E Diel, 1 Nëntor 2026

Strehonte makina të vjedhura, pranga 42-vjeçarit Abazi



Policia e Tiranës vuri në pranga një 42-vjeçar, i cili akuzohet për trafikimin e mjeteve motorike të vjedhura nga jashtë. Perjet Abazi e kishte kthyer parkingun në pronësi të tij, në një vend të sigurt për të fshehur makinat e ndryshme, të cilat dyshohet se trafikoheshin nga jashtë, pasi vidheshin. Megjithatë, specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Policinë e Tiranës, pas informacioneve operative të marra mbi aktivitetin e tij në trafikimin e mjeteve motorike, realizuan identifikimin dhe lokalizimin e 42-vjeçarit. Rreth orëve të vona të mbrëmjes së të martës, punonjësit e policisë shkuan për një kontroll në parkingun e makinave në pronësi të Abazit, i cili ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës, përkatësisht në fshatin Yrshek në Tiranë. Aty ai mbante të fshehura pesë makina të tipave të ndryshme. Pas kontrollit të dokumentacionit të automjeteve të kryer nga ana e specialistëve të seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme, u vërejt se një prej tyre i kishte të falsifikuara, ndërkohë që për katër të tjerat po kryhen veprimet procedurale të kontrollit. Menjëherë ndaj 42-vjeçarit u vunë prangat, ndërkohë që të pesta automjetet u sekuestruan. Sipas policisë, i ndaluari kishte në parkingun e tij edhe makina luksoze. Kështu, nga punonjësit e policisë u sekuestruan konkretisht një automjet fuoristradë, tip “BMW X5”, me targa TR 5251 I, një furgon, tip “Benz Sprinter”, pa targa, automjeti tip “Benz 320”, me targë SRU 731, një fuoristradë tip “Nisan Petrol, me targa TR 7240 G. Sipas policisë, nga specialistët po vazhdon puna hetimore mbi verifikimin e plotë të këtyre automjeteve, origjinën e tyre, si dhe dokumentacionin përkatës. Ndërkohë që automjeti tip “Benz ML”, me targë DF 646 EL, pasi u verifikuar, ka rezultuar se është vjedhur në Itali. 42-vjeçari është shoqëruar në qelitë e paraburgimit në pritje për të dalë përpara Gjykatës së Tiranës. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të mjeteve motorike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›