Tomori fiton 3 pikët e dyta, Vllaznisë i anulohen dy gola
Trajneri Vata konteston gjykimin. Të paktën njëri nga golat dukej në pozicion të rregullt
Tomori merr fitoren e dytë në këtë kampionat dhe “gjëmën” ia bën Vllaznisë. Kuqeblutë kanë përse të ankohen. Dy golanë të anuluar e nxjerrin nga vetja trajnerin Rudi Vata që ankohet fuqishëm. Sidoqoftë, 90 minutat u vendosën nga një gol i Bakiut.Në një fushë aspak të mirë, gjithsesi të dyja skuadrat arritën të prodhonin raste. Pasi beratasit këmbëngulën në nisje, Klodian Arbri goditi traun e portës mike, pas një gabimi të portierit Vujadinoviç. Një roveshatë e bukur e Arbrit. U desh të kalonin shumë minuta dhe në të 39-ën, Vllaznia iu afrua golit. Sulmuesi i ri Gjini u rrotullua para zonës dhe gjuajti, por topi u devijua nga Llani dhe preku traun. Vetëm një minutë më vonë, ishte Gentian Muça që mund të kishte shënuar, pas një topi të Gjinit nga e majta, por goditi bazën e shtyllës, ndërsa ndaj tij pati edhe një ndërhyrje të ashpër që mund të ndëshkohej me karton dhe penallti. Në nisje të pjesës së dytë, Gersi Arbri iu afrua golit pas një tjetër gabimi të Vujadinoviçit, por gjuajti mbi portë. Në vazhdim, Tomori pretendoi për penallti kur Muça pengoi Gersi Arbrin, por gjyqtari Pashaj vazhdoi lojën. Menjëherë më pas, rreziku kaloi në portën tjetër ku Gjini pati rast për të shënuar brenda zonës. Në 57’ erdhi goli i Tomorit, ndërsa Bakiu shfrytëzoi ndërhyrjen jo të mirë të Vujadinoviçit për ta dërguar topin në rrjetë. Në vetëm 12 minuta erdhën dy ndërhyrje të gabuara të mbrojtësit të beratasve, Çela, i cili mori të verdhën e parë dhe në të 72-ën, edhe të dytën duke u përjashtuar nga loja. Më pas, erdhi seria e golave të anuluar për Vllazninë. Së pari, në 81’, Djepaxhia depërtoi në të majtë e gjuajti, por ndërhyrja e një lojtari tjetër e bëri të pavlefshëm golin për pozicion jashtë loje. Trajneri shkodran Vata nuk mundi të përmbahej dhe u vërsul tek gjyqtari i katërt dhe vëzhguesi, duke protestuar. Në 85’, Vllaznia shënoi për së dyti, por Markolaj u cilësua në pozicion jashtë loje nga gjyqtari anësor, ndonëse pamjet në përsëritje, treguan se ky vendim ishte shumë i dyshimtë. Sërish pati protesta të trajnerit shkodran, këtë herë më të motivuara. Ndonëse Vllaznia vuan në mesfushë, tani është mungesa e Sukajt ajo që ndjehet më shumë.