"Onufri 2009"
Asnjë paragjykim, asnjë gjini e mënjanuar, të gjitha janë të mirëpritura për edicionin XVI të Konkursit Ndërkombëtar të Arteve Pamore, "Onufri 2009". Angazhimi i kuratorit Parid Teferiçi, poet dhe piktor, vazhdon të jetë ngulmues, edhe tani që faza përzgjedhëse është thuajse drejt fundit. Dëshira e artistëve për t‘u bërë pjesë e këtij konkursi të rëndësishëm që tashmë është kthyer në një traditë, ka qenë vërtet e madhe, e jashtëzakonshme siç cilëson vetë kuratori i konkursit. Gjinitë me të cilat artistët marrin pjesë janë të ndryshme, jo vetëm piktura, por edhe mediumet e tjera, si fotografia e videoinstalacionet, do të jenë pjesë përbërëse e tij. "Deri më tani, unë kam piketuar një bërthamë të fortë artistësh të konfirmuar për pjesëmarrjen. Janë rreth 15, të cilët deri tani janë pjesë e këtij "Onufri". Ndërkaq po vazhdojmë ende punën për të parë mundësitë e pjesëmarrjes së artistëve të tjerë", tregon Parid Teferiçi. E ashtu siç edhe është bërë e ditur pak kohë më parë, këtij edicioni i mungon një temë orientuese për artistët. Ata do të jenë të lirë të shpërfaqin cilësitë e tyre me një vepër e cila të jetë përfaqësuese për ta. Vepra, e cila duhet të jetë e kohëve të fundit, duhet t‘u përkasë viteve 2008-2009. E sigurisht që ka edhe kritere mbi të cilat do të përzgjidhen këto vepra. "Kriteri i parë është cilësia e mirëfilltë e punëve, ajo duhet të jetë përfaqësuese e një momenti të caktuar, kur artisti ka krijuar. Me pak fjalë, ajo nuk mund të jetë një vepër e rastësishme, por duhet të ketë një domethënie të caktuar. Ndërkaq, kriteri i tretë dhe i fundit, por jo më pak i rëndësishmi, është që veprat e artistëve duhet të rrinë mirë krah njëra-tjetrës. Duhet të jetë në harmoni me veprat e tjera, të mos stonojë, pra të jetë thuajse në një linjë me të tjetrën", shprehet kuratori. Por a ka qenë e vështirë për artistët pjesëmarrja në një konkurs për të cilin nuk zhvillohet një temë e caktuar, siç ka ndodhur gjatë edicioneve të mëparshme? "Paradoksalisht disa prej artistëve e kanë parë si frenuese diçka të të tillë. Ndoshta sepse gjatë krijimtarisë së tyre janë mësuar të punojnë me porosi, ndërsa të tjerë e kanë pasur shumë më të lehtë faktin që nuk kanë një temë e cila t‘i kushtëzojë, ashtu siç edhe ka nga ata që më kanë paraqitur vepra të cilat i kanë punuar për pasionin e tyre dhe më kanë njohur pikërisht me këto punë", vijon më tej ai. Fillimisht, kur edhe u bë publike për mediat nisja e punës parapërgatitore për këtë konkurs, kuratori është shprehur se dëshiroi të bënte një "Onufër", në të cilin kuratori të jetë në rolin më modest të mundshëm. Ku ai të jetë thjesht një sistemues, reklamues dhe vetrinist i një situate të caktuar, jo imponues i një vizioni, apo i një teme. Edhe pse tashmë "Onufri" ka kaluar në fazën përmbyllëse të tij, Parid Teferiçi thotë se nuk është vendosur një numër i caktuar pjesëmarrësish në konkurs, pavarësisht se kufizimi i vetëm vjen për shkak të hapësirës së galerisë. Edicioni XVI i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore, "Onufri 2009″, do të hapet më 24 dhjetor në Galerinë Kombëtare të Arteve. Konkursi do të qëndrojë i hapur deri më 4 shkurt të vitit të ardhshëm. Konkursi Ndërkombëtar "Onufri", i organizuar për herë të parë në vitin 1993, mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës së shekulli XVI.