E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Shqipërisë i duhet urgjent ligji për imunitetin

15/07/2011  Ina Rama duhet vullneti politik. Prokurori s’mund të bëjë gjë në këtë drejtim

TIRANE-Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, u ka bërë thirrje politikanëve shqiptarë, të zhveshin nga imuniteti zyrtarët e lartë me qëllim që edhe ata të jenë të barabartë me të gjithë para ligjit. Sipas diplomatit amerikan, Shqipërisë i duhet urgjent një nismë ligjore për imunitetin, pasi momentalisht Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që kufizon me imunitet hetimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë. Arvizu ka ripërsëritur këtë shqetësim të ngritur nga gjithë përfaqësuesit e huaj në Shqipëri, gjatë ceremonisë përmbyllëse për Programin e Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë. Ai u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të bëjnë ndryshimet përkatëse ligjore, në mënyrë që lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave të mos përballet me pengesa procedurale. “Diskutimi për ligjin për imunitetin në Shqipëri nuk është asnjëherë i plotë. Shqipëria është e vetmja që kufizon të gjitha hetimet mbi zyrtarët publikë përmes imunitetit. Kam shprehur shqetësimin se është i vështirë të kryesh hetime tek zyrtarët me imunitet prandaj ju inkurajoj që të ndryshoni ligjet për hetimin e zyrtarëve”,- tha Arvizu. Ndërkohë që për Prokurorinë, momentalisht faji mbetet tek mungesa e vullnetit politik. Duke iu referuar deklaratave të ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve, Kryeprokurorja Rama bëri me dije se organi i akuzës ka mbajtur qëndrimin e saj në raste konkrete, pavarësisht se ka hasur pengesa për sa i përket imunitetit. Kryeprokurorja Rama është shprehur se institucioni që ajo drejton ka mbajtur qëndrim në lidhje me imunitetin. Sipas saj ka qenë vërtet një pengesë për hetimin. “Kemi dhënë edhe propozime konkrete se si mund ai të kufizohet, por kjo ngelet një çështje e vullnetit politik. Nuk është një çështje që zgjidhet nga Prokuroria”,- tha Ina Rama. Duke folur në ceremoninë përmbyllëse të këtij programi, Kryeprokurorja Ina Rama ka deklaruar se gjatë viteve të fundit janë realizuar të gjitha objektivat, ndërsa ka shtuar se janë rritur ndjeshëm hetimet për rastet e korrupsionit për prokurorët, gjyqtarët dhe për zyrtarët e lartë. “Ka pasur rritje të vazhdueshme të rasteve ku shtetasit drejtohen tek organet përkatëse për veprat, të cilat ata i quajnë si vepra korruptive. Suksesi në përmbushjen e objektivave ishte se ne e kishim të qartë se ku qëndronte problemi dhe cilat ishin objektivat tona, por ka ndikuar gjithashtu edhe mbështetja dhe financimi i programit nga qeveria amerikane”, theksoi Ina Rama.

Ministri Ridvan Bode

Ministri i Financave, Ridvan Bode, që ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit midis institucioneve për luftimin e korrupsionit, u shpreh se gjatë vitit 2011 nga institucionet në varësisë të Ministrisë së Financave janë analizuar dhe dërguar për investigim një numër i konsiderueshëm i rasteve të dyshuara. Këtu spikasin të ardhura të siguruara nga veprimtari korruptive të personave të ekspozuar politikisht në nivele të larta, si dhe raste të tjera, ku burim i shumave të mëdha financiare nuk është deklaruar.

Adriatik Llalla i ILDKP

Sipas kreut të ILDKP, zyrtarë të ndryshëm janë vendosur përballë përgjegjësive ligjore për përfshirje të tyre në afera korruptive, ndërkohë që çështje të tjera janë në hetim. Llalla sqaroi se institucionet duhet të risin më tepër bashkëpunimin, pasi në disa raste çështje të ndryshme janë pushuar, për shkak të mungesës së provave apo keq administrimit të informacioneve. Ish-prokurori Adriatik Llala gjatë fjalës së tij kërkoi nga të gjitha institucionet, thellimin e punës për plotësimin e standardeve të kërkuara nga organizmat e huaj.

Ina Rama për Metën

“Retorikë politike” e ka cilësuar Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, akuzat e kreut të LSI-së, Ilir Meta. Ajo reagoi dy ditë pasi Meta e akuzoi Prokurorinë se ka funksionuar si celulë ekstremiste politike në hetimin ndaj tij. “Gjithçka që kemi për çështjen ne ia kemi lënë sallës së gjyqit”,- u shpreh Rama. Deklaratat e Ilir Metës kundër Prokurorisë erdhën pas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që vendosi gjykimin e plote të skandalit të korrupsionit lidhur me video-përgjimin Meta-Prifti.

Ambasadori Arvizu

“Dua të përmend konceptin e imunitetit, sepse asnjë diskutim për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, nuk është i plotë, pa përmendur imunitetin. Shumë vende europiane i japin role të caktuara imunitetit të kufizuar të zyrtarëve publikë, ndërsa Shqipëria qëndron e vetme në faktin që kufizon të gjitha veprimtaritë hetimore që mund të kryhen kundër gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë publikë. Ju keni shprehur shqetësimin se duhet të jetë e vështirë të ndodhë ky ndryshim, por ju, gjithashtu jeni shprehur se kjo lloj pamundësie pengon hetimet”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›