E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu Te gjendet personi i duhur per kete post

Ambasadori i Shteteve të Bashkauara të Amerikës në Tiranë Aleksandër Arvizu, ka vlerësuar se në garën e ardhshme presidenciale, rëndësi parësore ka procesi. I pyetur nga mediat për kandidaturën e Fatos Nanos për President, Ambasadori amerikan u shpreh se është një njeri i kualifikuar, por nuk është i vetmi që mund t’i shërbejë vendit.
“Ai ka shumë kualifikime dhe ka shprehur interes. Në çfarëdolloj pune, nëse dikush shpreh interes dha ka entuziazëm, ndoshta kjo i vendos këta persona në një nivel më të lartë në raport me ata persona, të cilët nuk shprehin ndoshta të njëjtin interes. Por është vetëm fillimi, ka ende kohë dhe ka shumë shqiptarë të mirë, të cilët që mund t’i shërbejnë vendit të tyre me nder dhe kjo është ajo që nevojitet. Të gjejmë Presidentin e duhur dhe kjo është sfida: të gjendet personi i duhur për këtë post”, deklaroi Arvizu.
Pas rreth një muaji, në parlament do të nisë procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Aktualisht vetëm Fatos Nano ka shpallur publikisht kandidaturën. Ndërkohë lidershipi i Partisë Demokratike është shprehur se do të kandidojë një ndër personalitet e saj. Opozita nga ana e saj, ende pa emër konkret, ka kërkuar një President konsensual.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›