E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: 50-60% e shqiptarëve paguajnë para nën dorë

SHKRUAN: Jonida Tashi 09-04-2011 12:36

Gjysma e shqiptarëve paguajnë para nën dorë për të marrë shërbimin shëndetësor. Këtë herë denoncimi i këtij fenomeni nuk bëhet nga pacientët apo institucionet në mbrojtje të tyre, por nga ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Deklarata është bërë dje, gjatë prezantimit të projektit 5-vjeçar të USAID-it për fushën e shëndetësisë, aktivitet që ka mbledhur bashkë ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu, kryeministrin e vendit, Sali Berisha dhe ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, për të diskutuar rreth problematikave të këtij sektori dhe hapave që duhet të ndërmerren në të ardhmen për përmirësimin e tij. Ambasadori amerikan, duke konfirmuar ndihmën amerikane në projektet e shëndetësisë ka deklaruar se shëndetësia kërkon qeverisje të mirë. Për këtë qëllim, ambasadori kërkoi që faktorët kryesorë të politikëbërjes në vend, të shpenzojnë më shumë energji për sistemin shëndetësor sesa për të bërë politikë. “Politika është shumë e rëndësishme, por shumë energji shpenzohen për politikën. Shqipëria po përqendrohet në zgjedhjet vendore dhe dua të theksoj se duhet të shpenzohen më shumë energji për të ardhmen e këtij vendi dhe për sektorët jetikë. Shëndetësia kërkon një qeverisje të mirë”, - tha Arvizu. Përpos dhënies së këshillave për mirëfunksionimin e sistemit shëndetësor, ambasadori amerikan nuk ka lënë pa përmendur edhe një nga fenomenet më negative të këtij sektori, që është korrupsioni. Sipas tij, në vendin tonë 50-60% e pagesave informale bëhen nga klientët. Duke iu referuar shifrave, ai bëri me dije se fondet për shëndetësinë në Shqipëri janë shumë më të ulëta se ato të vendeve të BE-së. “Reforma në shëndetësi është në fazën fillestare dhe vetëm 3% e PBB-së shkon për shpenzime në shëndetësi, që është sa gjysma e nivelit të shpenzuar nga vendet e BE-së. 50 deri në 60% e shqiptarëve paguajnë para nën dorë për të siguruar shërbimet shëndetësore”, - ka theksuar ambasadori Arvizu, duke kërkuar përmirësim në këtë drejtim. Pas ambasadorit amerikan, fjalën e ka marrë vetë kreu u qeverisë, Sali Berisha, i cili nuk e ka mohuar problemin e korrupsionit në shëndetësi dhe ka kërkuar ndëshkim të tij, pasi për çdo reformë, sipas Kryeministrit, primare është lufta kundër korrupsionit. “Ka një rëndësi jetike të instalojmë sa më shpejt mekanizmin e ri financiar, të zhvillojmë sa më shpejt kapacitetet menaxheriale dhe ju garantoj që në themel të të gjithë përpjekjes sonë për sukses qëndron dhe duhet të qëndrojë lufta kundër korrupsionit. Kjo është vendimtare. Në rast se do që asnjë reformë, në çdo fushë, të mos mbetet në letër, duhet luftuar korrupsioni. Dhe në këtë drejtim ka një progres real. Dy studime dëshmojnë se pas vendosjes së çmimeve të referencës dhe disa praktikave të tjera ka një rënie të ndjeshme. Por, çdo gjë që paguhet dhe Kushtetuta e ligji parashikon ndryshe, është dhunim i rëndë e serioz i të drejtave të qytetarit”. Po ashtu, Berisha në fjalën e tij, ndër të tjera, theksoi se “menaxhimi është kushti themelor për suksesin e reformës në këtë sektor”. Gjatë prezantimit të projektit 5-vjeçar të USAID-it, ka folur edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, sipas të cilit, ky projekt cek disa tema madhore në shëndetësi që përbëjnë një nga instrumentet kryesore të reformimit të sistemit shëndetësor, jo thjesht dhe vetëm për rritjen e performancës së sistemit, por për arritjen e një impakti pozitiv në shëndetin e popullatës, bazuar në parimet e barazisë, në akses dhe shërbime cilësore, solidaritetit social dhe etikës profesionale, mbrojtje financiare nga kostot shëndetësore me efekt rrënues për ekonominë e familjeve të varfra dhe të grupeve vulnerabël.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›