E Diel, 1 Nëntor 2026

Artistët e rinj: Të promovojmë vetveten

Të shqetësuar gjithnjë për mungesën e vëmendjes, hapësirat e vogla promovuese, artistët e rinj kanë vendosur të kundërpërgjigjen. Gjashtë të rinj, disa të sapodiplomuar e disa ende studentë në teatër apo film, janë bashkuar për të krijuar shoqatën "First Step" (Hapi i parë). Gledis Bica, Devis Muka, Odeta Cunaj, Jonida Cunga, Edon Agushi, Klodian Hoxha kanë prezantuar dje programin e shoqatës së tyre për vitin 2010. Një festival teatri për shkollat e mesme, një festival për filmin e shkurtër studentor, database për të gjithë artistët e rinj dhe një konkurs skenarësh në shoqatën franceze, "Nisi Masa". Në sallën "Black Box" të Akademisë së Arteve janë shfaqur pas konferencës së shtypit disa filma të shkurtër, pjesë e projektit "Matter of Taste" (Çështje shijesh) të kësaj shoqate. Nuk kanë siguruar një mbështetje të mirëfilltë financiare, por duan ta vazhdojnë këtë iniciativë në mbështetje të të rinjve. Jonida Cunga, një prej anëtareve të kësaj shoqate, tregon qëllimin dhe shtysat që i çuan në këtë sipërmarrje.

Një shoqatë e re artistësh. Pse është e nevojshme dhe cila qe shtysa?

"First step Association" është një nismë mes miqsh dhe kolegësh, për të pasur një shoqatë që do të mbështesë dhe promovojë artistët e rinj në fushën e teatrit dhe kinemasë, por ndoshta dhe në projekte të tjera që do të vijnë më vonë. Na është dashur një kohë gati 2-vjeçare, gjatë së cilës kemi vendosur kontakte dhe kemi organizuar strukturën e nevojshme. Duke qenë vetë artistë të rinj kemi pasur shumë probleme për t‘u afirmuar apo për të qenë të pranishëm me projekte tonat. Ishte e vështirë të thyhej akulli dhe për të mposhtur këto barriera vendosëm të krijojmë vetë diçka, në mënyrë që të rinjtë që do vijnë pas nesh, të mos i kenë kaq të theksuara problemet në mbështetjen e ideve dhe gjetjen e fondeve.

Cilat janë strategjitë tuaja për mbështetjen e të rinjve? Si do të funksionojë shoqata?

Fillimisht ne kemi menduar për katër projekte që do të realizohen gjatë vitit 2010. I pari ka të bëjë me organizimin e një festivali teatror mes shkollave të mesme, ku studentë që sapo kanë mbaruar apo vazhdojnë Akademinë e Arteve dhe do të punojnë për të përgatitur të rinj nga shkollat e mesme në realizimin e shfaqjeve teatrore. Kjo është një nismë për t‘i afruar të rinjtë drejt artit dhe një mundësi që të shfaqin talentin e tyre. Projekti i dytë organizohet në bashkëpunim me shoqatën franceze, "Nisi Masa", e cila ka lidhje me rreth 20 shtete në Europë, mes të cilëve jemi dhe ne. Ky projekt do t‘u japë mundësi kineastëve të rinj mes moshës 18-28 vjeçare që të konkurrojnë me skenar pranë kësaj shoqate. Nëse përzgjidhen fitues, ata do të kenë mundësinë të realizojnë filmat në Paris me producentë të vërtetë. Pasi do shfaqen në kuadër të aktiviteteve të "Nisi Masa", mund të konkurrojnë më tej në festivale ndërkombëtare. Projekti i tretë ka të bëjë me krijimin e një database me të gjitha të dhënat e artistëve të rinj. Të gjithë e kemi provuar se të ashtuquajturat kastin, qoftë me regjisorë shqiptarë apo të huaj, deri më tani kanë funksionuar kryesisht përmes njohjeve. Në faqen tonë të internetit do të ketë të dhëna të plota për çdo artist të ri. Ne do të ndërmjetësojmë kontaktet me të interesuarit, por do të mbrojmë edhe të drejtat që kanë të bëjnë me nënshkrime kontratash. Festivali i filmit të shkurtër do të jetë projekti i katërt për vitin 2010. Do të jetë festivali i parë i filmit për studentë në Shqipëri. Ne do të kontaktojmë me shkollat e Ballkanit, Europës e në të ardhmen shpresojmë më gjerë të ndihmuar edhe nga festivali i ngjashëm "Skena up" në Prishtinë, për të sjellë disa nga filmat e përzgjedhur. Fillimisht mendojmë të jetë katër apo pesë ditë. Për mungesë fondesh, ndoshta nuk do të jetë me shumë të ftuar, por do të krijojë ura komunikimi.

Jeni nisur nga përvoja vetjake, mungesat tuaja për hartimin e programit?

Akademia e Arteve deri më tani nuk ka pasur mundësinë të ketë një festival studentor ndërkombëtar për film dhe teatër, që kanë vendet shumë pranë nesh, si Maqedonia e Kosova. Kjo i ndihmon shumë studentët të shohin se çfarë ndodh përtej mureve tona, të ballafaqohen, të shohin vlerat e tyre të vërteta e të shkëmbejnë përvoja. Përballja e parë për mua ka qenë në vitin e tretë të studimeve në Akademinë e Arteve, në një festival të mbajtur në Egjipt. Aty pashë shumëllojshmërinë e shfaqjeve, mënyrat e reja të të bërit art e të performuarit. Eksperiencat e tjera qenë në Maqedoni dhe Kosovë. Aty e pashë se sa të nevojshme janë këto kontakte për brezat që do të vijnë.

Ju prezantoni shoqatën që u adresohet të rinjve. Një nga problemet e hasura rëndom te ne janë financimet. Si do t‘i siguroni ato?

Ne shpresojmë që institucionet tona të jenë të ndjeshme ndaj kësaj iniciative. Ministria e Kulturës dhe Arsimit mund të jenë mbështetëse të projekteve të para që prezantuam. Më pas do të punojmë për të vënë kontakte. Ne jemi të vendosur që të punojmë për këtë iniciativë, edhe pse e dimë që mbështetja financiare s‘do të jetë e lehtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›