Publikohen letrat e panjohura që i dërgonte familjes
Dy libra të rinj për Nënë Terezën: nga historia e origjinës së saj në Shqipëri, te misticizmi që është një udhëtim i shpirtit të shenjtë në Kalkutë. Janë publikuar në Itali dy libra kushtuar figurës së kësaj shenjtoreje shqiptare. Njëri titullohet "Nënë Tereza - gjithçka nisi në tokën time", me autore Cristina Siccardi dhe tjetri "Misteri i Nënë Terezës" me autor Joseph Langford. Cristina Siccardi, shkrimtare e specializuar në shkrimin e biografive, thellon rrënjët shqiptare të Nënë Terezës, të ushqyera prej shekujsh nga feja e krishterë, kaq të forta sa i mbijetuan edhe pushtimit turk e më pas edhe diktaturës komuniste. Studimi ka qenë i mundshëm me ndihmën e Don Lush Gjergjit, i lindur në Kosovë 60 vite më parë, i rritur pranë Nënë Terezës, të cilin ajo e ka quajtur si birin e saj shpirtëror. Ai është njëkohësisht shkrimtar, gazetar, e sot prift në Katedralen e Prizrenit. E reja të cilën autorja përcjell përmes këtij libri ka të bëjë me historinë e origjinës së Gonxhe Bojaxhiut. Tokën ku lindi 100 vite më parë në vitin 1910, familjen që i transmetoi dashurinë për Zotin, dhe zemërgjerësinë kundrejt tjetrit. Vjen gjithashtu edhe një rrëfim për dhimbjen e madhe të Nënë Terezës për shkak të shkëputjes prej nënës së saj dhe motrës, të cilat nuk arriti t‘i shihte më, kur në moshën 18-vjeçare ajo u nis për në Indi; e flet gjithashtu edhe për ritakimin me të vëllain, Lazrin, i cili ishte transferuar në Itali. Përtej kujtimeve dhe hulumtimeve të sjella prej Don Lushit, libri është i pasuruar edhe me letra të panjohura, të cilat Nëna Terezë ia dërgonte familjes. Janë të mbushura gjithë mall, janë mallëngjyese si një përkëdhelje e shkëmbyer së largu. Ndërkaq, libri i autorit Joseph Langford është një udhëtim në shpirtin e Nënë Terezës. Ai vjen si një biografi shpirtërore. Aty autori thellon më tej misticizmin e shenjtërisë.