INSTAT: Marsi rrit çmimet e ushqimeve dhe karburantit, inflacioni 4,3%
Rritja e çmimit të ushqimeve dhe karburanteve ka ndikuar në inflacionin e marsit, i cili ka shënuar 4,3%. Megjithëse më i ulët se muajin që shkoi, ai mbetet i lartë krahasuar me objektivat e Bankës së Shqipërisë
Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave kanë konfirmuar çmimet e larta të produkteve të shportës dhe karburanteve përgjatë muajit mars. Rritja e nivelit të përgjithshëm të çmimeve gjatë këtij muaji ka qenë 4,3%, sipas të dhënave të publikuara dje nga INSTAT. Ndërsa një vit më parë inflacioni ishte 4.1 për qind. Krahasuar me nivelin e përgjithshëm të çmimeve në muajin shkurt, që ishte 4,5%, inflacioni paraqitet në nivel më të ulët, por gjithsesi i tejkalon objektivat e Bankës së Shqipërisë. Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Mars 2011, arriti 112.9 për qind kundrejt muajit Dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një ulje prej 0.1 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Niveli i lartë i Inflacionit për muajin mars argumentohet nga INSTAT me rritjen e çmimeve të fruta perimeve, karburanteve dhe bukës e drithërave. Në këtë mënyrë, gjatë muajit Mars çmimi i naftës shënoi një rritje prej 4.2 për qind dhe çmimi i benzinës 3.7 për qind. Ndërkaq, çmimet e nëngrupit “fruta” shënuan një rritje prej 4.5 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të limonëve me 10.5 për qind, mollëve me 11.5 për qind, dardhëve me 4.5 për qind, kivit me 1.7 për qind etj. Gjatë muajit Mars çmimet shënuan rritje edhe në nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet “bukë dhe drithëra” me 1.2 për qind, ”peshk” me 0.6 për qind, “qumësht, djathë e veze” me 0.3 për qind etj. Në të njëjtën kohë, në rritjen e inflacionit ka ndikuar edhe rritja e çmimeve të grupit “pije alkoolike dhe duhan” prej 0.1 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të pijeve alkoolike me 0.2 për qind. Edhe grupi ”Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” ka shënuar rritje gjatë muajit Mars prej 0.6 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të qirave të banesave me 1.3 për qind. Ndërsa grupi ”Shëndeti” shënoi një rritje prej 0.4 për qind, brenda të cilit çmimet e medikamenteve mjekësore u rritën me 0.5 për qind dhe grupi “Transport” shënoi një rritje prej 1.5 për qind. Vetëm grupi “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.3 për qind, brenda të cilit çmimet e veshjeve shënuan një ulje prej 0.4 për qind, ndërsa çmimet e këpucëve një rritje prej 0.1 për qind. Gjatë vëzhgimeve në tregjet dhe marketet e kryeqytetit, gazeta MAPO ka evidentuar edhe gjatë komunikimeve me tregtarët dhe konsumatorët se çmimet e produkteve të shportës dhe karburantit janë rritur ndjeshëm dhe në mënyrë progresive gjatë muajit Mars. Ata i kanë shpjeguar luhatjet e çmimeve në treg me forcimin e vazhdueshëm të monedhës euro në treg.