E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, të tatohen kursimet e emigrantëve

SHKRUAN: Jonida Tashi 09-04-2011 12:38

Projektligj Buonanno: Shteti të mbajë 1% nga dërgesat e imigrantëve

Falë krizës ekonomike dhe futjes në fushatë zgjedhore, Lega gjen rrugën e vetme për të mbledhur para e vota bashkë: shpik të vetmen taksë të mundshme që nuk i prish gjakun elektoratit. Deputeti legist Gianluca Buonanno, propozon të mbahet 1% nga dërgesat, paratë që emigrantët dërgojnë në shtëpi. Sipas përllogaritjeve të tij, në këtë mënyrë shteti mund të fusë në arkat e tij rreth 80 milionë euro në vit, për t’i përdorur në mbështetje të ndërhyrjeve të shërbimeve sociale të promovuara nga organizatat e vullnetarizmit në bashkëpunim me entet lokale. Por dërgesat e emigrantëve në atdhe nuk janë tjetër veçse një pjesë e të ardhurave të tyre, mbi të cilat ata kanë paguar të gjitha taksat që i detyrohen Italisë. Nga ana tjetër, dërgesat përbëjnë një nga shtyllat që sigurojnë zhvillimin e vendeve nga vijnë emigrantët, shumë më e fuqishme se ndihmat e bashkëpunimit ndërkombëtar, dhe që mundësojnë mbajtjen e familjeve, blerjen e shtëpive, apo edhe hapjen e aktiviteteve private. Me dy fjalë, edhe falë dërgesave krijohen kushtet për realizimin e riatdhesimeve dhe për uljen e presionit emigrues nga ato vende. Por, duket se Buonanno nuk kupton që dërgesat e emigrantëve pranë familjeve të tyre janë mënyrë më ekonomike për Italinë që të realizojë sloganin legist “T’i ndihmojmë në shtëpi të tyre”. Sipas tij, dërgesat janë “edhe para që nxirren nga qarku i konsumit dhe i kursimeve italiane” dhe kjo i mjafton për të krijuar më në fund “një taksë që nuk duhet ta paguajnë italianët”. Nga ana tjetër, sipas të dhënave, në Shqipëri dërgesat e emigrantëve kanë rënë në vitin 2008 rreth 12% nga periudha para-krizës, dhe në vitin 2009 akoma një 6.5% më shumë (sipas Bankës së Shqipërisë për 2010-n). Vetëm nga të anketuarit në Itali, rreth 76% të emigrantëve pohojnë që në vitin 2009 kanë kursyer më pak se në vitin 2008, duke bërë që kursimet mesatare vjetore të emigrantëve shqiptarë të bien nga 10 176 në 8 988 euro në vit. Si përfundim, niveli mesatar i papunësisë së emigrantëve shqiptarë në fund të vitit 2009, në të dy vendet pritëse më të mëdha, Itali dhe Greqi, ishte rreth 9%. Në Itali vetëm 61% e emigrantëve të papunë shqiptarë kanë marrë kompensimet e papunësisë (kjo ka lidhje me sektorin e gjerë informal të punëtorëve emigrantë).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›