Artikulli, Berisha takohet me ambasadorin amerikan, Uithers
Publikimi i artikullit në gazetën prestigjioze amerikane “New York Times” ka vënë në lëvizje edhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Kryeministri Sali Berisha është takuar ditën e djeshme me ambasadorin amerikan të akredituar në Tiranë, Xhon L. Uidhers.
Kryeministri shtroi një drekë në Vilën 30, në zonën e ish-Bllokut, për nder të ambasadorit të ri të Arabisë Saudite në Tiranë, por në këtë drekë ai ftoi edhe ambasadorin amerikan, i cili e pranoi këtë ftesë. Burime pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës së Tiranë shprehen se kryeministri ka bërë një bisedë private me ambasadorin amerikan, Uidhers. Sipas burimeve, personalitetet kanë biseduar mbi situatën e fundit, ku biseda është përqendruar mbi artikullin e botuar në gazetën prestigjioze “New York Times”. Detaje të mëtejshme të këtij takimi nuk bëhen të ditura, pasi konsiderohen ende konfidenciale. Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur se sapo mësoi për ekzistencën e një kompanie amerikane, Southern Ammunition Company, Inc. (SAC) nga Karolina e Jugut, do të ndihmojë në hetim. “Me sa kuptojmë, Prokuroria e Përgjithshme, si pjesë e hetimeve të saj, do të hetojë edhe rolin e mundshëm të SAC në këtë tragjedi. Ambasada e SHBA-ve do të bëjë çdo gjë brenda mundësive të saj për të ndihmuar në hetimin e prokurores së Përgjithshme”, - është shprehur zyrtarisht për këtë çështje Ambasada Amerikane në Tiranë.
28 Mars 2008