Tafaj: Këtë vit provimet e maturës mbyllen në qershor
zirina llambroMatura Shtetërore nuk do të ketë ndryshime themelore. Lëndët me zgjedhje do të jenë po ato, pesha e mesatares do të vijojë të jetë 20%. E vetmja e re këtë vit do të jetë se brenda qershorit, ata do të mbyllin provimet. Deri në mes të korrikut do të kenë gati përgjigjet për të plotësuar më pas formularin A2. "Drejtoritë e MASH dhe Drejtoritë Rajonale synojnë që provimi i fundit me zgjedhje të zhvillohet në ditët e fundit të qershorit, në mënyrë që përgjigjet të jenë në mes të korrikut dhe formulari A2 të plotësohet duke pasur të 4-t notat e provimeve dhe mesataren", tha ministri. Pas zërave për ndryshime në skemën e vlerësimit, kreu i MASH qetëson maturantët. "Procedurat do të jenë krejtësisht të njëjta, por do të lehtësohen shumë gjëra për të rritur transparencën, por jo ndryshime themelore. As numri i lëndëve me zgjedhje dhe as lëndët me zgjedhje, po ashtu, nuk do të ndryshojë as raporti që zë mesatarja në vlerësimin e përgjithshëm", bëri me dije Tafaj. Ai theksoi se duke qenë se ka diferenca mes nivelit dhe cilësisë së shkollave është ende herët të rritet përqindja që zë mesatarja. "Në të ardhmen, që lidhet edhe me diçka tjetër, ne jemi shprehur të gatshëm për t'u përfshirë në vlerësimin internacional të arsimit parauniversitar, PISA. Në rast se shkollat tona do të vlerësohen në programin e PISA-s në 2010-2011, ne do të kemi një bazë shumë më reale për nivelin cilësor të sistemit tonë arsimor parauniversitar. Pra do të kemi dhe një bazë reale të diferencave që do të ekzistojnë midis shkollave", tha Tafaj. Sipas tij, në momentin që do të shihet se këto diferenca janë të pakonsiderueshme, atëherë do të vendoset të rritet pesha e mesatares, por me parë ky proces nuk ndihmon. Ministri pranoi gjithashtu që ka një diferencë në cilësi mes shkollave në rrethe, por edhe brenda Tiranës. Sipas tij, veriu paraqitet më problematik se jugu. "Në degë mjaft të preferuara të universiteteve publike janë disa shkolla që kanë rezultate permanente shumë të mira, që janë dy shkolla të rrethit të Fierit, Sarandës, Korçës, që çdo vit kanë një grup gjimnazistësh shumë të mirë, me numër të tillë pikësh që arrijnë të klasifikohen në degët më të kërkuara. Por mund t'ju them që ka plot rrethe të largëta në Shqipëri, ku asnjë student nuk ka shans të arrijë pikët në këto degë. Ky është edhe një problem për mungesën e mjekëve në Has, n.q.s asnjë student nga Hasi nuk arrin të futet në mjekësi. Kjo është detyra ime. Unë e kam për detyrë të rris kushtet e gjimnazit të Hasit", sqaroi ministri. Sa i përket ndryshimeve në zhvillim, Tafai shtoi se këtë vit do të veprohet në krijimin e kushteve veçanërisht në provimet me zgjedhje. Gjimnazistët në rrethet më të vogla t'i grumbullojmë në qendër të nënprefekturës, pra në qendër të qytetit në salla të mëdha, ku të jenë të gjithë bashkë për të zhvilluar provimin. "Do të vazhdohet të trajnohen mirë administratorët për të njohur procedurat dhe për ta marrë këtë proces me shumë më tepër seriozitet. Që në vitin e parë të maturës, administrimi ka qenë serioz, por nuk mund të themi që nuk kemi pas devijime dhe që në vitin e parë janë marrë masa për këta administratorë dhe do të vazhdojmë t'i forcojmë këto masa", tha Tafaj.