E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artan Mërgjyshi: Si e nxora mbi ujë Dinamon!

/* */

Dash FRASHËRI - Kur Faruk Sejdini dha dorëheqjen nga Dinamoja pas humbjes në javën e 9-të me Kastriotin, drejtuesit e 18 herë kampionëve e kishin gati emrin e trajnerit zëvendësues: Artan Mërgjyshin, pikërisht njeriu që u siguroi mbijetesën sezonin e kaluar.

Edicionin paraardhës ai pasoi në bankinë argjentinasin Luis Manuel Blanko dhe Ilir Dajën, ndërkohë që prej disa vitesh ai bën ndihmësin, por në një version “trajneri hije”. Dinamo mori një pikë shumë të vlefshme në barazimin 1-1 me Flamurtarin në “Qemal Stafa”, ditën e hënë, aq sa në kampin blu e konsideruan gati si një fitore. Gerhard Progni shënoi në minutën e 23-të pas një goditje të lirë me dy takime, pas pasimit të Franc Veliut. Dinamo barazoi me anë të Renato Malotës në minutën e 57-të pas goditjes së lirë të ekzekutuar nga Bekim Kuli. “Ne kemi humbur disa ndeshje me rezultat të ngushtë, dhe u them sinqerisht po të humbitnim edhe me Flamurtarin do të ishte katastrofë. Janë dhe dy ndeshje nga përfundimi i fazës së parë, ato me Vllazninë në Shkodër dhe Bylisn në Tiranë, dhe synojmë të paktën të marrim një fitore”, - tha Mërgjyshi për gazetën “Telegraf”. Dinamo rikthehet te pika pas barazimit 0-0 me Shkumbinin në javën e 5-të, ndërkohë që për herë të fundit kishte shënuar në javën e 3-të. Me pikën e marë ndaj Flamurtarit, 18 herë kampionët u ngjitën përfundimisht në kuotën e 0 pikëve.  

Mërgjyshi, një barazim me Flamurtarin, por ju po e shijoni sikur të kishit marrë një fitore të thellë?
Sigurisht. Shpëtuam nga situata dramatike që ishim. E deklaruam disa herë para ndeshjes, se do të bënim maksimumin për të marrë pikë. Dëshironim shumë të merrnim tri pikë. Por, duke pasur parasysh edhe koeficientin e vështirësisë së kundërshtarit, qoftë dhe të situatës që po kalonim, edhe një barazim na duket si fitore.
Më fund, pas një kalvari të gjatë, Dinamo rigjeti veten dhe pikët. Sa mendoni se do të reflektojë te një skuadër që numëron 18 tituj kampionë?
Asgjë nuk është e mbaruar për ne. Janë dhe dy ndeshje nga përfundimi i fazës së parë, ato me Vllazninë në Shkodër dhe Bylisin në Tiranë, dhe synojmë të paktën të marrim një fitore. Do të tentojmë në të dyja ndeshjet dhe shpresoj të kemi dhe fat për të arritur dhe fitoren.

Në fakt, kjo është pika e parë e Dinamos pas një serie negative prej gjashtë ndeshjesh. A jeni i kënaqur me reagimin e skuadrës?
E filluam paksa si të trembur ndeshjen me Flamurtarin, jo se kundërshtari në pjesën e parë na vendosi në vështirësi, por ajo ishte taktika e skuadrës sonë, për ta pritur në gjysmëfushën tonë. Pësuam një gol nga një goditje standarde, por reagimi ynë ishte shumë i mirë. Rrezikuam shumë pas golit tonë, dhe kishim disa mundësi për ta fituar ndeshjen.
Mërgjyshi, ky reflektim i Dinamos a është një sinjal i qartë se ajo periudhë, nga më të vështirat, është lënë pas?
Ne kemi humbur disa ndeshje me rezultat të ngushtë, dhe u them sinqerisht po të humbitnim edhe me Flamurtarin do të ishte katastrofë. Në shumë ndeshje, e them me bindje të plotë, se mund të meritonim më shumë, pasi në lojë kanë qenë të tre rezultatet.
Për një kohë të gjatë, nga java e 2-të kemi parë në renditje një Dinamo me -2 pikë. Sa e dhimbshme ishte për ju?
Absolutisht, shumë. Për këtë arsye edhe pika e marrë me Flamurtarin, vlen shumë pasi nga nxori nga minusi, pavarësisht se kemi zero pikë. Kjo na jep më shumë optimizëm për t’i marrë ndeshjet e ardhshme me më shumë seriozitet dhe për të bërë pikë. Prandaj na duhen që në dy ndeshjet e ardhshme të marrim të paktën një fitore, që të jemi më të qetë në fazën e dytë, shto këtu edhe merkaton e janarit.
Ju e morët në dorëzim Dinamon në një moment nga më të vështirët e historisë së saj, duke pasuar në bankinë një veteran si Sejdini. Sa e madhe ishte përgjegjësia?
Unë kam qenë për shumë vite pjesë e klubit të Dinamos, duke përjetuar momente nga më të bukurat në karrierën time. E njoh mjaft mirë. Gjithmonë jam përpjekur të jap maksimumin tim. Përsa i përket skuadrës, nuk është se kemi ndryshuar shumë nga koha kur ekipi ishte me Sejdinin. Dhe atëherë, për hir të së vërtetës kemi bërë lojëra të mira, por na ka munguar gjithmonë pjesa e shënimit të golit. Jo pak ka ndikuar edhe faktori psikologjik. Shpresojmë që ta kthejmë këtë moment në favorin tonë.
Pas një thatësire prej tetë javësh, Dinamo rigjeti edhe golin, që për fat të keq është dhe i dyti në 11 javë. A do të ketë vazhdimësisë shënimi?
Absolutisht, po. Jemi çliruar nga një moment shumë i keq. Dëshiroj ta quaj, sapo jemi zgjuar nga një ëndërr e keqe. Unë mendoj se kemi potenciale për të shënuar, si nga situatat në lojë ashtu dhe nga goditjet standarde.
Lojtarët e rinj duket se e fituan atë pjekuri që duhet për të përballuar një kampionat të nivelit maksimal në Shqipëri.
Sigurisht. Nga ndeshja në ndeshje po shprehen më lirshëm, kanë besim më shumë te vetja dhe morali është më i lartë.

0 fitore
Dinamo është ekipi i vetëm nga 14 skuadrat që marrin pjesë në Kategorinë Superiore që nuk ka regjistruar ende asnjë fitore.

0 pikë
Blutë pas 11 javë të para ndodhen në kuotën e 0 pikëve, pavarësisht se kanë marrë tri pikë. FIFA u ka hequr bluve 3 pikë.

NDESHJET E DINAMOS
Java 1     Apolonia-Dinamo        2-0
Java 2    Dinamo-Skënderbeu     0-0
Java 3    Tomori-Dinamo        2-1
Java 4    Pogradeci-Dinamo        1-0
Java 5    Dinamo-Shkumbini        0-0
Java 6    Laçi-Dinamo        1-0
Java 7    Dinamo-Kamza        0-2
Java 8    Teuta-Dinamo        2-0
Java 9    Dinamo-Kastrioti        0-1
Java 10    Tirana-Dinamo        1-0
Java 11    Dinamo-Flamurtari    1-1

Bilanci: 11 ndeshje, 0 fitore, 3 barazime dhe 8 humbje

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›