E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani në Shqipëri, jo thjesht ëndërr



“Milani për një miqësore në Shqipëri? Asgjë nuk është e pamundur, por gjithçka varet nga një telefonatë e zotit Taçi drejtuar presidentit Berluskoni”. Kjo është përgjigjja e Daniele Masaros, ish-sulmuesit të Milanit dhe të Italisë, tashmë në detyrën e përgjegjësit të Marrëdhënieve me Publikun te Milani, “Il clubo piu titolato nel mondo” (klubi me më shumë trofe në botë).
“ALO-ja E TAÇIT”
Kampioni i madh e tha qartë. Milan e ka për traditë të zhvillojë miqësore në vende të ndryshme gjatë përgatitjeve verore. Por edhe për kortezinë e rastit dhe për të theksuar lidhjen e veçantë të miqësisë Berluskoni-Taçi, Masaro vuri theksin se biznesmenit të fuqishëm shqiptar i mjafton një “alo” drejtuar dy herë ish-kryeministrit italian për të sjellë kapitenin legjendar Paolo Maldini dhe fituesin e “Topit të artë” në kryeqytetin shqiptar. “Milani nënshkroi një kontratë me kompaninë ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe për këtë arsye u stërvit atje për një javë në Dubai. Gjatë kampionatit Milani i ka të programuara të gjitha datat, por gjatë përgatitjeve verore, pse jo, mund të vijë në Shqipëri për një ndeshje miqësore. Por këtu pranë nesh ndodhet i vetmi person që mund ta arrijë ta organizojë këtë. Mjafton një telefonatë e zotit Taçi me presidentin Berluskoni”.
“GRAZIE BERLUSKONI”
“Dëshiroj t’i bëj një falënderim publik presidentit të AC Milan, zotit Silvio Berluskoni, i cili më ka siguruar për ndjenjën e simpatisë së veçantë për Shqipërinë si dhe për inkurajimin e projekteve të tilla me rëndësi për ne”, – theksoi presidenti i kompanisë “Taçi Oil”, që zotëron 30 për qind të tregut të karburanteve në Shqipëri dhe ka më shumë së 100 stacione furnizimi në të gjithë vendin tonë.
NDËRMARRJE SERIOZE
Menaxheri i përgjithshëm i kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi, e ka cilësuar si tepër serioz bashkëpunimin me klubin e Milanit dhe impenjimin që ata kanë ndërmarrë në Shqipëri. “Falënderojmë Milanin që na beri pjesë të historisë së tij duke besuar që shumë shpejt skuadrën e madhe të kuqezinjve do ta kemi për të luajtur për herë të parë në Shqipëri”, - u shpreh bosi i “Taçi Oil” gjatë prezantimit në Tiranë të të parit “Milan Junior Camp” në Shqipëri.
POTENCIAL FUTBOLLISTIK
“Jemi këtu në Shqipëri pasi besojmë fort në potencialin futbollistik të këtij vendi”, - tha Masaro, babai i të cilit ka qenë ushtar në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore, madje edhe i burgosur. “Babai im, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta dy vjet më parë, më ka folur thuajse çdo natë për këtë vend kur unë isha i vogël”, - tha Masaro me një ton ku dallohej lehtësisht mallëngjimi. “Të rinjtë që do të marrin pjesë në ‘Milan Junior Camp’ do të kenë mundësi të stërviten duke përdorur metodat e stafit zyrtar kuqezi”.
SEKRETET E MILANIT
“Kampingu do të zhvillohet nga data 30 qershor deri më 4 korrik në Tiranë”, - tha Marko Skembri, drejtori i Përgjithshëm i “World Camp”, pranë Milanit. “Pjesa më e madhe e aktivitetit do të zhvillohet në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ e kompleksin ‘Dinamo’, ndërsa takimi përfundimtar do të zhvillohet në ‘Qemal Stafa’, njëherësh edhe stadiumi më i madh në Shqipëri”, - theksoi Skembri. Në kamping do të marrin pjesë fëmijë nga mosha 8 deri në 16 vjeç dhe që dëshirojnë të mësojnë sekretet e futbollit milanist.
“MILANISTË SHQIPTAR˔
Në fakt, ngjyrat e Milanit dhe të Shqipërisë janë identike: kuq e zi. Një përputhje fati. Por që nga sot e tutje do të kenë edhe një simbolikë bashkëpunimi. “Unë besoj shumë se nisja e këtij projekti të rëndësishëm këtu do të sjellë jo vetëm kënaqësinë time, por jam i bindur dhe për të gjithë, në këtë sallë e jashtë saj, se do të shohim shumë shpejt në ‘San Siro’ futbollistë shqiptarë të luajnë krahas emrave të mëdhenj të Milanit”, - shpreh bindjen Taçi.
3 TALENTET SHQIPTARE
Tre fëmijët shqiptarë më të talentuar të “Milan Junior Camp Tirana” do të plotësojnë një ëndërr të madhe. “Nëse do të evidentojmë fëmijë me talent të veçantë, do t’i ndjekim me vëmendje dhe do t’u ofrojmë atyre mundësinë të bashkohen me familjen e madhe kuqezi. Jam veçanërisht i bindur se do të gjejmë edhe në Shqipëri, aty ky Seria A italiane është kampionati më i ndjekur”, - tha Masaro, një ndër lojtarët më të spikatur italianë të viteve ‘80. Fama e tij arriti kulmin gjatë periudhës që luajti me Milanin, skuadër më të cilën luajti 208 ndeshje dhe shënoi 50 gola. “Tre fëmijët më të talentuar do të ftohen në Milano për të dëshmuar në ‘Xhuzepe Meaca’ talentin e tyre”, - premton drejtori i Përgjithshëm i “World Camp”, Marko Skembri.
15 mijë fëmijë
Milani ka një filozofi të qartë dhe e di se çfarë “prodhimi mund të korrë”. “Filozofia jonë është kultivimi i talenteve në vendet e tyre”, - thotë Françeska Pietra, përgjegjëse e “Milan Junior Camp”. “Ne dëshirojmë t’i rrisim përmes mësimeve dhe disiplinës taktike të ofruar nga trajnerët tanë”. Këtë vit në 37 kampingjet “Milan Junior Camp” në pesë kontinentet do të marrin pjesë 15 mijë djem e vajza. Milani është sinonim jo vetëm i lavdisë italiane të futbollit spektakolar, por nga viti 1899 (vit i themelimit) ka në muzeun e tij 17 kampionate në Serinë A, 7 Liga Kampionësh, 3 Kupa Interkontinentale, 1 Botëror për klube, 4 Superkupa Europiane, 5 Superkupa të Italisë, 3 Kupa të Italisë dhe 2 Kupa të Kupave.

“Milan Junior Camp”

“Milan Junior Camp”, që do të zhvillohet në Tiranë, është parashikuar për djemtë dhe vajzat nga 6 deri në 16 vjeç. Ky kamp trajton njëkohësisht dy elementë të rëndësishëm të futbollit: anën fizike dhe atë psikologjike. Pas suksesit të edicioneve të organizuara në vende të tjera si Itali, Greqi, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Hungari, ky kamp mbërrin për herë të parë në Shqipëri nga data 30 qershor deri më 4 korrik 2008, në qytetin e Tiranës, në stadiumet “Qemal Stafa”, “Selman Stërmasi” si dhe në ambientet stërvitore të Klubit të Dinamos. Në konferencën e shtypit ishin të pranishëm Daniele Masaro, përgjegjësi për Marrëdhëniet me Publikun te klubi i A.C.Milan, Françeska Pietra, menaxhere marketingu e projektit të të rinjve të Milanit, Marko Skembri, menaxher i përgjithshëm i “World Camp International”, Anila Godo, përfaqësuese e fondacionit të fëmijëve shqiptarë “Domenick Scaglione”, Rezart Taçi, menaxher i përgjithshëm i “Taçi Oil International” dhe ambasadori italian në Shqipëri, Saba d’Elia.

DINAMO ME FAT

“Klubi i futbollit “Dinamo” e ka eksperiencën e strukturën e duhur për të bashkëpunuar e për të qenë partner serioz me ekipe të mëdha si Milani”, - tha presidenti i “Bluve”, Besnik Sulaj. “Ky aktivitet do t’i shërbejë futbollit shqiptar, por dhe ekipeve të moshave të Dinamos”, - shtoi Sulaj, duke pohuar se klubi i tij ndihej i privilegjuar të mikpriste fëmijët në kampingun “Milan Junior Camp”.

MODALITETET E REGJISTRIMIT

“Milan Camp Junior Tirana” ka dhe presidentin e tij, zotin Mustafa Taçi. “Kam qenë një tifoz i hershëm i Milanit. Unë besoj se do të jetë një aktivitet shumë i rëndësishëm”, - thotë Taçi “Senior”. “Presidenti Silvio Berluskoni, kur ndërmori këtë hap, besonte shumë se në Shqipëri ka talente”. Edhe pse aktiviteti fillon në fund të qershorit, fëmijët shqiptarë mund të regjistron qysh tani. “Zyrat e kompanisë sonë janë të hapura për regjistrimin e tyre ku rreth 400 kandidatët do të njihen edhe me modalitetet që duhet të plotësojnë”.

PROGRAMI “FUTURA”

Banka italiane Intesa San Paolo, pronarja e Bankës Amerikane të Shqipërisë, është një nga sponsorit e aktivitetit “Milan Camp Junior”. “Sigurisht që ka një rol thelbësor”, - thotë Laureta Basha, zëvendëspresidentja e Bankës Amerikane të Shqipërisë. “Intesa San Paolo është sponsori zyrtar i Milanit në Itali. Kjo iniciativë e bankës nuk është vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet ku kampingjet e Milanit janë të pranishme. Banka ka një program llogarie ‘Futura’ dedikuar fëmijëve”.

NDIHMA PËR FËMIJËT

“Nuk na intereson vetëm të sjellim futbollin e Milanit në Shqipëri, por edhe të japim një kontribut tonin përmes fondacionit të fëmijëve ‘Domeniko Scaglione’ të drejtuar nga zonja Liri Berisha”, - tha Marko Skembri. “Italianët janë të kënaqur që të ndihmojnë fëmijët shqiptarë edhe për të studiuar në Itali apo të jenë pjesë e programeve të ndryshme”, - tha Anila Godo, një përfaqësuese e fondacionit shqiptar.

KUJTIM I RRALLË

Shqiptarët kanë parë të “gjallë” në hotel “Sheraton” kupën e Ligës së Kampioneve, apo “kupën me veshë”, trofeun më të ëndërruar nga të gjitha ekipet europiane, pikërisht atë të fituar në Athinë në vitin 2007 kundër Liverpulit, me dy gola të Pipo Inzagit. Emocione dhe kurioziteti ishte mbërthyer bashkë, por edhe ngutja për të bërë foto me të ishte e pabesueshme. Blicet e aparateve dixhitale nuk kishin të ndalur.

Masaro: “Javë e veçantë për fëmijët”

Zoti Masaro, diçka më shumë për projektin “Milan Camp Junior”?

Projekti do të zgjasë fillimisht tre vjet. Ne shpresojmë se aktiviteti do të përfundojë me sukses për të na dhënë mundësi për të vazhduar përtej këtij afati. Unë e konsideroj një iniciativë shumë të mirë në dobi të futbollit. Falë këtyre fëmijëve do të kemi mundësi për të kaluar në Shqipëri një javë shumë të veçantë. Për fat të mirë ia dolëm që të ngremë edhe këtu në Shqipëri një kamping të Milanit, futbollit i të cilit është shumë i ndjekur.
Si do të procedohet për të evidentuar talentet shqiptare brenda një periudhe prej pesë ditësh?
E rëndësishme është që fëmijët të argëtohen. Por është e natyrshme që ne do të vijmë këtu në Shqipëri edhe për të kërkuar talente. E rëndësishme është që ata kanë mundësinë për të qenë pjesë e një klubi të madh. Sigurisht që nëse do të konstatojmë fëmijë të veçantë për nga talenti, do t’i ndjekim me shumë kujdes për të ardhmen e për t’i çuar më pas në Milanelo.
Ky projekt ekziston prej vitesh në vendet e tjera. A ka pasur ndonjë fëmijë, të cilin Milani e ka sjellë në Itali?
Po. Kanë qenë fëmijë të cilët na kanë befasuar me cilësitë e tyre dhe janë provuar te Milani. Por ne kemi një politikë e cila bazohet në vlerat sportive. Nuk do të ishte e drejtë që ne të merrnim menjëherë në Itali një fëmijë 9 apo 10 vjeç dhe ta shkëpusnim nga familja. Personalisht kam parë fëmijë me cilësi të mëdha. Kam parë një djalë të jashtëzakonshëm në Australi dhe kur të vijë momenti i duhur në Milanelo. Shqipëria ndodhet shumë pranë e Italisë dhe është mundësia që t’i marrim më shpesh fëmijët në vendin tonë.
Intervistoi: D. Frashëri

27 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›