E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Më vjen turp për kryeministrin e vendit tim”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka komentuar publikimin e artikullit investigativ për trafikun e armëve në Shqipëri, të botuar në gazetën prestigjioze amerikane “Nju Jork Tajms”. Rama ka shprehur keqardhjen për dëmtimin që i ka shkaktuar imazhit të vendit qeveria shqiptare, e cila me paaftësinë, korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë e saj është bërë pjesë e trafikut të armëve. “Ndjehem vërtet shumë keq që kjo qeveri, e dalë nga vota antikorrupsion e 3 korrikut 2005, e ka nxjerrë sot Shqipërinë në pasqyrën më të respektuar të opinionit publik botëror, si një vend kryeministri i të cilit merret me trafik armësh dhe që ky kryeministër, i votuar nga populli për të qeverisur me duar të pastra, ka gatuar me duart e tij një batak të paparë korrupsioni që sot ka mbuluar faqen e parë të njërës prej gazetave më të lexuara e të respektuara të planetit”, - tha Rama. Kreu i selisë rozë tha se reagimi i kryeministrit Berisha në drejtim të gazetës amerikane ishte i turpshëm dhe ishte shprehje e mentalitetit komunist të tij. “Ndjehem vërtet shumë keq që sot kryeministri i vendit tonë e i fëmijëve tanë, ka akuzuar NYT me gjuhën që diktatura e deridjeshme komuniste akuzonte botën e lirë dhe burimet e saj të lirisë së informimit, për mbrojtje të interesave të armiqve të Shqipërisë e të procesit të integrimit të vendit tonë në NATO, madje zoti kryeministër ka shkruar edhe më larg, e ka akuzuar NYT si të kapur nga mafia duke na mbuluar me turp ne të gjithëve, që kemi për kryeministër një personazh të kapur në flagrancë nga një investigim ndërkombëtar e që ka paturpësinë të akuzojë si mafiozë hetuesit e tij, gazetarë të një gazete që është bërë e famshme për betejat e saj me pushtetet okulte”, - vijoi Rama. Ai i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të japë dorëheqjen dhe të dorëzojë imunitetin, për t’u marrë në pyetje nga organet e Drejtësisë. “Ju duhet të dorëhiqeni, zoti kryeministër, dhe duhet të hiqni dorë edhe nga imuniteti juaj, për të cilin gjithnjë keni thënë se jeni gati ta dorëzoni, por që mesa duket sot e shihni si të vetmen armë për t’u mbrojtur nga drejtësia, mbi të cilën vazhdoni të ndikoni me hijen e një pushteti që ka humbur çdo lloj legjitimiteti”, - deklaroi kryetari i PS-së, Edi Rama.

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›