E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë të heqin dorë nga lufta për jetë a vdekje

22/04/2011  Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë deklaroi dje se incidentet e ndodhura gjatë kësaj fushate zgjedhore kanë shkaktuar një klimë të lartë tensioni dhe frike për ecurinë e fushatës. Nëpërmjet një deklarate për mediat vëzhguesit vendorë i kanë dënuar incidentet dhe personat e përfshirë në to. Ky koalicion u ka kërkuar qytetarëve që të mbajnë qëndrim ndaj kandidatëve apo partive politike të cilat mbështesin dhe nxisin aktet e dhunës, duke apeluar për një proces sa më normal elektoral. Koalicioni ka përshëndetur gjithashtu edhe deklaratën e Kryeministrit Berisha, i cili ka dënuar dhunën dhe u ka bërë thirrje kandidatëve dhe qytetarëve për evitim të saj, si dhe kanë kërkuar nga kryesocialisti Edi Rama që të moderojë termat dhe retorikën politike si dhe të dënojë publikisht të gjithë rastet dhe autorët e dhunës dhe të konflikteve të ndodhura. Koalicioni i tërheq vëmendjen, në veçanti, kandidateve apo degëve lokale të tre partive kryesore, PD, PS e LSI, të heqin dorë nga trajtimi i kësaj gare elektorale administrative si një betejë për luftë a vdekje dhe të japin mesazhe prosperiteti dhe bashkëpunimi. Në këtë vëzhgim dënohet edhe përdorimi u punonjësve të bashkive për fushatë elektorale, madje theksohet se shtabet elektorale duhet të jenë ato që bëjnë fushatë me njerëz vullnetarë të forcës përkatëse politike dhe jo me njerëz të detyruar të administratës. Ndërkaq i tërhiqet vëmendja edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që të marrin sa më parë vendimet për të caktuar në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, vendet publike për afishimin e materialeve propagandistike.

Deklarata e Shalësit

Pallatet që thotë Luli, i bllokoi Shaban tapia

Deputeti i Partisë Socialiste Eduart Shalsi reagoi dje në lidhje me premtimet elektorale të kandidatit demokrat për Bashkinë, Lulzim Basha. “Kemi dëgjuar këto ditë kandidatin e çoroditur të Saliut për Tiranën të premtojë se pas disa muajve me demek, do të hipotekojë pallatet. Sot ky personazh sa tragjik aq edhe komik së bashku me Saliun dhe Shaban tapinë duhet të jepnin llogari para qytetarëve të Tiranës se pse nuk e ka bërë një proces të tillë për tre vjet resht. Shikoni se çfarë ndodh, sipas një ligji në vitin 2008 kompetenca e lejeve të legalizimit apo të shfrytëzimit i kalonte Aluiznit të Shaban tapisë, Lulit dhe Saliut bashkë. Kjo është letra me të cilën Drejtori i Aluiznit i kërkon Bashkisë së Tiranës ti vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e pallateve të pa hipotekuara, në mënyrë që ai ti legalizonte, ti jepte leje shfrytëzimi dhe për pasojë dhe ti hipotekonte. Nga viti 2008 e deri më sot, absolutisht as edhe një gjë”, tha Shalsi.

Reagimi i PD

Bogdani: Në bashki janë regjistruar 26 mijë ankesa në vit

Sipas deputetit të PD, Gerti Bogdani, Bashkia e Tiranes eshte institucioni që zë vendin e parë në listë përsa i përket numrit të ankesave që merr brenda një viti nga qytetarët.

Sipas një studimi të qendrës së studimeve parlamentare të publikuar në vitin 2009, ku jepet shifra e peticioneve të dërguara nga qytetarët në institucionet shtetërore, del se pranë bashkisë së Tiranës janë regjistruar 26,000 ankesa në vit, tha Bogdani.

Ai theksoi se ky numër ankesash është më i larti, nëse e krahason me numrin e ankesave të depozituara pranë presidencës 2500, KLD, 2101 ankesa, Avokati i Popullit 4,000 etj.. Vetëm në 1 vit, qytetarët e Tiranës ankohen më shumë se të gjithë qytetarët e republikës për hallet e tyre dhe presin që Bashkia e Tiranës t’u japë zgjidhje. Sipas deputetit, ankesat janë të llojeve të ndryshme, që nga ato të ambasadorëve apo diplomatëve për prishje të qetësisë publike nga muzika e lartë e lokaleve të natës apo zhurma mjeteve të transportit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›