Shehu: Një rrugë e mesme mes qeverisë dhe biznesit për tarifat e amnistisë
Konsensus mes biznesit dhe financave për tarifat e amnistisë fiskale. Ndërsa në draftligjin e propozuar nga Ministria e Financave të gjitha kompanitë shqiptare që kanë në bilancet e tyre pasuri të paluajtshme dhe makineri pajisje me vlerë poshtë vlerës së tregut, mund të bëjnë rivlerësimin e tyre duke i pasqyruar në bilancin e vitit 2011. Tarifa për pasuritë e paluajtshme që do të paguhet prej tyre është 6% e diferencës që rrjedh nga rivlerësimi dhe 7% për makineri e pajisje, konsensusi që pritet të arrihet do të konkludojë me tarifa 3% për pasuritë e paluajtshme dhe 5% për makineritë. Lajmi bëhet i ditur nga deputeti i mazhorancës, anëtar në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, Sherefedin Shehu. Ai u shpreh për gazetën MAPO se kërkesat e biznesit për uljen e tarifave do të rishikohen duke u parë në këndvështrimin e një zgjidhjeje të mesme mes tarifave të tyre dhe propozimeve të Ministrisë së Financave, pasi është ky institucion që e ka propozuar dhe hartuar ligjin për Amnistinë e në këtë mënyrë nuk mund të mos merret parasysh. Sipas Shehut, ky është një ligj i rëndësishëm dhe është momenti i duhur që qeveria ka vendosur të nisë procesin e Amnistisë Fiskale. Ai gjykon se biznesi është shumë më i përgjegjshëm për pasojat dhe që një falje e tillë nuk mund të bëhet rrugë. Në të njëjtën kohë, deputeti Shehu mendon se Administrata Tatimore është maturuar dhe institucionet shtetërore në përgjithësi, prandaj duhet të krijohet një marrëdhënie e re dhe e matur mes administratës shtetërore dhe biznesit. Gjithashtu, sipas Shehut, edhe legalizimi i aseteve, pra çlirimi i burimeve që do të bëhet paralel, do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për ekonominë shqiptare në tërësi. Nga ana tjetër, vetë biznesi po lobon për miratimin e draftligjit të amnistisë fiskale, por njëkohësisht po studion çdo alternativë të mundshme që të rishikohen tarifat e faljes të vendosura nga qeveria. Sipas krerëve të shoqatave të biznesit, amnistia fiskale do të dështonte nëse do të këmbëngulej nga ana e financave për mosndryshimin e tarifave fillestare.