështje.
IDEA: A ka një vetëdije qytetare në Shqipëri për tu organizuar në mbrotje të trashëgimisë kulturore?
Artan Lame: Një nga marrëzitë ose gjërat që funksionojën se prapthi në Shqipëri është dhe kjo: ne kemi një opininon publik të sensibilizuar dhe për këtë jemi gjithë të ndërgjegjshëm, por në anën tjetër kemi një qeveri inerte. Ajo (qeveria) që duhej të ishte e para dhe të ndikonte mbi opinion publik dhe ta sensibilizonte në këtë rast bën të kundërtën d.m.th. është opinoni i sensibilizuar dhe qeveria që nuk lëviz. Mjafton të themi që nuk ka javë në Shqipëri që nuk shembet ndonjë shtëpi monmunet kulture ose digjet ndonjë, p.sh. para dy-tre ditësh u dogj një kompleks monumental në Gjirokastër për të mos përmendur çfarë ndodh në Krujë apo në zona tjera gjithe ato katastrofa mjedisore dhe kulturore dhe ajo që nuk lëviz është qeveria.
Ideal Gola /IDEA/