Mashtrimet e diktatorit
Enveri, me pesë ditëlindje! Që i vogël në zemër kishte Moskën...; Në Liceun e Korçës, me provim në vjeshtë, dhe shkon në Francë nëpunës në Zyrën Sekrete të Zogut; Në fjalën në ceremoninë mortore të Vehab Ciut, një ndër yjet e studentëve francezë e të huaj në universitetin e Monpeliesë, Enveri e ngushëllonte: “Kotësia është kotësi dhe gjithçka është e kotë.” Dhe për këtë, Enverit i varet medalja e “iluministit të spikatur” nga Akademia e Shkencave; pseudonimi Lulo Malësori, me të cilin “shkruante” në gazetat frënge, është i Milo Duçit, shkrimtar e publicist i shquar; meritat publicistike të Branko Merxhanit i merr E. Hoxha në veprën “Historia e së majtës shqiptare dhe themelimi i PKSH” e prof. Frashërit; ministri i P. të Brendshme lëshon urdhër për pagesën e orëve të pabëra të profesorit E. Hoxha; Enveri, i pushuar nga puna se “refuzoi të regjistrohej në Partinë Fashiste” i jepet leje nga Ministria e Arsimit “për të shkuar në Itali për arsye familjare.”
Media ringjall Enver Hoxhën: “[Enveri] Ishte shumë mik i dashur, njeri i dhembshur, kur mori përgjegjësi në kohën e partisë, ai iu përkushtua totalisht punës, ai ishte një njeri që diti të tregojë një vendosmëri të fortë. Unë nuk e kam dashur, por unë e çmoj për punën që bëri gjatë luftës, pas luftës ai u shpërfytyrua.”; “Ky njeri [Enveri] mundi të kapërcente zënkat, grindjet; u bë simbol i qëndresës, nuk ishte i mbrujtur me grindje, nuk ishte i molepsur me grindje.”; Enveri në Operacionin e Dimrit: “Mjaft u çlodhëm tre muaj”; hakërrimi ndaj Nako Spirut: “Do të të shtyp kokën”...
Enver Hoxha, tema më e dashur për mediat dhe botimet nga protagoniste të kohës. Prof. Paskal Milo e prof. Pëllumb Xhufi, historianë të njohur me argumentin: “Enver Hoxha është figurë komplekse dhe duhet të kalojnë shumë vite për të bërë vlerësimin e tij.” Edhe vlerësime nga Akademia e Shkencave. Por edhe një risi: “Speciale në 99-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës: 100 fakte nga jeta e Enver Hoxhës.” “Tirana Observer”, 2007: 14 tetor; edhe me përfundim: “... Një pjesë janë fakte dhe të dhëna që shumica e njerëzve i dinin krejt ndryshe, një pjesë janë zbuluar pas vitit 1990. Por të gjitha bashkë na krijojnë një portret për njeriun që prodhoi komunizmin në Shqipëri. ...” Me domethënie të pastër: faktet janë të vërteta e s’duhen vënë në dyshim(!) Kjo speciale është dhe ngasja e fortë e një sprovë, jo për të njëqind faktet, po nga dhjetëshja e parë veçoj: faktet 1, 5, 6, 7, 9, 10, ato me temë: ‘Rinia e Enverit’.
Fakti 1. Diktatori Enver Hoxha lindi më 16 tetor të vitit 1908, në qytetin e Gjirokastrës. Ai kishte një vëlla e dy motra.”
Në AQSH: “Regjistri i [bashkisë] Gjirokastrës, nr. 6, fleta 75: Lagjja: “Teqe-Meçite-Hazmurat”, Rruga “Koto Hoxha”. Enver Hoxha, ditëlindja 12 maj 1908, Halil [babai], Gjylo [nëna]”; në Liceun e Korçës, Enveri është me dy ditëlindje: 17 qershor dhe 3 tetor [AQSH: fondi i Liceut, d.14 e 50 (vitet 1929 e 1930), dhe në Francë, me ditëlindje 3 tetor; gazeta Bashkimi 1946: ditëlindja 3 shtator; ditëlindja 16 tetor për herë të parë shpallet në Bashkimi: 16 tetor 1947. Enveri me pesë ditëlindje, me të pangjashmen e vet!
Enveri, pa të ngjashmen e vet edhe nga “inteligjenca” e tij që fëmijë i vogël dhe Enveri kryeministër rrëfen me ngjyra të ndezura në një artikull dërguar gazetës Pravda me rastin e 800-vjetorit të themelimit të Moskës, që botohej në Bashkimi (6 nëntor 1947): “Që i vogël, në bangot e shkollës, fillova të të dua me gjithë shpirt o Moskë e madhnueshme, o Moskë heroike. Kjo dashuri lindi në zemrën t’eme të njomë, kur unë këndova për herë të parë luftën t’ënde të pa vdekshme patriotike kundër Napoleonit, kundër invazionit francez. ...[vargje] Vjersha e Viktor Hygosë ekzaltonte fantazinë t’eme të re dhe muzika e Çajkovskit me tingujt e tij të pavdekshëm ma bënin më të gjallë përpjekjen vigane të popullit rus. ... Suvorov, Bagramian, Barkllay do Tolly, Kutuzov, që i vogël unë ju doja të gjithë ju, me tërë entuziazmin e moshës s’eme të re. ...” Dhe vazhdon me Vojo Kushin, Perlat Rexhepin me shokë që binin në luftë me “emrin” e Stalinit në gojë, apo nëna nga fshatra të Labërisë me rrëfime për dashurinë e madhe për “baba” Stalinin! Të gjitha rrena si ato të Hijestakovit të Gogolit apo të Cicianovit të Pushkinit, mirëpo ata bënin art me rrenat e tyre, kurse Enveri me fantastet e tij bën politikë.
Fakti 5. “Në vitin 1930, Hoxha përfundoi Liceun Francez në qytetin e Korçës me rezultate të larta. Sipas dëshmive, ai ishte një nxënës me sjellje të shkëlqyer.”
Sjelljet e tij nuk i di, por rezultatet e tij janë dhe në dokumente arkivore të Liceut. Në vitin 1929 (dosja 14) vlerësohet: “Observation: Admis Passable [kalueshëm], admissible [i pranueshëm], po kështu e më 1930. Ka dhe një procesverbal për t’u riprovuar në vjeshtë: “Procesverbal. Komisioni i formuar si mbas telit të Ministrisë s’ë Arsimit me nr. 968/50, dt. 27/9/27 për të provuar të mbeturit kandidatë bursistë për në Liceun e Korcës, i përbërë prej....” Enver Hoxha riprovohet në gjuhë, matematikë, histori, gjeografi, shkencë fizikë. [Faksimile 1].
Fakti 6. “Qeveria shqiptare e Ahmet Zogut i dha në vitin 1931 një bursë studimi në Universitetin e Montpeliesë në Francë, të cilin e la përgjysmë.”
Qeveria e Zogut kishte dy kritere të forta për bursat për studime jashtë shtetit: rezultate të shkëlqyera në mësime dhe kryerja e shërbimit ushtarak, që Enveri nuk i plotësonte, as njërin, as tjetrin kusht. Nëse Abedin Hoxha është xhaxhai i Enverit, ashtu siç dhe është identifikuar nga studiues, atëherë ka vetëm një shpjegim për atë se si shkoi me bursë në Francë: ndërhyrja e xhaxhait të tij me detyrë në zyrën sekrete të qeverisë së Zogut, më pas edhe në detyra të tjera të larta në ekzekutiv. Në Montpelie dihet se nuk mundi të marrë asnjë provim, paçka se historianë të huaj me emër, që kanë shkruar libra për Shqipërinë, E. Hoxhën e “identifikojnë” të diplomuar në universitetin e Montpeliesë, natyrisht me informacion të marrë në botimet e shumta partiake në gjuhë të huaj e shpërndarë në gjithë botën.
Fakti 7. “Në Francë, ai [Enveri] shkroi disa artikuj në gazetën e Partisë Komuniste franceze “L’Humanite”, me pseudonimin Lulo Malësori, ku denonconte qeverinë e Zogut.”
Në autobiografinë për deputet, Enveri shkruan:“... Ndjenjat e tij antifashiste, antiitaliane e antizogiste kanë qenë të njohura që në atë kohë, ashtu siç dëshmojnë artikujt e tij të shkruar në gazetat frënge me pseudonimin Lulo Malësori. ...” [Gazeta “Bashkimi”: 1945:14 nëntor]. Lulo Malësori është pseudonim i Milo Duçit, bashkëkohës i Enverit në Montpelie, shkrimtar, publicist, gazetar me mjaft veprimtari krijuese; janë të njohura dhe polemikat e ashpra deri me sharje e fyerje të Çajupit me Lulo Malësorin, i cili i kishte rrëmbyer të dashurën.
Në periudhën kur Enveri ishte me studime në Francë, i është botuar vetëm një shkrim i vogël, ishte fjala e tij (gjendur me pushime në Gjirokastër), e mbajtur në ceremoninë mortore të intelektualit të shquar Vehab Ciut, që kishte mbaruar Fakultetin e Agronomisë (dega inxhinieri bimësh) në Montpelie, dhe ishte mes atyre pak yjeve francezë e nga gjithë bota me studime aty, që qeveri e Francës i akordoi “Bursë nderi” për rezultate të shkëlqyera në gjithë vitet e shkollimit. Në ceremoninë mortore u fol dhe u shkrua në disa numra të gazetës “Demokratia”. Ministri i Arsimit, Hil Mosi, dërgoi telegram ngushëllimi dhe humbjen e Ciut e cilësoi dhimbje kombëtare. Në emër të djalërisë gjirokastrite foli E. Hoxha e fjala e tij u botua në gazetën gjirokastrite, të 27 gushtit 1932. Fjala e Enverit përveçse dhimbje të djalërisë gjirokastrite për Vehabin ishte edhe “ngushëllim” për shpirtin e të ndjerit, që folësi e shprehu në gojën e një kishtari: “Por mjerisht s’është gabuar i urti Eccliesiast [kishtar], kur tha: Vanitas vanitatum et omnia vanitas.” [Faksimile 2]. Që e shqipëruar thotë: “Kotësia është kotësi dhe gjithçka është e kotë.” E thënë fare qartë: jeta është kotësi, kotësi edhe puna e Vehabit, kotësi kurorëzimi me “Bursë Nderi” nga qeveria franceze, kotësi Vehabi me formatin e një intelektuali të madh. “Kotësia e gjithçkaje në jetë”, ja, ky ishte formimi i Enverit me dy vite shkollore student në universitetin e Montpeliesë!
Në “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe themelimi i PKSH, 1878-1941”, autori Kristo Frashëri i referohet shkrimit “Vehab Ciu” të E. Hoxhës: “Në një fjalim të përmortshëm që ai [Enveri] mbajti në varrimin e shokut të tij të ngushtë, Vehab Ciu, i cili vdiq në moshë të re, fjalim i botuar që në atë kohë në gazetën “Demokratia” të Gjirokastrës, spikasin ndjenjat e tij iluministe dhe dëshira e tij për ta parë rininë të arsimuar. Në atë fjalim ai tha midis të tjerave:...” dhe “[Enveri] ishte i brumosur me ndjenja demokratike të Rilindjes Kombëtare shqiptare.” [Faksimile 3]. Por në trepikëshin e parë të faksimiles autocensurohet: “Por mjerisht s’është gabuar i urti Eccliesiast, kur tha: Vanitas vanitatum et omnia vanitas.” Enverit student 24-vjeçar, i brumosur me botëkuptimin e kotësisë së jetës, t’i varësh medaljen e iluministit të spikatur, e rilindasit, ngado ta shohësh, nuk është aspak serioze, as e vërtetë.
Fakti 9.
Ai shkoi në Bruksel dhe filloi punë atje si sekretar privat i konsullit të Shqipërisë. Për shkak të veprimtarisë së tij antizogiste ai pushohet nga puna.”
Pyetja që rri pezull: Si është e mundur që Zogu emëron sekretar konsullate në ambasadën e tij në Bruksel E. Hoxhën, antizogist që në Francë? Është një burim arkivor në AQSH, që “identifikon” se Enveri nga Brukseli i dërgon një artikull gazetës mjaft të njohur “Ylliria” të Tiranës: “Artikulli “Një libër i Herriot-it:“Creer” botuar në ‘Ylliria’ nr. 46, 7 mars 1936 e që mban nënshkrimin “Tre yje” mendohet të jetë shkruar nga Enver Hoxha, pasi edhe në postën e redaksisë të kësaj gazete, të botuar në f. 8 të gazetës, bëhet fjalë për një artikull të Enver Hoxhës, dërguar nga Brukseli kësaj gazete dhe botuar në këtë numër. [AQSH. Fondi Personal: E. Hoxha 1943]. Pika e parë e fortë e mospranimit se artikulli është i E. Hoxhës: Artikulli “Një libër i Herriot-it: “Creer” është shkruar nga penë mjeshtërore dhe kjo penë as që mendoj se mund të ishte në dorë të Enverit, për më tepër kisha të freskët fjalën e tij në varrimin e Vehab Ciut. Artikulli “Një libër i Herriot-it: “Creer” ka autor pseudonimin “Tre Yje” e jo E. Hoxha, dhe me pseudonim “Tre Yje” ka dhe shkrime të tjera, si “Këngë popullore” (‘Ylliria’, 1936: 1 shkurt); “Një pesëdhjetëvjetor që duhet festuar.” [Për Petro Luarasin] Po aty: 1936: 18 shkurt; “Si u realizua Rilindja turke”. Po aty: 1935: 24 qershor; Imagjinata, po aty: 1934: 17 qershor, ndoshta e të tjera. Përderisa me “Tre Yje” mëtohet të “identifikohet” E. Hoxha, atëherë ai qenka edhe autor i gjithë këtyre shkrimeve studimore! Një argument më tepër: Fjalori i pseudonimeve (1998: 126), autori Palok Daka me “Tre Yje” identifikon Branko Merxhanin [Timo Dilo, 6 korrik 1967]. Vulën ia vë Aurel Plasari dhe Ndriçim Kulla në librin “Branko Merxhani. Vepra” [Tiranë 2006], dhe në faqet 368-371 është edhe artikulli i plotë: “Një libër i Herriotit: “Creer” me pseudonim “Tre Yje”.
Me shumë keqardhje shoh se artikulli “Një libër i Herriot-it: “Creer”, me autor Branko Merxhani, është i plotë edhe në veprën e prof. Kristo Frashërit: “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe themelimi i PKSH”, [2006:351-353], botim i Akademisë së Shkencave, por këtu artikulli është me autorësi Enver Hoxhën. Prof. Frashëri ndër të tjera shkruan: “... ne kemi në dorë një artikull të shkruar në shqip dhe të botuar më 1936 në revistën kulturore të Tiranës “Illyria”, ku ai [E. Hoxha] është frymëzuar nga vepra me titull “Creer” (Të krijosh) e Edouard Herriot-it, kryetarit të Partisë Radikale-Socialiste Frënge, pra e kryetarit të një partie centriste frënge që nuk kishte lidhje fare me platformën komuniste. Madje, i entuziazmuar nga idetë e kësaj vepre, ai [E. Hoxha], i rekomandonte rinisë shqiptare t’i merrnin porositë e Herriot-it si shembuj në vizionin e tyre për të ardhmen e Shqipërisë. Ai shkruan aty ndër të tjera..” [Faksimile 4]. Analizës së shkrimit profesori i kushton një faqe e gjysmë dhe përfund faqes f. 224 pseudonimin “Tre Yje” e identifikon me Enver Hoxhën. [Faksimile 4.] Dhe me bindje se “Tre Yje” është E. Hoxha dhe meritat e Merxhanit i atribuohen E. Hoxhës!?
(Vijon në numrin e ardhshëm)