Biblioteka Kombëtare rregullon sallën e leximit
Shumë shpejt Biblioteka Kombëtare në kryeqytet do të ketë një sallë të re për lexuesit me kushte më komode dhe mjedise bashkëkohore. Tashmë punimet kanë nisur dhe do të vazhdojnë për disa javë me radhë, siç tregon vetë drejtori Aurel Plasari, i cili thotë për gazetën “Albania” se “gjetëm sponsorin dhe nuk humbëm rastin për t’i kërkuar të rregullonte jo zyrën e drejtorit, por sallën e lexuesve, e cila kishte nevojë për riparime”. Kështu pra, kati i parë i Bibliotekës për nuk do të jetë funksional për publikun deri në fund të punës restauruese. Në fakt, përtej asaj që duket, nuk është normale që institucione të një rëndësie primare siç është Biblioteka Kombëtare në kryeqytet të lihen në pritje të sponsorëve privatë për të tilla rregullime të domosdoshme, ndërkohë që ka një Ministri Kulture, e cila fare mirë mund të akordonte fonde për të rregulluar, arreduar apo restauruar mjediset dhe pajisjet e saj. Ndërkaq, puna e filluar në sallën e madhe të kësaj biblioteke ka bërë që të ndërpriten leximet në sallë dhe aktivitetet e planifikuara për t’u zhvilluar këto kohë nga, ose në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare.
25 Mars 2009