Mocioni ndaj Ramës, nisin largimet
Majlinda Rama
Në Partinë Socialiste të Fierit kanë nisur përjashtimet e atyre që firmosën pro mocionit të mosbesimit për kryetarin socialist Edi Rama. Kryetari i Lëvizjes për Politikë Institucionale, Artan Marku, shprehet se në organizatat socialiste, me urdhër nga kryetari socialist i bashkisë Erion Muçaj, kanë nisur përjashtimet nga PS të të gjithë atyre që shprehën njëzëri kundërshtinë ndaj frymës arrogante dhe përjashtuese të kreut socialist gjatë takimeve në asamblenë socialiste të Fierit.
Marku ka deklaruar se ka qenë i pari i përfshirë nga kjo valë largimesh pa shkak dhe motivacion prej kreut të Partisë Socialiste Edi Rama. “Shkarkimet tona kanë ardhur fill pas asaj që ne i kërkuam publikisht Ramës, dorëheqjen. Pas emrit tim vijuan edhe një sërë përjashtimesh të tjera, ende të pamotivuara. Kjo ishte përgjigjja që dhanë udhëheqësit aktualë të Partisë Socialiste Fier ndaj mocionit të mosbesimit për kryetarin e Partisë Socialiste të Bashkisë Fier, si dhe ndaj konferencës për shtyp lidhur me dorëheqjen e zotit Rama, gjë që ishte e menjëhershme. Partia Socialiste në Fier është përfshirë tashmë nga vala e përjashtimeve”, u shpreh Marku për gazetën “Panorama”.
Ndërkohë mësohet se Hadër Cako, Engjëll Kumaraku, e shumë të tjerë janë përjashtuar tashmë nga Partia Socialiste, pavarësisht se atyre nuk u është bërë i ditur motivi. Marku shprehet gjithashtu se, këto përjashtime kanë lidhje direkte me qëndrimet që këta anëtarë partie kanë mbajtur ditët e fundit. “Këto përjashtime vërtetojnë dhe një herë dështimin e politikës së re të zotit Rama, e cila në thelb është përjashtuese e arbitrare. Kjo sjellje e drejtuesve socialistë lokalë e urdhëruar nga Tirana do të ketë pasoja shumë negative në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme”, shton Marku. Gjithashtu bëhet e ditur që pas një mbledhje urgjente të asamblesë së rrethit është shkarkuar me urdhër sekretari i saj Maksim Goga dhe në vend të tij është emëruar Xhevit Bushi. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, kryetari socialist i kësaj dege, Arjon Muça ka deklaruar se, emri i Artan Markut është ç’regjistruar përpara dy muajsh, ndërkohë që nuk ka pranuar largimin e Ëngjell Kumarakut, ndërsa ka justifikuar largimet e tjera nga PS me ndërrimin e vendbanimit të tyre nga qyteti i Fierit.