Asambleja e KE-së, Kuvendi: PS gënjen, ne i shtuam një përfaqësues
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, reagoi dje nëpërmjet zëdhënëses Suela Ruseti, duke e cilësuar kërkesën e PS-së si një sfidë ndaj kredencialeve të delegacionit shqiptar në Këshillin e Evropës, që nuk është gjë tjetër vetëm një përpjekje në dëm të vendit. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Kuvendit, Ruseti, deklaroi se Kuvendi ka respektuar rregulloren e tij për delegacionin në KiE. “Kërkesa e Partisë Socialiste për të sfiduar kredencialet e delegacionit parlamentar në Këshillin e Evropës është përpjekje dashakeqe ndaj vendit. Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë për delegacionet parlamentare është zbatuar pikë për pikë. Partia Socialiste në delegacionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës ka pasur vetëm një anëtar dhe ky është zoti Kastriot Islami. Deri në momentin e verifikimit të kredencialeve, zoti Kastriot Islami ka të drejtë të ushtrojë të gjitha atributet si pjesëtar i delegacionit të Asamblesë së Këshillit të Evropës”, - deklaroi Ruseti. Më tej, ajo shtoi se kërkesa e PS-së është e pabazuar, pasi në legjislaturën e kaluar PS-ja kishte anëtarin e saj si dhe dy të tjerë si zëvendësues. “Shtoj këtu se nga Asambleja e KE-së zoti Islami është reporter për Gjeorgjinë. Lidhur më këtë, nuk ka pasur asnjë tendencë për të ndërhyrë në punët e askujt. Kërkesa e Partisë Socialiste është false dhe e pabazuar edhe për faktin se nëse në legjislaturën e kaluar Partia Socialiste kishte një vend si anëtar dhe një vend si zëvendësues, kësaj radhe, asaj i është lënë vendi i anëtarit dhe dy vende si zëvendësues”, - tha zëdhënësja e Kuvendit. Në fund të deklaratës së saj, zëdhënësja Ruseti tha se Kuvendi ka zbatuar ligjin dhe rregulloren. “Atyre që shohin me kënaqësi sfidën e kredencialeve, u bëjmë të ditur se proceduralisht është shfrytëzuar e drejta e rregullores, që kur dikush ngre çështje për verifikim mandatesh, kjo kalon automatikisht në Komisionin e Rregullores. Kuvendi ka zbatuar ligjin dhe rregulloren dhe mandatet e deputetëve të delegacionit shqiptar në Asamblenë e KE-së janë krejtësisht legjitime”, - deklaroi në fund zëdhënësja e Kuvendit, Suela Ruseti.