Qeveria përjashton nga taksa vendore investimet e mëdha
Qeveria ka përjashtuar nga taksat vendore investimet e mëdha. Konkretisht investitorët që do të investojnë në projekte madhore në infrastrukturë apo në energji do të paguajnë vetëm 0.1 për qind të vlerës së investimit. Në bazë të ligjit të taksave vendore, kur një investitor ndërmerr realizimin e një projekti të ri, ai duhet të paguajë për ndikimin që ky ndërtim ka në infrastrukturë. Niveli i kësaj takse është i ndarë për Bashkinë e Tiranës 2 deri në 4 për qind të vlerës së investimit, ndërsa për bashkitë e tjera varion nga 1 deri në 3 për qind të vlerës së investimit. Por vlera e këtyre taksave është vendosur duke mos patur parasysh projektet e mëdha në infrastrukturë apo hidrocentrale etj. Vlera e këtyre projekteve është goxha e lartë, ajo llogaritet të arrijë në disa dhjetëra milionë apo deri në një miliardë euro. Në këto raste aplikimi i të tilla taksave do të kishte një impakt në koston e këtyre investimeve, duke e rritur atë. Nga ana tjetër investitori në këto projekte paguan tërësisht koston e infrastrukturës që bëhet e papërdorshme, apo që dëmtohet. Për këtë arsye qeveria vendosi të bëjë një reduktim të kësaj takse, duke e lënë atë vetëm 0.1 për qind të vlerës së investimit. Nga ky vendim i qeverisë pritet të përfitojë edhe kompania "Bechtel-Enka", e cila po ndërton projektin më të madh të infrastrukturës në vend, vlera monetare e së cilit është goxha e lartë. Në sajë të këtij vendimi të qeverisë, kjo kompani do të paguajë më pak para për taksën e ndikimit në infrastrukturë.