E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Të rinjtë të mos presin ftesën për në politikë

 

Fondacioni ‘Qemal Stafa’ zhvilloi në Korçë spektaklin politik me temë, “Vlerat shoqërore dhe demokracia”, ku morën pjesë rreth 300 të rinj. Të pranishëm ishin dhe deputetë të këtij rrethi, Ben Blushi dhe Pandeli Majko, të cilët bashkëbiseduan me të rinjtë për çështjet e pjesëmarrjes së vlerave reale në politikë.
Në hapje të takimit, drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Qemal Stafa”, Saimir Tahiri, kërkoi nga të rinjtë që të tejkalohen modelet antivlerë që kanë hyrë në jetën e përditshme dhe të sillen sa më shumë vlera veçanërisht në politikë. “Këto 18 vjet demokraci, duket sa kanë kontribuar në ngjizjen e një sistemi antivlerash, e një morali kokëposhtë. Ndoshta kjo qeveri më shumë se të tjerat, ky kryeministër më shumë se të tjerët, ka kontribuar dhe kontribuon që hajduti të jetojë më mirë se i ndershmi, që krimineli të jetojë më mirë se ai që fiton bukën e gojës me punë dhe djersë. Jemi ende në fazën kur modelet sociale përfaqësohen sot nga i forti i lagjes, nga biznesmeni që gjen suksesin brenda natës, nga ai që pasurohet me korrupsion në kurriz të ndershmërisë. Gërdeco-Republika është një sintezë fatkeqe e kësaj situate”, tha Tahiri. Duket e konsideruar politikën si pasqyrën e kultivimit të vlerave, Tahiri kërkoi nga të rinjtë që ta ushqejnë politikën shqiptare me vlerat më të mira të tyre. “Sistemi i vlerave edukohet nga individët e përgjegjshëm. Modeli i shëndoshë duhet të fillojë nga politika, e kjo është detyra jonë. Të ndryshojmë këtë politikë e këtë qeveri gangsterësh që kemi mbi krye”, shtoi drejtuesi i fondacionit. Ndërkaq deputeti i Korçës, Ben Blushi kërkoi nga të rinjtë të jenë aktivë në jetën e tyre sociale. “Shoqëria njerëzore ka ngritur ligje për të ruajtur vlerat. Ne të gjithë jemi subjekt dhe objekt të konkurrencës dhe këtë të drejtë na e jep demokracia. Kryesisht mendoj se vuajtja na vjen për shkaqet tona dhe ka vetëm dy mënyra për të ndryshuar politikën: të votosh pro ose kundra ose të marrësh pjesë vetë. Nuk ka arsye për pesimizëm. Të rinjtë duhet të bëhen pjesë aktive dhe konkurruese e politikës”, vijoi Blushi. Ndërsa Pandeli Majko u shpreh se, dikush mendon se ka një kastë politikanësh që kanë zaptuar politikës. “Mos prisni që të vijnë t’ju thonë ‘Hajde bëhu lider’, por përkundrazi ju duhet të merrni pjesë vetë, aktivisht në politikë, që të kontribuoni dhe për të zënë vendin që meritoni. Mendoj se diçka ka ndryshuar në politikën shqiptare. Jemi më të lirë por kemi shumë më shumë dhunë dhe komplikacione, aq më tepër sot që në pushtet është Berisha”, tha Majko.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›