Neuer nuk është portier i rangut botëror
Ish portieri i Gjermanisë, Jens Lehmann ka thënë se portieri i Bayern Munichut, Manuel Neuer nuk ka vazhdimësinë e nevojshme për t’i takuar rangun botëror.
Lehmann ka shkrehur mendimin e tij se Neuer është njëri prej portierëve më të mirë në qarkullim, por shtoi se ai nuk është në klasin botëror. Neuer u transferua nga Schalke ne Bayern gjatë afatit kalimtar të verës.
“Manuel duket i rangut botëror në krahasim me shumicën e portierëve aktualë. Mirëpo, ai nuk ka vazhdimësinë e nevojshme në paraqitje për të qenë klas botëror. Ai duhet të përmirësohet në atë fushë të lojës së tij”, tha Lehmann për AZ.
“Ka shumë presion mbi të për shkak të protestave fillestare të tifozëve. Mund të presim paraqitje më të mira prej tij pasi kjo çështje të ketë përfunduar”, përfundoi Lehmann. Para ardhjes së tij në Munich, Neuer ishte kritikuar nga tifozët Ultras të Bayernit, që dyshonin në përkushtimin e tij ndaj kampionit rekord të Bundesligës.