PS çon në Kushtetuese Legalizimet
Aristir Lumezi
Ligji i Legalizimeve mbërrin në Gjykatën Kushtetuese. Një grup deputetësh socialistë kanë firmosur kërkesën e tyre duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shpallë antikushtetues ligjin “Për legalizimin” pasi sipas tyre, ALUIZNI në zbatimin e këtij ligji merr kompetencat e komunave dhe bashkive që duhet të bëjnë këtë proces. Ata argumentojnë në kërkesën e tyre faktin që ALUIZNI, një agjenci shtetërore, ka marrë të gjithë detyrat dhe kompetencat e bashkisë, detyrime që ligji i mëparshëm ia atribuonte atyre. Ndryshe nga kërkesa e pak muajve më parë të shoqatës së ish-pronarëve “Pronësi me drejtësi” në Gjykatën Kushtetuese, që kishte të bënte me marrjen parasysh të së drejtës së tyre mbi pronën, pasi ligji i ri po bënte pronarë legjitimë ata njerëz që kishin zaptuar pronat në mënyrë të paligjshme, socialistët në këtë rast kërkojnë vetëm mbrojtjen e kompetencave të pushtetit vendor në zbatimin e ligjit të Legalizimeve. Socialistët kërkojnë shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kartën e Autonomisë Vendore, si marrëveshje ndërkombëtare të ligjit nr. 9895 datë 09.06.2008 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9482 datë 03.04.2006 “Për Legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar dhe shfuqizimin e disa neneve të këtij ligji. Gjithashtu, deri në dhënien e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, socialistët kërkojnë pezullimin e zbatimit të këtij ligji, pasi sipas tyre zbatimi i tij do të sillte pasoja mjaft të rënda si për shtetin, për shoqërinë dhe për individin. Në kërkesën e tyre socialistët shprehen se procesi i legalizimit dhe urbanizimit të ndërtimeve informale është një proces me rëndësi kombëtare dhe me ndikim politik, por këto nuk duhet dhe nuk janë argumente të mjaftueshme që ligji në fjalë jo thjesht të përjashtonte organet e pushtetit vendor nga një rol i dorës së parë në të, por dhe të cenonte përtej çdo lloj proporcionaliteti dhe arsyeshmërie prerogative që Kushtetuta dhe Karta Evropiane e autonomisë Vendore i njohin pushtetit vendor. “Me këtë ligj sanksionohet e drejta e ALUIZNI-t, një strukturë/agjenci në varësi të Këshillit të Ministrave për të vendosur për një proces mjaft të rëndësishëm siç është legalizimi i ndërtimeve pa leje, si dhe dhënia e titujve të pronësisë në përfundim të këtij procesi individëve që posedojnë ndërtime pa leje, duke ushtruar në këtë mënyrë drejtpërdrejt funksionet e veta të njësisë vendore në fushën e planifikimit urban dhe menaxhimit të tokës, si dhe kompetencat e plota në lidhje me to (administrative, shërbimi, investimi dhe rregullatore)”, thuhet në kërkesën e deputetëve socialistë drejtuar gjykatës. Nga ana tjetër, në pikën e dytë të kërkesës së tyre, deputetët kërkojnë pezullimin e zbatimit të ligjit deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. “Ky ligj që ka hyrë në fuqi, ka filluar të prodhojë efekte. Duke përcaktuar zonat informale dhe kufijtë e tyre bashkë me rrjetin kryesor të infrastrukturës, duke regjistruar në favor të ndërtuesve informalë toka, të cilat ligjërisht u takojnë të tjerëve, duke dhënë leje legalizimi, duke shitur troje, etj., zbatimi në praktikë i këtij ligji po prodhon çdo ditë që kalon një gjendje të re të ndryshme nga ajo ekzistuesja dhe këtë po e bën ligjërisht. Në këtë mënyrë, vendimi i gjykatës nëse do të ishte pozitiv, duke qenë se ai nuk do të ketë fuqi prapavepruese, do të krijojë vetë ai një situatë antikushtetuese, në shkelje të parimit të barazisë, pasi njerëz në rrethana të njëjta objektive, do të vendosen automatikisht në gjendje të dallueshme subjektivisht. Pasojat e ligjit do të jenë të pariparueshme edhe përsa i përket ish-pronarëve, pushtetit lokal, planeve urbanizuese etj”, citohet në kërkesën e deputetëve socialistë.
kerkesat e deputeteve
Ligji shkel parimin e decentralizimit të pushtetit dhe të autonomisë vendore
ALUIZNI jep lejen e legalizimit e më pas përfituesi e regjistron ndërtimin në zyrën e ZRPP, duke qenë në të njëjtën kohë dhe leje shfrytëzimi
Nxjerr jashtë loje punën e zyra të urbanistikës së njësisë vendore që merrej me përpilimin e dokumentacionit, verifikimin në vend të objektit dhe standardin që ai plotëson
Cenon të drejtat e pushtetit vendor, në planifikimin urban, menaxhimin e tokës urbane
I heq mundësinë pushtetit vendor të vjelë taksën e legalizimit duke e marrë atë pushteti qendror përmes ALUIZNI-t
ALUIZNI merr në shqyrtim dhe miraton më pas dhe lejen e legalizimit për ndërtimet pa leje dhe shtesat në ndërtimet pa leje
ALUIZNI: Gati lista e ish-pronarëve që do kompensohen
Pas ndryshimeve të bëra në ligjin “Për legalizimin e ndërtimeve informale”, ALUIZNI ka gati listën e ish-pronarëve që do të kompensohen për trojet e tyre. Sipas burimeve zyrtare pranë Agjencisë së Legalizimit, ka nisur dorëzimi i listave pranë Këshillit të Ministrave, të cilat priten të miratohen së shpejti. Bëhet fjalë për emrat e 128 pronarëve të tokës, ku janë ndërtuar gati 100 mijë ndërtime pa leje. Sipas ligjit, leja e legalizimit të ndërtimeve informale do të mund të jepen vetëm pasi të verifikohen emrat e ish-pronarëve, në trojet e të cilëve janë ndërtuar këto objekte. Ndërkohë personat që janë bërë pjesë e procesit të legalizimit përpara se të marrin lejen e legalizimit, duhet të paguajnë të gjithë detyrimin financiar si çmimin e tokës, tarifën e shërbimit etj. Këto para do të shkojnë për kompensimin e ish-pronarëve dhe vetëm pasi këta të fundit të kenë marrë paratë, atëherë do të mund të jepet tapia për ata që përfitojnë nga procesi i legalizimit. Deri më tani janë llogaritur rreth 350 mijë objekte, që pritet të legalizohen. Në këtë shifër nuk janë të përfshira shtesat e pallateve të reja, bëhet fjalë pikërisht për ato pallate të cilat ndërtuesi nuk i është përmbajtur planit fillestar.
Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e ish-pronarëve
Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e ish-pronarëve në tetor 2007 duke lënë në fuqi ligjin e qeverisë. Sipas vendimit të kësaj gjykate, pretendimet e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, për shkelje kushtetuese në këtë ligj nuk qëndrojnë dhe nuk përbëjnë shkak për të deklaruar antikushtetutshmërinë e ligjit. Kjo shoqatë konsideronte shkelje të Kushtetutës parimin e mbrojtjes së interesave të atij që kishte zënë pronën pa leje dhe aspak të ish pronarit të vërtetë. “Analiza dhe interpretimi nga Gjykata Kushtetuese e disa prej koncepteve kushtetuese që kanë të bëjnë me “interesin publik” dhe me “shpërblimin e drejtë” si dhe respektimin e parimeve të drejtësisë, të proporcionalitetit, apo të shtetit social përbëjnë njëkohësisht dhe kufijtë kushtetues të hapësirës së vlerësimit, mbi të cilat duhet të orientohet ligjvënësi, për respektimin e së drejtës së pronës”, shprehet Gjykata Kushtetuese nëpërmjet jurisprudencës së saj.
Topi ia ktheu Legalizimet qeverisë
Vetëm nëntë muaj pas marrjes së detyrës në krye të shtetit, presidenti Topi nuk firmosi një ligj të rëndësishëm të qeverisë të miratuar me votat e maxhorancës. Topi ia ktheu për rishqyrtim ligjin “Për legalizimet” Parlamentit. Përmes zyrës juridike, presidenti Topi bëri të njohur vendimin e tij. “Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës, dekretoj kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit nr. 9895, datë 10.04.2008 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar”, u shpreh presidenti për përfaqësuesit juridikë të presidencës. Ligji u miratua me votat e maxhorancës me vetëm 52 vota, ndërsa republikanët, socialistët, por dhe grupet e interesit i kërkuan kreut të shtetit që të kthente sërish në Parlament ligjin e Legalizimeve.