LSI, Meta: Prioriteti ynë punësimi
TIRANË Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i Partisë Demokratike në Pogradec, Fatbardh Kadilli, ka prezantuar dje kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Komunën Buçimas, Roshi Tollozhina i cili rikandidon për një mandat të dytë në këtë komunë. Meta premtoi se prioriteti kryesor i LSI-së është zhvillimi dhe punësimi. “Jam i bindur se edhe projektet që Roshi Tollozhima i paraqet komunitetit të tij do të ndihmojnë në prosperitetin dhe zhvillimin e këtij komuniteti që jeton në një vend të bekuar nga Zoti. Roshi do të dijë që në bashkëpunim me qeverinë dhe me mbështetjen e deputetëve të qeverisë së koalicionit, t’i realizojë të gjitha këto projekte dhe të jeni të sigurt se pas 4 viteve nuk do të ketë rrugë e cila do të mundet të pasqyrojë të gjitha veprat që do të bëhen gjatë këtij katër vjeçar. Ndaj votoni për Roshi Tollozhimën. Votoni për njeriun e veprave. Votoni kandidatin e Aleancës për qytetarin. Votoni për zhvillimin e sigurt të Starovës dhe të gjithë komunës së suaj. Votoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj”, - tha dje Meta.