As në tokë, as në qiell

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka pranuar se klubi është në pozitë të padëshiruar mes spekulimeve të vazhdueshme rreth largimeve të dy prej futbollistëve kryesorë të ekipit, kapitenit Cesc Fabregas dhe yllit francez, Samir Nasri.
Fabregas duket shumë pranë transferimit në Barcelonë, ndërsa trajneri i gjigantit katalonas, Pep Guardiola beson se ekziston mundësi e mirë për të kompletuar marrëveshjen. Në të njëjtën kohë, Nasri kërkohet nga Manchester City dhe pritet të përcjellë Gael Clichyn në Etihad Stadium këtë verë.
Fabregas dhe Nasri nuk ishin të përfshirë në barazimin e Arsenalit 0-0 në Newcastle, në ndeshjen e xhiros së parë në sezonin e ri në Premierligë. Dhe, Wenger i tha uebfaqes së Arsenalit: “Ne, në të dyja frontet jemi në pozitë të padefinuar, as në tokë, e as në qiell”.
I pyetur drejtpërdrejt për interesimin e Cityt për Nasrin, francezi tha: “Nuk dua të komentoj rreth kësaj. Ne do t’ju informojmë”. Wenger shprehu brengosjen e tij për mundësinë e humbjes së Fabregasit dhe Nasrit dhe rrezikun se klubi mund të bëhet furnizues i klubeve rivale.
“Po, ne jemi të brengosur nga kjo, sepse kur merrni futbollistë në moshën 16, 17, 18 vjeç dhe i aktivizoni ata në Premierligë, ju duhet të jeni të guximshëm. Por, mbi të gjitha, ju e bëni sepse mendoni se ata e meritojnë, por së dyti sepse ju mendoni se klubi do të shpërblehet kur ata të jenë 23, 24 vjeç, në pozitë të shpërthejnë. Është brengë, sigurisht por nëse hyn në fuqi fair-play financiar, mendoj se do të jemi në pozitë shumë të fortë. Por, për momentin ajo nuk ekziston”, theksoi ai.
Gjatë barazimit në St James Park, tifozët e Arsenalit shprehën hidhërimin e tyre për mungesën e ardhjes së një përforcimi të madh gjatë kësaj vere.
I pyetur rreth politikës së blerjeve, Wenger tha: “Nuk jam kundër shpenzimit të parave nëse futbollistët që blejmë mund të përmirësojnë skuadrën tonë. Ne kemi një skuadër të madhe dhe nëse dikush largohet, ne do të mundohemi të sjellim dikë tjetër. Ne kërkojmë kualitet të lartë dhe nuk kemi frikë të shpenzojmë para”.
Përforcimi i ri, sulmuesi Gervinho bëri debutimin e tij për Arsenalin në Premierligë, pas transferimit gjatë kësaj vere, nga Lille, por u përjashtua me karton të kuq pas një konfrontimi me mesfushorin e Newcastles, Joey Barton, i cili vetëm u ndëshkua me të verdhin.
“Mendoj se Gervinho nuk e meritoi kartonin e kuq, gjyqtari mund të japë karton të kuq për të dy futbollistët, ose të verdhë për të dy. Mendoj se gjyqtari nuk e pa incidentin, ndërsa as anësori nuk e kishte vërejtur mirë”, përfundoi Wenger.