E Diel, 1 Nëntor 2026

Jani Jani kundër Vangjel Dules: Kosta Barka ministri më i mirë

 

Largimi i Kosta Barkës nga posti i ministrit pritet të shoqërohet me përplasje ndërmjet PBDNJ-së dhe shoqatës së minoritetit “Omonia”. Në një letër të hapur, ish-kryetari i kësaj shoqate, Jani Jani, njëkohësiht edhe kushëri i Barkës, kundërshton hapur vendimin e Dules dhe të PBDNJ-së, duke u shprehur se Barka ka marrë vlerësimin e shoqatës për të qenë ministër i Punës. Vendimin për largim, Jani Jani e ka cilësuar si “mbushje e kupës” së Dules, çka nënkupton se së shpejti ai mund të kontestohet dhe si drejtues partie. “Kryetari i PBDNJ-së, me mbështetjen e deputetëve të tij dhe të një grupi të papërfillshëm njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje as me ‘Omonia’-n dhe as me minoritetin grek ka hipur ‘në majën e Olimpit’ dhe lëshon prej andej rrufetë. Rrufeja e radhës i drejtohet ministrit aktual të PBDNJ-së. Pjesa e minoritetit që i dha votën PBDNJ-së, anëtarësia e ‘Omonia’-s në bazë nuk e ka mbështetur këtë parti që organet dhe lideri i saj të abuzojnë dhe as të sillen si “Zeusë”, nuk i ka mbështetur që disa të kënaqin egoizmin dhe ambiciet personale”, deklaron Jani. Ai thekson në letrën e tij se, “deri më sot unë s’kam dëgjuar, as tre-katër vitet e fundit që i shërbeva ‘Omonia’-s si kryetar i saj, se ministri i propozuar nga udhëheqja e ‘Omonia’-s nuk ka menaxhuar mirë çështjet që i takojnë kësaj ministrie, as nga goja e kryeministrit nuk kam dëgjuar referime negative ndaj punës në këtë ministri, përkundrazi sa herë janë bërë analiza të punës së  qeverisë vlerësimet kanë qenë nga më pozitivet”. Ai kërkon që kreu aktual i shoqatës, Vasil Bollano, të marrë iniciativat e duhura për thirrjen e organeve kolegjiale, për të vendosur edhe për pozicionin që do mbajë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke mos përjashtuar mundësinë e një force politike më vete, jo më në mbështetje të PBDNJ. Ai shprehet dhe kundër Dules se po punon kundër “Omonia”-s. “Njëkohësisht Kryeministrit Berisha i bëj thirrje të frenojë papërgjegjshmërinë politike të z. Dule, i cili po vepron hapur kundër maxhorancës, kundër elektoratit, kundër minoritetit grek dhe kundër stabilitetit të vendit”, vijoi Jani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›