PBDNJ: Andrea Marto të jetë ministër i ri i Punës
BLEDAR HOTI
Andrea Mato pritet të propozohet në postin e ri të ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Burime zyrtare pranë PBDNJ-së kanë bërë të ditur se, emri i Martos do të jetë në tavolinën e kryeministrit, si kandidaturë e propozuar nga PBDNJ-ja për të zëvendësuar Kosta Barkën. Dule do të propozojë në këtë post, pikërisht njeriun që Barka e shkarkoi disa ditë më parë nga posti i sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie. Si për ironi të fatit, në vend të Barkës do të propozohet sekretari i Përgjithshëm, i cili disa ditë më parë u nxor si i papunë nga ministri i tij. Sipas burimeve pranë PBDNJ-së, kryetari Vangjel Dule në mbledhjen e sotme të kryesisë do të hedhë si propozim kandidaturën për postin e ministrit të Punës dhe Çështjes Sociale. Ndër kandidatët që do të propozohen në kryesi mësohet se njëri është deputeti i PBDNJ-së, Leonard Solis. Ndërsa emri tjetër është ai i Andrea Martos. Kryesia e PBDNJ-së do të mblidhet sot në orën 10.00 për të përcaktuar emrin e ministrit. Ndërsa përflitet se vetë deputeti i PBDNJ-së nuk ka dëshirë që të angazhohet në këtë kabinet qeveritar, pasi më parë ka qenë ministër në qeveritë e drejtuara nga socialistët. Kjo mund të shërbejë që Solis të mos e marrë këtë post, duke u nisur dhe nga fakti se heqja e Barkës është fokusuar si një e dëshirë e tij për t’u rikthyer në qeveri. Ndërsa një ndikim jo të vogël luan dhe fakti se ministri i ri në detyrë do ta ketë këtë post vetëm për nëntë muaj, pasi në qershor pritet që vendi të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme. Kjo si duket mund të tërheqë dhe disa prej figurave kryesore të PBDNJ-së për të marrë një post ministror.
Kush është Marto?
Andrea Marto ka mbaruar shkollën e lartë universitare për Gjeologji-Miniera në vitin 1981. Marto ka punuar si gjeolog në minierën e Memaliajit. Ndërsa nga viti 1983 deri më 1997 ka punuar në Tiranë, si pedagog i Fakultetit të Gjeologjisë dhe i Minierave. Nga gushti i ’98 deri në shtator të vitit 2001, i propozuar nga PBDNJ-ja, 51-vjeçari Marto, i martuar dhe me dy fëmijë, ka mbajtur postin e zv.ministrit të Arsimit. Pastaj nga tetori i 2001 në prill të 2002 ka punuar po në këtë ministri, por kësaj herë si sekretar i Përgjithshëm. Për pesë vjet me radhë, nga 2002-2007, Marto është shkëputur nga puna në shtet, duke punuar në sektorin privat siç është kompania AMC. Pas kësaj date ka nisur punë në Ministrinë e Punës si sekretar i Përgjithshëm. Gjatë periudhës së punës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, por edhe në AMC ka kryer mjaft specializime dhe trajnime që lidhen me fushat e arsimit dhe formimit profesional, burimeve njerëzore, administrimit. Marto është përfaqësues i PBDNJ-së në këshillin bashkiak të Tiranës. Ai është kryetari i shoqatës “Omonia” për Tiranën.