Ylli Plaka paraqet "Format e shpirtit"
Skulptori shqiptar, Ylli Plaka, është paraqitur para publikut italian me një ekspozitë personale në skulpturë, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 8 dhjetor. E titulluar "Format e shpirtit", kjo ekspozitë vjen si një festë e vogël për krijimtarinë 20-vjeçare të artistit shqiptar në Itali. Kryesisht punimet e tij janë në qeramikë, teknikë në të cilën artisti punon kryesisht. Skulptori shqiptar, Ylli Plaka, është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku ka ndjekur kursin me mjeshtrin e skulpturës, Thoma Thomai. Në vitin 1991 transferohet në Itali, ku jeton e punon në Savona. Plaka konsiderohet si një prej skulptorëve më interesantë të qeramikës në panoramën italiane. Gjatë viteve të fundit, veprat e tij kanë njohur një rritje të vazhdueshme po ashtu edhe sa i përket interesit të publikut e kritikës. Mënyra e tij e të gdhendurit të veprave dhe e të modeluarit është vlerësuar tepër, po ashtu edhe analiza e kujdesshme e formave dhe e domethënies së tyre. Krijimet e tij hyjnë në një komunikim të drejtpërdrejtë me atë që i vëzhgon, duke qëndruar ngaherë aktuale. Gjatë vitit 2009, një nga veprat e tij është vlerësuar me çmim të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Maiolica-s, duke rezultuar më e mira mes 500 punimeve në konkurrim.