Arvizu: Bashkëpunimi sjell zhvillim
Ettore Sequi: Fjalët për qetësi nga partitë politike të përmbushen. Partitë të distancohen nga veprime të paligjshme
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksander Arvizu deklaroi dje nga qyteti i Vlorës së zgjedhjet e ardhshme duhet të bazohen në një fushatë elektorale me argumente politike. Arvizu, duke iu referuar miratimit të buxhetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, theksoi se bashkëpunimi mes klasës politike do të sjellë më shumë zhvillim. “Bashkëpunimi midis klasës politike do të sjellë më shumë zhvillim. Për këtë dua t’i referohem poemës “Liria”, të shkrimtarit të madh Ndre Mjeda, në të cilën thuhet se qytetarët shqiptarë kanë nevojë për optimizëm”, u shpreh Arvizu. Ambasadori theksoi se në këtë vend ka shpresë dhe këtë e dëshmojnë më së miri të rinjtë. Sakaq, shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi nënvizoi rëndësinë që zgjedhjet të përmbushin të gjitha standardet ndërkombëtare. “Fjalët për qetësi nga partitë politike të përmbushen. Partitë të distancohen nga veprime të paligjshme. Është mjaft e rëndësishme që qytetarët të votojnë të lirë dhe të shprehin dhe opinionet dhe kritikat e tyre”, u shpreh ambasadori Sequi. Ai nuk harroi gjithashtu tu kërkojë qytetarëve të Shqipërisë që t’i kushtojnë një vëmendje të madhe qeverisjes vendore, duke u kërkuar llogari vendimmarrësve, duke thënë fjalën e tyre. Gjithashtu ambasadori Sequi u ka kërkuar qytetarëve që t`i kushtojnë vëmendje qeverisjes vendore, duke u kërkuar llogari vendimmarrësve dhe të thonë fjalën e tyre. Këto deklarata të ambasadorëve vijnë kur ndodhemi në gjysmën e fushatës elektorale, që na çon drejt zgjedhjeve lokale të datës 8 maj. Deri më sot, fushata është shoqëruar me disa incidente mes forcave politike dhe mbështetësve të tyre. Beteja për vendosjen e flamujve është komentuar edhe më parë nga ambasadorët, sipas të cilëve, palët duhet të ruajnë qetësinë dhe të zhvillojnë një fushatë të qetë. Diplomatët perëndimore kanë kërkuar sakaq edhe nga partitë politike, që të angazhohen për një fushatë në përputhje me standardet ndërkombëtare.