E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i KKRT-së, Kuvendi miraton këshilltaren e Berishës

Suela Musta është anëtarja tjetër e miratuar dje. Kuvendi shkarkon Detar Hysin si anëtar i KKRT-së


TIRANË- Endira Bushati, Këshilltarja për çështjet Ligjore e kryeministrit Sali Berisha
do të jetë Kryetarja e re e Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve. Kuvendi ka votuar mbrëmë në seancë plenare plotësimin e vendeve të mbetura vakante në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit, duke zgjedhur fillimisht si anëtare të tij Endira Bushatin dhe Suela Mustën.


Më pas, me një votim të tretë Kuvendi me propozim të kryetarit të grupit parlamentar demokrat ka votuar Endira Bushatin edhe si kryetare të KKRT-së, duke zëvendësuar kështu Mesila Dodën e cila tashmë mban mandatin e deputetit. Në fillim deputetët kanë bërë plotësimin e vendit të mbetur vakant nga largimi i Mesila Dodës si anëtare e KKRT-së, për vendin e së cilës nga Kuvendi u propozua Suela Musta dhe Elida Gaba.


Pas votimit të fshehtë me elektronik kandidatura e Suela Mustës, u miratua me votë unanime nga të 73 deputetët e pranishëm, duke bërë të panevojshme zhvillimin e procesit të votimit edhe për kandidaturën tjetër. Më pas, ka vijuar procedura për plotësimin e vendit tjetër të mbetur vakant pas largimit të Artan Zenelit, i cili mban tashmë postin e kryetarit të Gjykatës së Tiranës.


Po me propozim të grupit parlamentar për këtë vend konkuruan Endira Bushati dhe Margarita Valiaj. Pas votimit të fshehtë me elektronik, Bushati mundi të zgjidhej anëtare e KKRT-së me 70 vota pro dhe tre abstenime, pra me 3 vota më pak se kandidatura e parë fituese, pavarësisht se vinte në këtë garë si këshilltare juridike e kryeministrit Berisha.


Pavarësisht votave abstenim, me propozim të kryetarit të grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi, Endira Bushati u votua sërish, por kësaj here për postin e kryetares së KKRT-së, duke rritur njëkohësisht numrin e deputetëve abstenues nga tre në katër. Kështu ajo ka marrë 69 vota pro dhe 4 kundra në votimin për kryetar.

Por, ndërsa ka plotësuar dy vende të mbetura bosh, mazhoranca e djathtë ka krijuar sërish një vakancë në KKRT, pasi me kërkesë të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Kuvendi ka shkarkuar Detar Hysin, i cili ishte zgjedhur në 2007 si propozim i LSI-së. Raporti për shkarkimin e tij mori 70 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime. Kërkesa për shkarkimin e Hysit erdhi nga ILDKP, pas konstatimit prej saj të pamundësisë së justifikimit të të ardhurave të deklaruara në këtë inspektoriat.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›