"Skena up", 40 shtete takohen në Prishtinë
Për të shtatin vit me radhë, organizata joqeveritare "Skena Up" organizon Festivalin Ndërkombëtar të studentëve për film dhe teatër, që do të mbahet nga data 4 deri më 11 dhjetor. Për arsyen e mbajtjes së tij jo si zakonisht në nëntor, por në dhjetor, drejtori i këtij festivali, Arben Zharku, thotë se kanë qenë zgjedhjet lokale. Ato pra i kanë detyruar që t‘i lëvizin datat për një muaj më vonë. Studentët kosovarë dhe ata nga bota do të bëhen bashkë për të prezantuar para regjisorëve, producentëve, shkrimtarëve dhe aktorëve, krijimet e tyre. Organizatorët bëjnë të ditur se këtë vit shtetet pjesëmarrëse në festival kanë arritur numrin 40, ndërsa shkollat që i përfaqësojnë këto vende janë gjithnjë në rritje. Ndërkohë që përzgjedhjen e filmave konkurrues (rreth 500) e kanë realizuar Doruntina Basha dhe Visar Krusha, ndërsa për përzgjedhjen e programit të teatrit është përkujdesur Zana Hoxha Krasniqi. Krahas programit zyrtar të festivalit, sivjet, në bashkëpunim me Bernd Buder nga Gjermania, do të ketë një program special që fokusohet në regjisorët debutantë nga vendet e ish-Jugosllavisë, me prezantimin e 5 filmave çdo ditë. Nik Powell, producenti i njohur, drejtor i "National Film and Television School" dhe zv/kryesues i bordit të "European Academy Award", Katriel Schorys, drejtor i Fondacionit të Filmit të Izraelit dhe Jacques Achoti, janë të ftuarit e festivalit.