E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Marrëveshja PD-PS nuk e mbyll krizën

TIRANE-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu edhe pse e ka përshëndetur si një hap pozitiv marrëveshjen e arritur mes mazhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore e parlamentare është shprehur skeptik sa i takon zgjidhjes së menjëhershme të krizës politike në vend.

I ftuar dje në “Vizion Plus”, në emisionin e mëngjesit “ZIP”, ambasadori Arvizu theksoi se palët duhet të mendojnë për kryerjen e reformave, pasi është humbur shumë kohë në rrugën e vendit drejt integrimit. “Jam i kënaqur që shikoj se ka një farë dakordësie mes palëve për të ecur përpara me axhendën e reformave. Do të isha i kënaqur nëse do të ishte zgjidhur kriza me marrëveshjen e fundit, por ana ime realiste më thotë se ende ka shumë mosbesim mes palëve. Për mua një konsideratë shumë të rëndësishme kanë zgjedhjet e vitit 2013. Në këtë kuadër mendoj se ka nevojë të bëhen përmirësime në Kodin Zgjedhor. Ai është i mirë në vetvete, por ka probleme të cilat u vunë re në zgjedhjet vendore të majit”, - deklaroi Arvizu.

Ambasadori amerikan Arvizu ka folur në emision edhe për situatën ekonomike në vend, duke e cilësuar si shumë të rëndësishëm zhvillimin e një debati sa më të gjerë për buxhetin e vitit të ardhshëm, në kohën kur parlamenti kishte nisur diskutimet për këtë çështje.

“Prandaj, - shtoi ambasadori amerikan, para nisjes së seancës parlamentare mendoj se diskutimi sa më i gjerë i buxhetit të vitit të ardhshëm dhe transparenca e shpenzimeve nga qeveria janë shumë të rëndësishme. I pyetur, nëse vazhdon të ekzistojë në Tiranë celula anti-amerikane e përmendur më parë prej tij, zoti Arvizu dha këtë përgjigje: “Kam thënë disa gjëra dhe mendoj se ka pasur disa deformime të atyre që janë thënë. I kuptoj tërësisht kritikat ndaj qeverisë së SHBA-ve, ndaj meje personalisht, apo ndaj ambasadës amerikane, por më vjen keq kur disa njerëz e përdorin këtë për përftime të ngushta politike”, - sqaroi Arvizu.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›