Gjashtë qytete për Olimpiadën 2020

Gjashtë qytete janë zyrtarisht kandidate për nikoqire të Lojërave Olimpike Verore 2020. Doha, që dështoi në përpjekjet e saj për të mbajtur Olimpiadën 2016, do të garojë me Bakunë, Stambollin, Madridin, Romën dhe Tokion, ndërsa fituesi do të zgjidhet më 7 shtator 2013.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) konfirmoi kandidatët për nikoqirë të Olimpiadës 2020 nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku thuhej: “Komiteti Olimpik Ndërkombëtar është i lumtur të njoftojë se gjashtë qytete kanë aplikuar për nikoqire të Lojërave Olimpike më 2020. Qytetet në renditje alfabetike janë: Baku (Azerbajxhan), Doha (Katar), Stamboll (Turqi), Madrid (Spanjë), Roma (Itali) dhe Tokio (Japoni).
Qyteti i Katarit ka marrë leje të veçantë nga IOC për të propozuar mbajtjen e lojërave mes 20 shtatorit dhe 20 tetorit. “Kandidatura jonë mund të inspirojë paqe dhe ky është prioriteti për regjionin tonë të ri”, tha Sheik Tamim bin Hamad al-Thani nga Doha. “Ëndrra e mbajtjes së Lojërave Olimpike duhet të realizohet në Lindjen e Mesme”, shtoi ai. Kandidatura e Dohas për Olimpiadën 2016, të fituar nga Rio de Janeiro në Brazil, planifikonte zhvillimin e Lojërave në tetor.
Ky propozim nuk hasi në përkrahje nga disa anëtarë të bordit të IOC-së, ndërsa të tjerët ishin të mendimit se qyteti me popullsi prej rreth 500 mijë ishte shumë i vogël. Kjo kandidaturë nuk hyri në listën finale. Kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku po ashtu dështoi të hyjë në votimin final të atij edicioni. Katari tashmë është zgjedhur nikoqir i Kampionatit botëror në futboll më 2022.
Të dy Tokio, nikoqir nga 1964 dhe Madridi u mposhtën nga Rio në votimin final për nikoqirë të Lojërave 2016. Roma tenton të sigurojë Lojërat e saj të dyta pas Olimpiadës më 1960. Një proces fillestar do të bëhet nga IOC duke studiuar secilën kandidaturë për nikoqire të Lojërave, ndërsa ofertat që kalojnë pengesën e parë do të njoftohen në maj 2012.
Në janar 2013, kandidaturat do të paraqiten në IOC, ndërsa komiteti i vlerësimit do të matë meritat e tyre mes shkurtit dhe prillit 2013. IOC më pas publikon një raport rreth secilës kandidaturë para votimit final në shtator 2013 në Buenos Aires. Olimpiada 2012 do të zhvillohet në Londër.