E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujëmbledhësi i Bogovës, në rrezik shkatërrimi

14/07/2011  Prefekti kërkon marrjen e masave

BERAT-Shqetësimet e ardhura në rritje për rrezikun e shkatërrimit të basenit të ujëmbledhësit të Bogovës si rezultat i nxjerrjes pa kriter të pllakave të gurit dekorativ ka bërë që të reagojë institucioni i prefektit të qarkut të Beratit. Prefekti Bujar Hoxhaj ka mbledhur dje në një takim drejtuesit e strukturave të rendit, të Agjencisë rajonale të Mjedisit, të Tatim Taksave, të komunës Bogovë, të cilëve u ka kërkuar marrjen e masave urgjente, për vendosjen sipas parametrave të ligjit të veprimtarisë së bizneseve të licencuara, si dhe ndalimin e subjekteve të palicencuara që punojnë në zonën e ndaluar të basenit të ujëmbledhësit të Bogovës. Ndonëse, në bashkëpunim me Ministrin e Ekonomisë dhe institucionit të prefektit është hartuar projekt vendimi për shpalljen e basenit ujëmbledhës të Bogovës si "zonë e mbrojtjes së veçantë" ende pranë kësaj zone firmat e nxjerrjes së gurit dekorativ vazhdojnë të punojnë duke ndikuar në mjedis dhe në cilësinë e ujit të pijshëm duke e ndotur atë. Pasojat e kësaj ndotje bien mbi qytetarët e Beratit, të cilët sa herë që ka reshje intensive nuk mund ta konsumojnë ujin si pasojë e ndotjes tepër të lartë. "Ky takim vjen i nisur nga shqetësimet dhe informacionet e ardhura nga grupet e interesit mbi aktivitetin e nxjerrjes së pllakave dekorative për ndikimin e tyre në mjedis dhe cilësinë e ujit të pijshëm”, u shpreh prefekti Hoxhaj. Qëllimi nuk është aspak ndalimi i veprimtarisë së bizneseve, të cilat janë burim i konsiderueshëm punësimi e të ardhurash për komunitetin e zonës, por sjellja në parametrat e ligjit të veprimtarisë së bizneseve të ligjshme dhe ndalimin e subjekteve të palicencuara që punojnë në zonën e ndaluar të basenit ujëmbledhës të Bogovës. Shqetësim vazhdon të mbetet fakti që subjektet e licencuara me leje shfrytëzimi nuk punojnë të gjithë në zonën e miratuar sipas koordinatave, por punojnë ku të munden në çdo pjesë të malit, tha prefekti. Sipas tij, karrierat nuk shfrytëzohen sipas kushteve teknike të përcaktuara në lejet përkatëse, madje nuk janë rehabilituar sipërfaqet e shfrytëzuara. Puna në karriera zhvillohet jashtë të gjitha kushteve teknike, një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve nuk janë të siguruar. Prefekti solli në vëmendje faktin se ka gjithashtu punëtorë që në mënyrë klandestine nxjerrin pllaka guri në zonën e ndaluar të basenit e më pas bashkëpunojnë me firmat për t’ua shitur prodhimin. S. Gorica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›