Arteta, blerja më e mirë

Transferimi i mesfushorit Mikel Arteta nga Evertoni në Arsenal ishte blerja më e mirë në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës në Premierligë, sipas sondazhit të bërë në ueb faqen Skysports.com.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, arriti të sigurojë shërbimet e spanjollit në orën e fundit para mbylljes së afatit kalimtar. Francezi arriti të realizojë marrëveshjen me kohë, duke rindërtuar ekipin e zbehur nga largimet e disa prej yjeve si Cesc Fabregas e Samir Nasri dhe demoralizuar nga humbja 8-2 në Old Trafford.
Më tepër se 40 për qind e 27 mijë votuesve që u përgjigjën në sondazhin e skysports.com, besuan se transferimi i Artetas ishte blerja më e mirë e ditës së fundit para asaj të Reaul Meirelesit, i cili iu bashkua Chelseas (20 për qind) dhe rikthimit të Craig Bellamys në Liverpool (17 për qind).
Arsenali dukej se do të dështonte në përpjekje për transferimin e Artetas, derisa ora tregonte 11 dhe po hynte në 60 minutat e fundit të afatit kalimtar të verës, por Wenger arriti të sigurojë zëvendësuesin e Fabregasit te Arteta, ndërsa solli edhe mesfushorin Yossi Benayoun, mbrojtësit Per Mertesacker e Andre Santos si dhe sulmuesin Chung-Young Park.