E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihma ekonomike, familjet përfituese do të kontrollohen në terren për gjendjen ekonomike

Jonida Tashi

Duke filluar që nga ky muaj e gjatë gjithë vitit 2010, familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike do të verifikohen në shtëpi për gjendjen e tyre ekonomike. Ministri i Punës, Spiro Ksera, ka kërkuar së fundi nga drejtoritë rajonale që të mos mjaftohen vetëm me kontrollin e dokumentacionit të personave që përfitojnë ndihmë ekonomike, por të inspektojnë gjendjen në terren dhe të verifikojnë konkretisht familjet në nevojë. Po ashtu, kreu i Ministrisë së Punës, ka kërkuar që, për çdo rast, të evidentuar të abuzimit me skemën e ndihmës ekonomike të zbatohet pa hezitim ligji, që nga ndalimi i pagës së administratorit deri në dërgim për ndjekje penale për personat përgjegjës. Përveç zbatimit të dy masave të mësipërme, Ministria e Punës është në proces të rishikimit të legjislacionit në fushën sociale, ku parashikohet reformim i plotë i skemës së ndihmës ekonomike.
Takimi
Për të nisur verifikimin në terren të familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, ministri i Punës ka mbledhur pak kohë më parë në një takim, drejtorët e zyrave rajonale të shërbimit social. Në këtë takim, Spiro Ksera, ka kërkuar nga drejtorët e zyrave rajonale të shërbimit social informim rreth ecurisë së menaxhimit të skemës së ndihmës ekonomike. Po ashtu, Ksera, ka kërkuar sugjerime dhe propozime për përmirësimin e legjislacionit në këtë fushë, me qëllim që objektivi i qeverisë që deri në 2013 asnjë familje të mos jetojë nën nivelin e varfërisë ekstreme, të jetë i arritshëm. “Qeveria është e shqetësuar për problematikën e hasur në sistemin e ndihmës ekonomike. Me gjithë përpjekjet e bëra, ende skema nuk është pastruar nga abuzivizmi dhe ende, për fat të keq, ka familje që edhe pse në varfëri, apo varfëri ekstreme, nuk janë të përfshira në këtë skemë”,- ka deklaruar ministri i Punës.
Abuzimet
Për të eliminuar sa më shumë abuzimet që bëhen në skemën e ndihmës ekonomike, ministri ka kërkuar nga drejtoritë rajonale dhe inspektorët e tyre përgjegjshmëri më të madhe në kryerjen e detyrës, bashkëpunim të ngushtë dhe në vazhdimësi me njësitë vendore dhe administratorët për menaxhimin e skemës, në përpjekje të përbashkëta për zgjerimin e abuzimeve me këtë skemë. “Qeveria është e vendosur që të rrisë mbështetjen për shtresat në nevojë. Kjo rritje buxheti duhet të shoqërohet dhe do të shoqërohet nga ana juaj me inspektime më të ashpra dhe me masa të menjëhershme për abuzuesit”,- ka pohuar Ksera. Sipas tij, kushtëzimi i ndihmës ekonomike me punë në komunitet duhet të zbatohet në të gjithë njësitë vendore dhe strukturat e zyrave rajonale duhet të ofrojnë mbështetje për hartimin dhe zbatimin projekteve komunitare.

Sa do të reduktohet numri i përfituesve deri në vitin 2013

Ministria e Punës ka zbardhur në shifra numrin e familjeve që do të përjashtohen nga skema e ndihmës duke filluar që nga viti 2010 deri në 2013. Për vitin 2010, Ministria e Punës ka parashikuar që numri total i përfituesve të kësaj ndihme të jetë 80 mijë familje. Një vit më pas, në 2011-n sipas parashikimit të dikasterit të Punës, do të ketë edhe më pak përfitues në këtë skemë, numri total i të cilëve do të arrijë në 74000. Më e qëndrueshme skema e ndihmës ekonomike do të jetë gjatë viteve 2012 dhe 2013, pasi për këtë hark kohor është vendosur që numri i përfituesve të jetë 70 000 përfitues për çdo vit, çka do të thotë se lëvizjet në skemë do të jenë të reduktuara. Në kah të kundërt me numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike është parashikuar të shkoj rritja e masës së kësaj pagese sociale. Kështu, deri në vitin 2013, propozohet që masa e ndihmës ekonomike për familje të tentojë arritjen e treguesit të nivelit të varfërisë për person, por brenda një kufiri tavan që nuk e kalon nivelin e pensionit minimal në shkallë vendi. Masa mujore e ndihmës ekonomike në vlerë do të vazhdojë të llogaritet në përputhje me strukturën e familjes e diferencuar për grupet e ndryshme të anëtarëve të saj, në vartësi edhe me karakteristikat e varfërisë. Sakaq, kufiri minimal dhe maksimal i ndihmës ekonomike do të përcaktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave, në vartësi me ritmet e rritjes së pensionit minimal në qytet në shkallë vendi, progresin ekonomik dhe burimet buxhetore. Për 2009, niveli maksimal i ndihmës ekonomike ishte 7500 lekë në muaj për familje, ndërsa niveli minimal 1000 lekë në muaj për ndihmën ekonomike e pjesshme. Në këtë periudhë, do te mbeten të pa ndryshuara pagesat për anëtarët e familjes sipas strukturës së saj. Më pas, këto pagesa do të rriten gradualisht nga viti në vit. Sipas Ministrisë së Punës, rritja e masës së mbulimit të nevojave të familjeve të varfra do të realizohet nga: rritja e fondeve buxhetore që do te transferohen në programin e ndihmës ekonomike si dhe nga ulja e numrit të familjeve përfituese nga skema si rezultat i rritjes ekonomike.

Landfill-i i Sharrës
Edi Rama inspektoi punën e deritanishme për zbatimin e projektit

Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, inspektoi dje punën e deritanishme për zbatimin e projektit për transformimin e Landfill-it të Sharrës, sipas parametrave bashkëkohorë. “Transformimi i kësaj fushe, e cila është nën kujdesin e të gjithë qytetarëve, si një nga pikat më problematike, më të vështira dhe më të dëmshme të kryeqytetit, në një Landfill modern të përmasave bashkëkohore dhe ku mbeturinat trajtohen në mënyrë bashkëkohore, është shprehje e një transformimi tërësor të Tiranës, në funksion të cilësisë së jetës së qytetarëve”,- ka deklaruar Rama gjatë inspektimit të punimeve. Në Sharrë depozitohen rreth 1000 tonë mbetje në ditë, të cilat trajtohen, përpunohen sipas standardeve europiane. Gjithçka kryhet sipas një procesi zinxhir, ku përfshihet mbledhja, transporti, ngjeshja, trajtimi, deri në destinacionin e tyre final, që është mbulimi me një shtresë të caktuar dheu. I gjithë procesi është i kontrolluar nga specialistë të mjedisit, për të mos neglizhuar asnjë fazë të mbarëvajtjes së tij. Deri tani, në Landfill-in e Sharrës janë kryer katër komplete analizash periodike për cilësinë e ajrit të çliruar, nivelin dhe përbërjen e ujërave nëntokësore e mbitokësorë dhe një sërë elementësh të tjerë, me qëllim trajtimin e mbeturinave nëpërmjet një koncepti teknik të kontrolluar sanitar. Reduktimi i efekteve të mbetjeve urbane në natyrë dhe në ambient, mundësia e rikuperimit të burimeve nga to, por edhe reduktimi i prodhimit të vetë mbetjeve, mbeten sfidat që për specialistët dhe inxhinierët e mjedisit janë shtysat drejt zgjidhjeve të sigurta për shëndetin e qytetarëve dhe për ambientin që na rrethon. Panorama e menaxhimit të mbetjeve urbane në Landfill-in e Sharrës karakterizohet nga një angazhim i strukturave të ngritura enkas nga Bashkia e Tiranës, ku nuk ekzistojnë më ndërhyrje dhe zgjidhje emergjente, por një koncept ambiental i strukturuar sipas standardeve europiane.

4 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›