Rinasi rritet me 22% në vit

Aeroporti nderkombetar mori dje nje kredi per te ndertuar nje terminal te ri. Fluks i jashtezakonshem pasagjeresh. Tirana mund te shnderrohet ne nje nyje te madhe ajrore
Llojshmëria e shërbimeve që ofrohen në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, ka sjellë që ky i fundit për gjatë vitit 2007 të shënojë fluksin më të lartë të fluturimeve. Rezultat e larta që ka shënuar Aeroporti Ndërkombëtar, ka sjellë që të lerë mbrapa homologët e tij në vendet evropiane. Burime zyrtare pranë Aeroportit të Rinasit thanë për gazetën “Korrieri” se TIA ka shënuar 22 për qind rritje më shumë të fluturimeve krahasuar me aeroportet e tjera të Evropës. Sipas të njëjtave burime kjo ka ardhur si rezultat i modernizimit të shpejtë të shërbimeve dhe përmirësimi i infrastrukturës që kanë garantuar suksesin. Por nuk mjafton me kaq. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) do të vazhdojë modernizimin me mbështetjen e financiare në formën e kredisë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), DEG-Deutsche Investitions- und Entëicklungsgesellschaft (DEG), Bankës Alpha dhe të Bankës Amerikane të Shqipërisë (ABA), në një shumë që kap shifrën e 46.9 milion eurove. Projekti, që shënon fazën B të realizimit të marrëveshjes së koncensionit, përfshin zgjerimin e terminalit të ri të pasagjerëve, ndërtimin e godinave të reja të aeroportit dhe investime për sisteme dhe pajisje të reja. Zgjerimi pritet të nisë në verën e vitit 2008 dhe të përfundojë në 2009-ën. “Këto kredi do të ndihmojnë në krijimin e infrastukturës më dinamike në vend dhe përmes tyre ne do të zgjerojmë llojshmërinë e shërbimeve për klientët tanë, duke garantuar kështu një përfitim të dyfishtë për kompaninë tonë dhe Shqipërinë. Duke nisur realizimin e fazës B në aeroport, partneriteti strategjik me bankat do të sigurojë standarde të larta në komoditetin dhe sigurinë e pasagjerëve, në rritje bindëse dhe arritje të qëndrueshme për një periudhë afatgjatë,” thotë Kryetari i Këshillit Administrativ të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Dr. Reinhard Kalenda. Ndërkohë që shuma e 22 milion eurove do të përdoret për realizimin e fazës B, pjesa tjetër prej 24.9 milion eurosh do të përdoret për të ristrukturuar kreditë fillestare që bankat i dhanë TIA-s më 2005-ën. Ky fakt reflekton profilin e përmirësuar të riskut në TIA. Dhënia e kushteve të reja të kreditimit për TIA-n është rezultat i rezultateve të larta dhe ndërmarrjeve të suksesshme. Si e tillë, kjo kredi shënon fillimin e një etape të re në transaksionet në Shqipëri. “Ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Termat e kredisë së re japin një mesazh pozitiv, të qartë, mbi gjendjen e zhvillimit të mjedisit komercial, politik dhe ligjor për ndërmarrjet publike-private në Shqipëri. Risitë e strukturës së re e bëjnë atë shembull për investimet private në aeroportet e shkallës se mesme në rajon. Ky është një model që fare mirë mund të imitohej diku tjetër në Evropën juglindore,” thotë Sue Barrett, Drejtore për Transportin në EBRD. Kredia e parë nga bankat u përdor për ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve, terminalit të ri të mallrave dhe ambjenteve të parkimit. Faza A e Marrëveshjes së Koncesionit u mbyll me sukses në mars të 2007-ës, me hapjen e terminalit të ri të pasagjerëve. Që prej asaj periudhe TIA ka vendosur rekorde në numrin e pasagjerëve dhe linjave ajrore që përdorin aeroportin.