Marjeta Ljarja, rikthehet në skenën shqiptare nën petkun e nënës
Tragjikomedia "Gjashtë personazheve që kërkojnë autor" rikthen për publikun aktoren, ikonë të skenës dhe filmit shqiptar, Marjeta Ljarja
Izaura Ndoj
Tragjikomedia “Gjashtë personazheve që kërkojnë autor” rikthen në skenën shqiptare një prej ikonave të teatrit dhe filmit shqiptar. Në këtë tragjikomedi të shkrimtarit dhe dramaturgut italian Luixhi Pirandelos do të rikthehet për publikun aktorja, ikonë e skenës dhe filmit shqiptar, Marjeta Ljarja. Ajo do të përballet me publikun duke veshur petkun e nënës, që ka mbi vete një dhimbje të madhe. Mes "Gjashtë personazheve që kërkojnë autor" është edhe Marjeta Ljarja, e njohur për rolet e saj të shumta në filma e teatër. E pyetur rreth veprës së Pirandelos, ajo vlerësoi duke thënë se, “Të jesh pjesë e një prej kryeveprave të Pirandelos është një nder i madh. Unë kam rolin e nënës në këtë pjesë, e cila është një personazh që flet pak, por të tjerët janë ata që flasin për të. Nëna është ajo që mbart dramën e madhe, dhe është një personazh që mban mbi vete shumë dhimbje për shkak se jeta e saj shënjohet prej shumë problemeve. Është një pjesë shumë e bukur”. Rikthimi për Ljarja është një shpërblim dhe respekt. “Për sa i takon rikthimit, them se shumë aktorëve iu ndodh që herë pas here të shkëputen nga skena për t'u rikthyer sërish. Dua të falënderoj Mehmet Xhelilin për ftesën e bërë që unë të merrja pjesë në këtë vepër të Luigi Pirandelos. Ne aktorët e kinemasë kemi një shans, që edhe kur mungojmë, nuk mungojmë sepse jemi afër publikut me filmat tanë që transmetohen”- shprehu Ljarja. Pjesëmarrja e aktores së njohur, ia shton vlerat tragjikomedisë dhe e bën më emocionale për publikun shqiptar. Marjeta Ljarja është një ndër aktoret e cila mbetet pa dyshim një prej emrave dhe artistëve të merituar, e cila është vlerësuar për një kontribut të çmuar në skenën dhe filmin shqiptar, duke u renditur përkrah emrave më të njohur. Rikthimi i saj në skenë vjen pas një mungese paksa të gjatë, dhe do të jetë pikërisht kjo vepër, e cila do të ngjitet në skenë nga regjisori i talentuar Mehmet Xhelili, që do të rikthejë në skenë aktoren Ljarja. Subjekti i tragjikomedisë mbështetet në një gjetje të mrekullueshme, sa të çuditshme e spektakolare, aq edhe tronditëse e emociononte, sa tragjike, aq edhe komike. Në të trajtohet një gamë e gjerë problemesh të karakterit psikologjik, social, filozofik dhe universal. Rezultati që përftohet në përpjekje për të vënë në skenë këtë dramë është një përzierje e tragjikes me komiken, e fantastikes me realisten, një situatë humoristike, tepër e veçantë dhe komplekse. Dramën e përmban historia që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrës, kurse, komedia vjen nga përpjekja e kotë që kjo dramë të mund të realizohet në skenë sepse personazhet nuk bien dakord me aktorët dhe, madje përfshihen në një konflikt me kthesa humoristike se kush janë më të rëndësishëm, ata, personazhet, apo njerëzit e gjallë. Gjashtë personazhe kërkojnë autor është një vepër që pasqyron fuqishëm natyrën tragji-komike të ekzistencës sonë dhe dhimbjen e të ekzistuarit. Por ajo është edhe një dramë e fuqishme sociale që ve gishtin në plagë të tilla si degradimi i familjes, varfëria, prostitucioni, incesti, etj. Ajo është gjithashtu një dramë që pasqyron poetikën e teatrit, e këtij tempulli të shenjtë, i kësaj kutie magjike ku buron pasioni dhe dashuria, ku zbulohet misteri i ekzistencës, por edhe zbavitja dhe spektakli. Do të jetë pikërisht regjisor i njohur Mehmet Xhelili, i cili me këtë vepër veç aktores Ljarja do të ngjisë dhe të tjerë emra aktorësh të talentuar të skenës shqiptare.
4 Shkurt 2010