E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët me 74 vota pro miratojnë nismën e qeverisë për faljen fiskale

22/04/2011  Berisha: Kjo është dhurata jonë për Pashkët

Me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë miratuar ligjin për faljen fiskale. Pavarësisht prezencës së tyre në sallë, deputetët socialistë nuk morën pjesë në votim, pasi për ta ky ligj po përdoret për qëllime elektorale. Sidoqoftë, kjo është falja më e madhe që është bërë për qytetarët në gjithë historinë e shtetit shqiptar. Për kreun e qeverisë, i cili ka qenë iniciatori i kësaj falje gjithëpërfshirëse, Sali Berisha, kjo “është dhurata më e bukur që mund t’u bëjmë qytetarëve për festat e Pashkëve”. Deklarata e kryeministrit u bë pak para votimit të djeshëm. I ftoi deputetët socialistë të votojnë ligjin për t’i treguar popullit se partia vazhdon të mendojë për ta dhe jo për vete. “Unë e kuptoj që ju jeni parti miliarderësh, po ju garantoj se paratë tuaja nuk do amnistohen sa të jem unë në këtë qeveri. Ju mbroni paratë tuaja, ndaj nuk votoni amnistinë; ju nuk patët kurajë që të dilni mbi interesat e ngushta dhe të mbështesni biznesin që nuk është klientelist. Janë 120 mijë biznese në Shqipëri që kanë një votë, një qëllim, një kontribut dhe jo për interesat e ngushta që numërohen me gishta në PS. E pra, mos u bëni cinikë pa zemër. Vini dorën në zemër dhe votojeni, bëhuni njerëzorë. Forcojeni këtë ligj, por mos votoni kundër se kur ka ardhur puna për interesat e Beqjas, rrogave tuaja, keni ardhur këtu e keni votuar të gjithë”, deklaroi dje Berisha. Ndërsa për ministrin e Financave, Ritvan Bode, një amnisti fiskale nuk është një akt politik. Por, tha ai, “është një akt shumë më i gjerë, me sens ekonomik dhe social, që synon të zgjidhë çështje të mëdha të ekonomisë dhe të tregtisë”. Ndërsa duke iu referuar momentit në të cilin po ndodh kjo amnisti, Bode theksoi: “Është koha për amnisti sepse kanë ndodhur disa zhvillime në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare vitet e fundit, që e bëjnë të domosdoshme. Këto ndryshime së pari kanë të bëjnë me rritjen e kapacitetit të institucioneve, për të zbatuar në mënyrë më rigoroze ligjin.” Ndërsa kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho, tha se projektligji për amnistinë fiskale është një proces, i cili ka në vetvete faljen e detyrimeve, gjobave dhe ngarkesave të tjera, e lidhur ngushtë kjo edhe me amnistimin e disa veprave penale, kryesisht ato që kanë të bëjnë me evazionin fiskal, që janë kundërvajtje penale dhe mospagimi i taksave. Deputetët vlerësuan ndër të tjera se kryerja e amnistisë fiskale sipas rregullave të përcaktuara në këtë projektligj do të ndikojë në forcimin e veprimit të ligjit në vendin tonë, formalizimin e veprimtarisë së biznesit dhe forcimin e konkurrencës së lirë në treg.

Akuza e Berishës:

Harrojeni amnistinë për miliardat tuaja!

Shefi i mazhorancës, Berisha, akuzoi dje opozitën se ajo është e përfshirë në veprimtari mafioze dhe pastrim parash. “Krerë të kupolës duan që të amnistohen paratë e politikës, por nëse mendoni që ne do amnistojmë këto para që vijnë nga krimi dhe droga, gaboheni”, theksoi Berisha. Kryeministri akuzoi se kreu i PS, Rama, ka urdhëruar pa të drejtë deputetët socialistë që të mos votojnë ligjin, pasi preken interesa të ngushta të pushtetarëve socialistë. “Problemi tjetër i dashur dhe të dashur qytetarë, më duhet të bëj me dije se kreu i PS, Edi Rama, ka urdhëruar votimin kundër amnistisë se këtë ia diktoi kupola që ai udhëheq. Pikërisht se u përjashtuan këtu nga kjo amnisti krerët e SHPK në krye të partisë, u krijua ky qëndrim armiqësor ndaj amnistisë. Kjo nuk do ndodhë ndonjëherë, nuk do ndodhë në asnjë rast që të amnistohen dy kategori parash, para duke përdorur politikë; do mbeteni gjithmonë në vetmi, do mbesë në vetmi, në qoftë se ju mendoni se ne do amnistojmë këto para. Nuk amnistojmë para që vijnë nga krimi dhe droga, ato janë para të paamnistueshme”, tha Berisha.

Seanca, deputetët zbuten nga prezenca e ambasadorit Arvizu

Në hapje të seancës së djeshme, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndeti në emër të gjithë deputetëve ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili ndoqi nga afër punimet e seancës plenare. Dje Topalli u tregua e rezervuar në drejtimin e seancës , që jo rrallë herë ka shkaktuar dhe reagime të ashpra të deputetëve socialistë në sallë. Diskutimi mbi ligjin për amnistinë fiskale pritej të shkaktonte debate dhe akuza të ashpra nga mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës dje në Kuvend. Sjellja e zbutur e Topalli, u vu re dhe në zbatimin korrekt të kohës, përgjatë kohës kur fliste Ministri i Financave Bode, por edhe nuk u vu re ndonjë replikë me deputetët e opozitës, pavarësisht se dje kalonte një nga ligjet më të rëndësishme, qoftë për qytetarët, qoftë për maxhorancën. Gjithsesi, dhe nga ana e socialistëve dje nuk u vunë re akte ekstreme kundërshtimi, siç është për shembull praktika e bllokimit të foltores, ose replikat e përsëritura dhe me zë të lartë nga vendi, sjellje të cilat jo pak herë kanë shkaktuar ilaritet në sallë

Replika Bode-Kodheli

Bode: Ju nuk e votoni, pasi nuk jepet amnisti për ju

Deputetja e Partisë Socialiste deklaroi dje se ligji i propozuar nga qeveria për amnistinë fiskale është përdorur si një manovër për fushatën elektorale. “Ne jemi kundër sjelljes të dy projektligjeve që përplasen me njëra-tjetrën. Kjo është një tentativë për ta bërë opozitën fajtore që nuk bëhet palë e një pazari qeveritar. FMN dhe Banka Botërore kanë folur për kujdesin që duhet treguar për efektin negativ që mund të sjellë amnistia fiskale, duke përmendur këtu edhe ndjesinë e pabarazisë që mund të promovohet mes qytetarëve”, theksoi Kodheli. Menjëherë pas deklaratës së Kodhelit ka reaguar edhe ministri i Financave Ridvan Bode, sipas të cilit aplikimi i amnistisë fiskale zgjidh çështje të mëdha të ekonomisë, duke ndihmuar kështu në zhvillimin e mëtejshëm të saj. “Janë hequr 19 taksa nacionale dhe janë zbutur një sërë tarifash dhe detyrimesh të tjera, e kjo ka krijuar një klimë lehtësuese për biznesin, duke bërë që shumë prej tyre të dalin në dritë, pasi e kanë kuptuar se nuk u rëndon shumë po të deklarohen dhe të paguajnë detyrimet fiskale”, u shpreh ministri Bode. Më tej, Bode iu drejtua deputetëve të opozitës duke shtuar se “ju nuk mund të bini dakord me amnistinë, përderisa nuk amnistoheni ju, përderisa nuk amnistohen politikanët. Dhe ky ligj nuk bën amnistimin e politikanëve, nuk bën amnistimin e veprave penale në kuadrin e krimit të organizuar. Ju po qani këtë dhe nuk ka interesa të tjera për ju veç interesave tuaja dhe forcave tuaja”, tha Bode.

Amnistia për qytetarët

Të gjithë ata qytetarë, që kanë shuma monetare dhe duan t’i legalizojnë, mund ta bëjnë këtë dhe t’i fusin në bankë. Tarifa që paguajnë për këtë është sa 3% e shumës. Të gjithë qytetarët që kanë blerë pasuri të paluajtshme, toka apo apartamente, dhe që për shkak të ndryshimit të shpejtë dhe shumë të madh të tregut të pasurive të paluajtshme vitet e fundit, do të paguanin një tatim të madh mbi shitjen e pasurisë së paluajtshme, mund të bëjnë rivleresimin e pasurisë së tyre me vlerë tregu. Tarifa për këtë rivlerësim është 1%. Të gjitha taksat dhe tatimet e qytetarëve të papaguara deri në fund të vitit 2010 falen. Këtu përfshihen dhe taksat e papaguara për makinat, si dhe gjobat e makinave. Detyrimeve për pagimin e detyrimeve doganore për makinat e importuara deri në fund të vitit 2010, u falen gjobat dhe interesat, nëse paguhet 50% e principalit të detyrimit.

Amnistia për biznesin e vogël

Të gjithë ata qytetarë që janë të regjistruar dhe si biznes i vogël dhe që deklarojnë shuma monetare në bazë të këtij ligji, do të konsiderohen se i kanë paguar të gjitha detyrimet tatimore konform ligjit, deri më 31 dhjetor 2010. Tarifa e këtij legalizimi është sa ajo e qytetarëve, pra 3 %. Të gjitha taksat dhe tatimet e biznesit të vogël, të papaguara deri në fund të vitit 2010, falen. Të gjithë të vetëpunësuarve u falen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe gjobat e kamatëvonesat e papaguara deri më 31 dhjetor 2008. U falen gjithashtu dhe 2 vitet e fundit, nëse paguajnë detyrimin e tyre për sigurime për vitin 2011. Kësaj kategorie, nëse dëshiron të paguajë detyrimet për kontributet, u falen gjobat dhe kamatëvonesat për të gjithë periudhën e kaluar. Personave fizikë, biznes i vogël, u falen gjobat dhe kamatëvonesat për të punësuarit e tyre, deri më 31 dhjetor 2010.

Amnistia për biznesin

Të gjitha kompanitë shqiptare, që kanë në bilancet e tyre pasuri të paluajtshme dhe makineri pajisje me vlerë poshtë vlerës së tregut, mund të bëjnë rivlerësimin e tyre, duke i pasqyruar në bilancin e vitit 2011. Tarifa për pasuritë e paluajtshme është 3% e diferencës që rrjedh nga rivlerësimi dhe 5% për makineri e pajisje. Biznesit u falet gjithashtu borxhi tatimor e doganor deri më 31 dhjetor 2008. Për 2009, nëse paguajnë 30% të principalit, u falen gjobat dhe kamatëvonesat; për 2010, nëse paguajnë 50% të kapitalit, u falen gjobat dhe kamatëvonesat. Bizneseve që paguajnë 50% të principalit të borxhit doganor për vitin 2009, u falen kamatëvonesat dhe gjobat që lidhen me këtë borxh. Ndërsa ata që paguajnë 100% të këtij borxhi për vitin 2010, u falen interesat, gjobat dhe kamatëvonesat.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi në dhjetëditëshin e fundit të majit

Falen taksat e prapambetura për 160 mijë makina

Nga falja fiskale që kaloi dje në Kuvend, do të përfitojnë dhe 160 mijë pronarë automjetesh, të cilët ose nuk kanë paguar në kohë detyrimet që janë taksa e qarkullimit vjetor apo taksa e përvitshme e regjistrimit, ose ata që nuk kanë zhdoganuar ende mjetin e tyre. Nga amnistia fiskale do të përfitojnë dhe ata persona, të cilët me kohë kanë marrë gjoba për automjetet dhe nuk kanë paguar. Amnistia fiskale parashikon një afat deklarimi deri në fund të vitit 2011, por pas rregullimit dhe me aktet nënligjore mund të vendoset një tjetër afat për deklarimin e taksave të papaguara.

Me këtë akt qeveria fal rreth 20 milionë euro, detyrime të prapambetura nga qytetarët. Por kush që të përfitohet nga amnistia fiskale është pagesa e taksës së qarkullimit, e cila shkon në rreth 8 mijë lekë në vit, dhe ajo e taksës së regjistrimit, rreth 2400 lekë në vit. Pra, 10400 lekë gjithsej, aq sa janë dhe taksat vjetore që i paguhen shtetit për automjetet.

Doganat dhe gjobat

Ndërkohë pjesë e faljes do të jetë dhe zhdoganimi i makinave që janë futur në Shqipëri deri në fund të vitit 2010. Këtyre personave do u falen të gjitha kamatëvonesat dhe detyrimet, përfshi këtu dhe taksën e mjedisit të miratuar në fund të vitit të shkuar, po të paguajnë vetëm 50% të principalit, ose e thënë shkoqur, vetëm gjysmën e shumës së doganës që kërkohet për automjetin që ka futur nga jashtë vendit. “Shtetasve, të cilët kanë futur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë automjete dhe që nuk kanë paguar detyrimet ndaj administratës doganore, nëse paguajnë 50% të principalit të detyrimit ndaj kësaj administrate, u falen pjesa tjetër e principalit, së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat që do të paguanin”, përcakton ligji për amnistinë. Ndërkohë që pjesë e faljes janë dhe gjobat e papaguara deri në fund të vitit 2010. Sipas policisë rrugore, deri vitin e kaluar janë vënë rreth 52 milionë lekë gjoba, nga të cilat kanë arritur të mblidhen vetëm 25 milionë. Pra, nga amnistia fiskale do të falen rreth 27 milionë lekë gjoba të pambledhura. Gjithsesi, ky është rasti i vetëm për të gjithë ata qytetarë, të cilët duan të legalizojnë pronat apo automjetet e tyre, pasi, siç e theksoi dhe dje ministri i Financave, kjo është hera e fundit që ndodh një amnisti fiskale e këtyre përmasave, si akt i fundit i ndarjes së Shqipërisë nga tranzicioni 20-vjeçar.

Ligji në fuqi pas dekretit dhe Fletores Zyrtare

Ligji në fjalë pritet të hyjë në fuqi diku pas datës 20 maj. Kjo sepse ligji parashikon hyrjen në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Nga dita e djeshme ligji shkon në tryezën e Presidentit të Republikës për dekretim, që sipas praktikës së deritanishme zgjat nga 1 javë deri në dhjetë ditë. Pra, duke llogaritur dhe datën 21 të miratimit, atëherë ligji do të fillojë të zbatohet në dhjetëditëshin e tretë të majit. Më pas nxjerrjes së akteve nënligjore do të vendosen dhe afatet e deklarimit për të gjitha kategoritë që përfitojnë nga falja fiskale, qofshin këto biznese apo individë. Gjithsesi, nga falja fiskale pritet të përfitojnë një masë e madhe individësh, dhe të mendosh se nga këta 160 mijë persona përfitojnë vetëm për automjetet e tyre, të cilët ose nuk kanë paguar taksat ndër vite, ose nuk kanë zhdoganuar ende automjetet e tyre, duke i bërë ato një pronë të palegalizuar.

Viti 2010, paguan taksat 250 mijë automjete

Për vitin 2010, rreth 250 mijë mjete transporti i kishin paguar detyrimet e tyre vjetore, si taksën e qarkullimit, ashtu dhe atë të regjistrimit të përvitshëm, duke i siguruar shtetit një të ardhur prej rreth 5 miliardë lekësh, ku peshën kryesore e mbart tarifa e qarkullimit. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar disa ditë më parë se do të jenë pjesë e faljes të gjitha detyrimet e prapambetura dhe gjobat që kanë të bëjnë me taksat kombëtare dhe ato lokale. Këtu përfshihen gjobat dhe detyrimet e tjera për makinat, taksat e pushtetit lokal, taksat për ushtrimin e veprimtarisë së lojërave të fatit etj. Në rastin e makinave qytetarët nuk do të jenë të detyruar të deklarojnë gjobat, në mënyrë që ato të fshihen. Falja do të bëhet automatikisht nëpërmjet fshirjes së tyre nga regjistrat, duke ua hequr shoferëve si detyrim për t’u paguar. Kusht për faljen e detyrimeve është pagimi i taksave për vitin 2011, e cila duhet të bëhet në fillim të çdo viti.

Makinat e pazhdoganuara

Ligji nuk do të mjaftohet vetëm me faljen e gjobave për makinat. Pjesë e faljes do të jenë të gjitha taksat dhe detyrimet e tjera, apo edhe gjobat për shkaqe të tjera të papaguara. Kjo nismë vjen pas përfshirjes në falje edhe të gjysmës së doganës dhe gjithë kamatëvonesat, nëse pronari paguan gjysmën e principalit të doganës. “Shtetasve, të cilët kanë futur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë automjete dhe që nuk kanë paguar detyrimet ndaj administratës doganore, nëse paguajnë 50% të principalit të detyrimit ndaj kësaj administrate, u falen pjesa tjetër e principalit, së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat që do të paguanin”, përcakton ligji për amnistinë. Pra, të gjithë personat që kanë një makinë pa zhdoganuar do të mund ta kalojnë atë në pronësi vetëm duke paguar gjysmën e çmimit të doganës, si dhe taksën e qarkullimit dhe regjistrimit.

Falje të tjera

Amnistia parashikon dhe faljen e faturave të ujit dhe dritave

Ndërkohë amnistia fiskale parashikon dhe faljen e faturave të ujit të pijshëm për familjarët, deri në momentin e transferimit të aksioneve të ujësjellësve tek pushteti vendor, por jo më vonë se viti 2010. Ndërkohë nga amnistia pritet të përfitojnë dhe personat që ndër vite nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri gjatë mbledhjes së qeverisë të 16 marsit kur tha se “në kuadër të 22 marsit, qeveria vendos që të çlirojë nga detyrimet e prapambetura të faturave të energjisë gjer në datën e marrjes së KESH-it nga ÇEZ të të gjitha detyrimeve për familjet në ndihmë ekonomike dhe papunësi, për të gjithë pensionistët me pensione minimale dhe që nuk kanë mbështetje tjetër familjare, për invalidët, për të gjitha kategoritë e pensioneve minimale, për të gjitha gratë kryefamiljare, për të gjithë personat me statusin jetim. Këto detyrime do të konsiderohen të shlyera nga korporata. Suksesi më i madh dhe më i jashtëzakonshëm pas pluralizmit dhe fjalës së lirë qëndron në faktin se Shqipëria ka sot një varfëri dhe papunësi prej rreth 13 për qind dhe një varfëri të skajshme prej 1.4 për qind, ndërkohë që në mars të vitit 1992 ka pasur 80 për qind papunësi, varfëri dhe mjerim”, tha kryeministri

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›